Berisha vijon me avazin e vjetër, tenton t’i sabotoj takimin Salianjit
Ervin Salianji, i cili së fundmi është larguar nga Kryesia e Partisë Demokratike, ku ishte pjesë si anëtar i kooptuar, pritet të zhvillojë pasditen e së shtunës një takim me bazën demokrate në Korçë. Ky takim ka edhe një simbolikë të veçantë, pasi pikërisht në këtë qytet Salianji nisi angazhimin e tij politik rreth një dekade më parë.
Megjithatë, takimi i paralajmëruar vjen në një klimë tensioni të brendshëm në radhët e PD-së. Vetëm një ditë përpara organizimit të tij, dega lokale e Partisë Demokratike në Korçë ka shpërndarë një mesazh drejtuar anëtarësisë, ku u kërkohet demokratëve të mos i bashkohen foltores së ish-deputetit.
Në mesazhin e shpërndarë, struktura lokale e PD-së e cilëson lëvizjen e Salianjit si një nismë personale, e cila sipas tyre nuk përfaqëson interesat e Partisë Demokratike dhe nuk ka lidhje me qëndrimet zyrtare të saj. Madje, theksohet se kjo lëvizje, sipas vlerësimit të degës, i shërben kryeministrit Edi Rama dhe agjendës së tij politike.
Ky zhvillim e vendos takimin e Salianjit në Korçë nën vëmendje të veçantë, pasi pritet të shihet se sa ndikim do të ketë thirrja e degës lokale mbi anëtarësinë dhe nëse ish-deputeti do të arrijë të demonstrojë mbështetje reale në bazë.
Salianji, në javët e fundit, ka intensifikuar takimet me strukturat dhe simpatizantët e PD-së në disa qytete të vendit, përfshirë Durrësin, Kavajën, Shkodrën dhe Elbasanin, në përpjekje për të konsoliduar pozicionin e tij politik brenda opozitës.
Takimi në Korçë pritet të jetë një test i rëndësishëm për peshën politike të Salianjit dhe për përplasjet e vazhdueshme brenda Partisë Demokratike.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



