Bashar al-Assad dhe familja e tij mbërrijnë në Moskë; u jepet azil!
Pas disa orësh paqartësi, më në fund është bërë e ditur vendndodhja e presidentit të arratisur të Sirisë, Bashar al-Assad. Siç dyshohej, Assad dhe familja e tij kanë mbërritur dhe janë strehuar në Moskë.
Sipas asaj që raportojnë mediat ruse, Asadit dhe familjes së tij u është dhënë azil nga autoritetet ruse.
“Presidenti i Sirisë Assad ka mbërritur në Moskë. Rusia u ka dhënë atyre (atij dhe familjes së tij) azil për arsye humanitare”, raporton agjencia e lajmeve Interfax
“Rusia ka folur gjithmonë në favor të një zgjidhjeje politike të krizës siriane. Ne këmbëngulim që bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB të rifillojnë. Zyrtarët rusë janë në kontakt me përfaqësuesit e opozitës së armatosur siriane, udhëheqësit e të cilëve kanë garantuar sigurinë e bazave ushtarake ruse dhe misioneve diplomatike në territorin sirian“, tha burimi nga Kremlini.
Pasi qeveria e diktatorit u rrëzua nga rebelët që pushtuan kryeqytetin në një goditje rrufe dhe shpallën fitoren të shtunën, avioni privat i Assad u zhduk nga radarët.
Në përpjekje për të mos pasur fatin e Gaddafit i cili u ekzekutua nga forcat rebele, Assad u largua shpejt nga Siria së bashku me familjen e tij.
Një avion i Siria Air u ngrit nga aeroporti i Damaskut dhe fluturoi drejt rajonit bregdetar të Sirisë, një bastion i sektit alavit të Asadit.
Fluturimi bëri një kthesë të papritur mbi Homs dhe fluturoi në drejtim të kundërt për disa minuta përpara se të zhdukej nga radarët. Shkaku i zhdukjes së tij nuk është konfirmuar, por me shumë gjasa, është fikur transponderi për të mos gjurmuar lëvizjet e Assad.
Reuters nuk mundi të zbulonte menjëherë se kush ishte në bordin e Ilyushin Il-76T – një lloj avioni i përdorur nga ushtria ruse. Fluturimi u zhduk nga radari në orën 5:29 të mëngjesit – 40 minuta pas ngritjes – me të dhënat e lartësisë që tregojnë se ai bëri një zbritje.
Raporti pretendonte se Assad fluturoi në bazën ajrore Khmeimim të drejtuar nga Rusia në një pjesë të Sirisë ende besnike ndaj regjimit.
Të tjerë spekuluan se Assad mund të kishte arritur të fluturonte në Emiratet e Bashkuara Arabe ose të kalonte kufirin në Irak. Por në fund doli se Assad kishte përfunduar te miku i tij besnik, Vladimir Putin.
Rusia tani po tërheq anijet e saj nga baza e saj detare në Tartus dhe po transferon armët në vend me avion, sipas Ukrainës.
Rënia e Asadit është një goditje poshtëruese për Vladimir Putin, i cili kishte mbështetur tiranin gjatë luftës civile. Në këmbim, Kremlini u lejua të operonte dy baza ushtarake brenda Sirisë. Njëra prej tyre ishte një bazë detare – duke i dhënë Rusisë një port në Mesdhe.
Bashar al-Assad, nga mjek në diktator brutal
Bashar al-Assad ndoqi hapat e të atit Hafezit për sundimin e Sirisë.
Mjeku okulist që aspironte një jetë jashtë politikës, bëri transformimin drastik duke u bërë simbol i represionit brutal.
Një transformim dramatik i Bashar al- Assad, nga mjek i përkushtuar në një prej diktatorëve më brutalë të kohëve moderne. Të gjithë po flasin për profilin e presidentit të Sirisë; të përqendruar në dy faza: rritjen dhe rënien e figurës së tij. Assad i cili dikur ishte konsideruar si lider i mundshëm reformist, ka përjetuar një metamorfozë të plotë gjatë sundimit të tij, duke u bërë simbol i represionit brutal në një vend të shkatërruar nga lufta civile.
Fillesat e tij janë si mjek okulist dhe me ambicien për të qëndruar jashtë politikës në një jetë të thjeshtë; pas diplomimit për mjekësi në Siri u specializua për okulistikë në Londër, ku jetoi larg vëmendjes. Bashar al Assad i lindur në 65’ në Damask ishte fëmija i një familje të fuqishme, babai i të cilit kishte sunduar Sirinë për tre dekada por ai nuk shquhej për të qenë pasardhësi i Hafezit. Por kthesa ndodhi, pas vdekjes së papritur të vëllait të tij dhe presionit familjar, ku ai mori pushtetin në një Siri që shpresonte për ndryshim. Në 94 fati i Basharit ndryshoi ekstremisht ku nga një profesionist i heshtur u shndërrua në një politikan që gradualisht filloi të adoptojë retorikën autoritare të familjes së tij. Me vdekjen e babait të tij Hafezit, Bashari mori pushtetin në moshën 34 vjecare. Në vend të reformave, Assad zgjodhi rrugën e represionit, duke përdorur forcë brutale për të shtypur opozitën dhe duke shkaktuar një nga krizat humanitare më të mëdha në botë.
Mediat botërore, faktojnë se periudha e tij në pushtet ka lënë pasoja shkatërrimtare për Sirinë: mbi 500,000 të vdekur, miliona refugjatë dhe një vend të ndarë mes frikës dhe shpresës për një të ardhme pa regjimin Assad.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



