Basha u gjobit për shpifje, zbardhen argumentet e dënimit
“Deklaratat e bëra nga zoti Lulzim Basha kanë qartësisht natyrë shpifëse”, argumenton gjyqtari Gerd Hoxha, në vendimin që dënoi kreun e Partisë Demokratike me 50 mijë lekë, për akuzën e “Shpifjes”, kryer botërisht.
Kujtojmë se në korrikun e vitit të shkuar, Taulant Balla paditi në Gjykatë Bashën, pas deklaratave publike se Balla ishte garantuesi që 3.4 milionë eurot e sekuestruara në Portin e Durrësit do të futeshin në Shqipëri. Sipas kreut të PD-së, kjo shumë monetare ishte e krijuar nga aktiviteti kriminal dhe u përkiste grupeve kriminale. I pranishëm gjatë shpalljes së vendimit ishte edhe vetë deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndërsa në fund e konsideroi vendimin si historik.
Në vendimin e zbardhur, gjyqtari Hoxha thotë se në fund të shqyrtimit gjyqësor gjykata çmon se deklarimet e bëra nga ana e Bashës janë shpërdorim i lirisë së shprehjes dhe janë bërë me qëllim denigrues. “Gjykata çmon se përhapja e këtyre deklarimeve nga ana e të akuzuarit Z. Lulzim Basha, përderisa nuk ka qëllim informues, është shpërdorim i lirisë së shprehjes që mbrohet nga nenet 22, 23 e 73 të Kushtetutës dhe neni 10 i KEDNJ, si dhe janë bërë me qëllim për të denigruar e njollosur nderin, reputacionin dhe vlerësimin që ka opinioni shoqëror publik vendës dhe i huaj për viktimën akuzues, z.Taulant Balla”, shkruhet në vendim.
Më tej, gjyqtari Gerd Hoxha thotë se mbrojtja e Bashës duhet të provonte pretendimet e ngritura, ndërsa shton se një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe se provat e paraqitura nuk krijojnë asnjë besueshmëri. “I akuzuari Z. Lulzim Basha do të duhet të provonte në gjykim se pretendimet e tij ‘…mbështeteshin në një bazë faktike mjaftueshmërisht të saktë dhe të besueshme, në përpjesëtim kjo me natyrën dhe shkallën e pretendimit … me kusht që sa më serioz të ishte pretendimi, aq më solide duhej të ishte baza faktike’.
Ndërkohë që provat e paraqitura në gjykim nga i akuzuari z.Lulzim Basha, nuk krijojnë asnjë bazë besueshmërie në lidhje me saktësinë apo vërtetësinë e pretendimeve, konkretisht të njohjes së të dëmtuarit akuzues, z.Taulant Balla, me shtetasit e arrestuar të përmendur në deklaratën e Policisë së Shtetit”, argumentohet në vendim.
GJYQTARI
Dënimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për shpifje është vendimi i parë pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama për një paket antishpifje, ku një personazh i jetës politike dënohet për deklaratat e tij. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Gerd Hoxha, i cili është edhe kreu i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë. Ai më herët ka qenë edhe anëtar i ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjyqtari Hoxha ende nuk ka kaluar në procesin e rivlerësimit. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shortuar emrin e tij gjatë muajit nëntor të 2018-s dhe aktualisht është duke u kryer hetimi administrativ, por ende nuk është thirrur në një seancë dëgjimore. Kujtojmë se gjyqtari ka qenë një nga njerëzit kritik të ligjit për vetingun, duke u shprehur se rivlerësimi mund të bëhej ndryshe dhe nga organet ekzistuese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



