Berisha flet për protestën e 15 marsit: Të fillojë bojkoti i mësimit!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë për të ndaluar TikTok në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një akt censure dhe një goditje të rëndë ndaj lirisë së shprehjes.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha deklaroi se ndalimi i rrjetit social më të përdorur nga të rinjtë shqiptarë është një përpjekje e qeverisë për të kontrolluar informacionin dhe për të shuar zërin e kritikëve. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për autoritarizëm dhe përpjekje për të izoluar vendin nga platformat globale të komunikimit.
Në këtë kuadër, lideri demokrat paralajmëroi një protestë masive më 15 mars para Kryeministrisë, duke theksuar se të rinjtë, nxënësit dhe studentët do të jenë në ballë të kësaj beteje kundër censurës.
“Ky është një akt i pastër diktatorial! Rama kërkon të izolojë të rinjtë, të shuajë zërat kundërshtarë dhe të vendosë kontroll total mbi informacionin. Por shqiptarët nuk do ta pranojnë këtë. Më 15 mars, në bulevard do të flasë rinia dhe demokracia!”, u shpreh Berisha.
Vendimi për ndalimin e TikTok ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, veçanërisht mes të rinjve dhe aktivistëve të lirive digjitale, të cilët e shohin këtë masë si një goditje të rëndë ndaj të drejtave të qytetarëve në epokën e teknologjisë.
Ndërkohë, qeveria ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare mbi protestën e paralajmëruar dhe reagimet ndaj vendimit të saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



