Big Brother apo tallavatë televizive në valët kombëtare
është një model antivlerash që shitet me zhurmë nga një tv kombëtar. Po kaq antivlera përcjellin dhe shumë produksione të tjera televizive që janë shndërruar në llumin ku kalon e përditshmja e asaj pak rinie që ka mbetur sot në Shqipëri.
Top Channel percjell filozofinë e atyre që e krijuan. Famë dhe Pasuri. Ky është dhe motivi i shqiptarëve sot. Pasurimi i shpejtë dhe fama, pa asnjë vlerë morale. Në 15 vjet Top Channel ja doli t’i mësojë shqiptarët me “moralin” e vet dhe ne dështuam që t’i ofrojmë shoqërisë një alternativë më të mirë.
Nuk ka ligj që ndalon transmetimin e programeve të tilla, ka moral, vlera dhe përgjegjësi mbi të cilat duhet të funksionojë një media kombëtare. T’i kërkosh sot moral Top Channel është sikur t’i kërkosh qeverisë që të mos vjedhë apo shiut që të mos bjerë.
TV kombëtare në Shqipëri do vazhdojnë të injektojnë propagandën e pushtetit dhe bashkë me të, do t’i servirin shqiptarëve dhe modelet e BB apo Për’puthen. Antivlera të paketuara bukur që bashkë me propagandën do zbrazin dhe më tej mendjen dhe shpirtin e shqiptarëve dhe do mbushin xhepat e pronarëve të tyre.
Në një shoqërie të dërrmuar nga korrupsioni, nga mungesa e drejtësisë dhe e mundësive është shumë thjeshtë t’ja mpish mendjen njerëzve me show dhe tallava televizive. E vështirë (por jo e pamundur) është ti tregosh njerëzve të vërtetën. Vetëm bazuar mbi të mund t’u ofrosh qytetarëve vlerat dhe moralin e munguar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



