Basha ashpërson tonet:Plani i Berishës është që të marrë PD-në dhe ta bunkerizojë për interesa personale
Kryetari i PD, Lulzim Basha ashpërson gjuhën, duke atakuar ‘Foltoren’ dhe lëvizjen e liderit historik të PD, Sali Berisha.
Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat ku pa patur debate mes mbështetësve të Berishës dhe Bashës, ky i fundit ka deklaruar se ‘di të sillet edhe ndryshe‘, pasi rrjedh ‘jo vetëm nga familja Basha, por edhe nga Hotët, të cilët shquhen edhe për gjëra të tjera’.
Pjesë nga debati
Edmond Spaho: Të shohim propozimet për ndryshime kushtetuese, të diskutojmë në grup, në organizmat politike të PD dhe mbi këto të marrim vendime. Nuk mund të vendoset për ndryshime kushtetuese me afate deri të mërkurën. Kjo nuk është serioze dhe nuk garanton suksesin e PD.
Luan Baçi: Ne që kemi dal në foltore dhe kemi opinione të ndryshme, nuk po pozicionohemi në komisioni, bëhen diferencime. Përpara se të firmosim amendamentet, duhet të kemi informacione paraprake, duhet të shikojmë draftet.
Flutura Açka: E keni devijuar bisedën te z.Berisha. Unë jam me PD dhe s’jam as me Bashën dhe as me Berishën. A është Berishizmi e ardhmja e PD-së?
Lulzim Basha: Nuk i jam përgjigjur Berishës në ‘Foltore’, sepse nuk dua të hedh poshtë mundin e demokratëve. Po vetëpërmbahem për të treguar maturi, sepse po qe për t’ju kundërpërgjigjur, unë rrjedh nga një familje si nga Bashët dhe Hotët, që shquhemi edhe për gjëra të tjera. Plani i Berishës është që të marrë PD-në dhe ta bunkerizojë për interesa personale, për shkak të vendimit të SHBA-ve. Unë jam i vendosur më shumë se kurrë për mos ta lejuar këtë gjë.
Lulzim Basha: Dua të përsëris sot se sa të jem unë kryetar i PD-së nuk do të pranoj të hedh në votim në asnjë forum të partisë demokratike vendime të qeverisë dhe institucioneve amerikane kundër deputetëve a të zgjedhurve të kësaj partie. Edhe sikur të jem unë i godituri i këtyre vendimeve. Nuk do të pranoj e lejoj akte që çojnë në izolimin e Partisë Demokraitke nga aleati ynë strategjik dhe mirëbërësi më i madh në histori i Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar, që janë SHBA.
Lulzim Basha: Kam shprehur disa herë dhe shpreh përsëri keqardhjen time për shpalljen non grata të Sali Berishës. Kam mbështetur e mbështes përpjekjet e tij për trasparencë e drejtësi. Për fat te keq ai po kërkon ta lidhë shpalljen e tij non gratta me fatin e Partisë Demokratike. Në një anë ai po thotë nuk do të votojmë vendimin e qeverise amerikane për shpalljen e tij non gratta. Nga ana tjetër po kërkon të votojë vendimin e Lulzim Bashës që është marrë në respekt të vendimit të SHBA. A nuk nuk është e njëjta gjë në aspektin e pasojave politike për PD?
Albana Vokshi: Nuk bie dakord me motivacionin e shkarkimit (të Nokës), sepse unë gjykoj që duhet të jemi të lirë për të shprehur mendimin tonë. Pjesa e “Foltores”, mendoj që gjithsecili prej nesh është i lirë të zgjedhë të shkojë ‘Foltore’ apo jo. Z. Berisha është thënë që është përjashtuar përkohësisht nga grupi parlamentar, por ai është lideri historik, është anëtar i Këshillit Kombëtar, pra, çfarë të keqe ka që të ndjekim ‘Foltoret’? Pse duhet të gjykohemi apo të bëhemi armiq pse dikush shkon e dikush nuk shkon? Është zgjedhje! Jemi parti demokratike! Dhe e fundit: Pyetja që shtroi Flutura a ka nevojë Partia Demokratike për Berishizmin apo jo? Është një pyetje që nuk duhet të shtrohet këtu, sepse nuk vendosim ne këtu për këtë. Flutura tha që do të vendosim ne nëse i duhet Partisë Domokratike Berishizmi. JO! Vendos baza e Partisë Demokratike! Është një çështje që nuk duhet shtruar fare këtu, sepse ne duhet të flasim për ndryshimet kushtetuese që janë të rëndësishme apo axhendën parlamentare. Pjesa tjetër i takon bazës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



