Basha për krizën energjetike: E shkaktuar nga korrupsioni
PD ofensivë për të mbrojtur interesin e shqiptarëve
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pak pas mbarimit të mbledhjes së grupit të PD-së, u ndal në një prononcim për mediat.
Lideri demokrat, duke marrë shkas nga situata e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama se vendi do të goditet nga një krizë energjetike, tha se bëhet fjalë për një krizë korrupsioni. Sipas tij pak muaj më parë energjia u shit me 1/3 e çmimit që do të blihet sot, ndërsa shtoi se shumë zyrtarë duhet të ishin para drejtësisë.
“Të enjten do të zhvillohet seanca plenare e javës. Jo vetëm rendi i ditës, por edhe gjendja që ka pllakosur në vend janë tregues i qartë se kemi të bëjmë jo me një krizë energjetike por me një krizë korrupsioni. Ka nisur me vendimin që në verë të zbrazej kaskada e Drinit dhe të shitej me 1/3 e çmimit që do të blihet tani energjia, pasuria hidrike e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Që ta blejnë do iu duhet të marrin borxh, borxhin do e nxjerrin nga xhepat e shqiptarëve. Kjo është arsye pse është krizë korrupsioni. Në një vend normal, me institucione normale sot nga i pari i sektorit, përgjegjës politikisht tek drejtuesit famëkeq, nga Çela i Durrësit etj, do duhej të ishin të pandehur. Ndërkohë që presim që institucionet e drejtësisë të mos zdërhallen tapeteve të kuq të vanitetit në fundjavë, por të bëjnë detyrat e tyre, ne nuk mund të rrimë duarkryq. Për ne do të vazhdojë kjo javë me një ofensivë që do ketë në qendër interesin bazik të familjeve shqiptare, sepse kjo krizë korrupsioni po përkthehet në një krizë për familjet”, tha Basha.
“Inkurajojmë çdo reagim qytetar”, Basha kujton planin e PD për nxjerrjen e vendit nga kriza: Do vëmë gishtin te plagët, korrupsioni nuk zgjidhet me pseudo paketa
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha pohoi se situata me të cilët po përballet vendi sa i takon çmimeve që kanë pësuar rritje, që nga karburanti apo dhe produktet ushqimore, nuk ndryshon nga pseudo paketa që janë prezantuar nga qeveria.
Në një prononcim për mediat lideri i opozitës tha se PD-ja ka prezantuar që në janar një plan për nxjerrjen nga kriza të vendit, ku një pikë të veçantë zë edhe energjia elektrike.
“Ju ftojmë që t’i drejtoni kamerat te qytetarët, në rrugë, apo te dyqanet. Te dyqanet, kamerat tuaja do të fiksojnë qytetarë që blejnë me listë. Nuk dua që të them se ky problem lindi sot, por është një problem më i madh se kurrë. Në veçanti pas tellallit të të keqes, Edi Ramës, që doli dhe njoftoi rritjen e çmimeve, të cilat kanë kapërcyer, jo thjesht energjia, pasi gjithçka lidhet me bukën, produktet, dhe shërbimet. Të pretendosh se ka diçka më të rëndësishme sot, është papërgjegjshmëri. Të mos bësh gjithçka që ke në dorë, jo thjesht për të denoncuar, dhe të jesh zëri i këtyre njerëzve, por për të treguar me forcë se ky problem i shkaktuar nga korrupsioni i Ramës nuk zgjidhet me fjalime dhe propagandë dhe pseudo paketa që përpiqen që të fshehin vjedhjen. Sot shteti shqiptar i ka mundësitë që t’i japë fund shkaktuat themelor të kësaj krize. Paratë e buxhetit shkojnë për afera korruptive. Më e madhja që lidhet me këtë krizë është ajo që përmenda. E kanë shitur më lirë dhe duan që ta blejnë me 3 fish më të lartë çmimin. Shihni sa hipokrit dhe tallës janë. Sa të pashpirt janë. Për oligarkët e kanë hequr TVSH e jahteve. Oligarkëve iu bën punë, të varfërve jo. Ai qëndron në atë poltron si peng i krimit të organizuar. Ne kemi shpalosur para jush që prej janarit të këtij viti 1 plan të detajuar për të nxjerrë vendin nga kriza. Një pjesë e këtij plani ka të bëjë me energjinë. Ne do të vazhdojmë me të gjitha format dhe mënyrat që të bëjmë punën tonë karshi shqiptarëve. Do vëmë gishtin në plagët që janë shkaktuar dhe duke mbështetur me të gjitha format dhe mënyrat duke nxitur dhe inkurajuar format e reagimit qytetar.”, tha Basha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



