E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Balluku lë në  hije  administratorin Adrian Çela
Lajme

Balluku lë në hije administratorin Adrian Çela

Lufta e heshtur e pushtetit

Klodian Tomorri

Në shtator dhe tetor të këtij viti, Statuti i OSHEE Group pësoi dy ndryshime të njëpasnjëshme. Qëllimi i tyre ishte ndryshimi i balancave të pushtetit në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike.

Aktualisht shpërndarja e energjisë menaxhohet sipas parimit të kaskadës. Në krye të sistemit qëndron kompania mëmë OSHEE Group. Më poshtë janë tre kompanitë bija të saj; FTL, FSHU dhe OSSH, secila prej tyre me një rol të qartë në zinxhirin e shpërndarjes.

Por ndonëse ndarja e kompanisë në 4 të tilla është kryer që në vitin 2018, njeriu kyç i shpërndarjes ka qenë gjithmonë administratori i OSHEE Group, Adrian Çela. Një nga drejtorët më jetëgjatë, por edhe më të fuqishëm në administratën e socialistëve, Çela ka patur një linjë autoriteti, që shpesh anashkalonte dhe ministrat e energjisë duke u takuar direkt vetëm me atë të kryeministrit. Deri dy muaj më parë kur u miratuan ndryshimet në statut. Si pasojë, tashmë pushteti në sistemin e shpërndarjes së energjisë nuk rrjedh më nga lart poshtë, por rrjedh në krahun e kundërt.

Në fillim të muajit të kaluar, në krye të OSSH u emerua Blendian Dalipi. Zoti Dalipi ka mbajtur edhe më parë poste drejtuese në kompanitë publike të energjisë, por gjithmonë në nivelet e dyta. Por tani llogaritë kanë ndryshuar.

OSSH është kompania më e madhe e grupit të shpërndarjes. Vitin e kaluar buxheti i saj arriti në 28 miliardë lekë ose gati 240 milionë euro. Veç kësaj, falë ndryshimeve në statut, OSSH jo vetëm që është bërë plotësisht e pavarur nga OSHEE, por ka marrë dhe kompetenca kontrolli mbi të. Pra pushteti rrjedh nga bija tek mëma.

Me pak fjalë, ata që e njohin shpërndarjen nga brenda, thonë se tani personi më i fuqishëm në sistem është zoti Dalipi. Ky është fundi i një beteje të heshtur, por shumë të gjatë, e cila sheh si fitimtaren më të madhe, Belinda Ballukun. Tashmë, ministrja e energjisë ka kontrollin e plotë në të gjithë sistemin publik të energjisë, diçka që nuk kishte arritur ta bënte dot asnjë nga paraardhësit e saj.

Por “Game of Thrones” vazhdon. Kur një klan fuqizohet në kurrizin e një tjetri ka gjithmonë pasoja nga pas. A do të pranojë Adrian Çela, prej vitesh drejtori më i rëndësishëm i administratës së Edi Ramës, të qëndrojë nën hijen e dikujt tjetër? Në treg kanë nisur ndërkohë thashethemet e para.

Lufta mes klaneve socialiste, edhe pse e heshtur, është e ashpër. Ndërkohë që balancat e pushtetit duken delikate. Edi Rama e di mirë se Çela është një nga lojtarët më të fortë politikë që ai ka në qarkun kyç të Durrësit. Tani mbetet për t’u parë se cfare vjen më pas, teksa vendi po shkon drejt zgjedhjeve lokale. A do të ndërhyjë Rama për të rivendosur ekuilibrat e pushtetit mes klaneve të PS-së apo i ka bërë tashmë zgjedhjet e tij?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.