BE propozon mbylljen e lëvizjes në zonën Shengen
Bashkimi Europian propozon mbylljen e lëvizjes në zonën Shengen si dhe i bën thirrje vendeve anëtare të mbyllin kufijtë e brendshëm, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“U propozoj krerëve të shteteve dhe qeverive të vendosin kufizime të përkohshme për udhëtimet. Këto kufizime duhet të qëndrojnë në fuqi, të paktën fillimisht, për një periudhë prej 30 ditësh, por ato mund të zgjaten nëse është e nevojshme”, tha sot presidentja e KE-së Ursula Von der Leyen.
Përjashtim nga këto masa do të bëjnë mjekët, diplomatët, shtetasit europianë që kthehen nga vendet e tjera dhe studiuesit që janë angazhuar në betejën kundër koronavirusit.
Nëse miratohen, masat e reja do të hyjnë në fuqi në 17 mars dhe do të zgjasin për një periudhë 30 ditore.
“Shtetet anëtare duhet të mbrojnë lëvizjen e lirë të të gjitha mallrave, në veçanti, ata duhet të garantojnë zinxhirin e furnizimit të produkteve thelbësore, siç janë ilaçet, pajisjet mjekësore dhe ushqimin”, tha më tej Von der Leyen.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



