Bllako përfitoi 119 mijë euro makineri, e bleu gruaja e Klodian Zotos
SPAK ka publikuar 11 faqet e para të akuzës ndaj kompanisë së inceneratorit të Tiranës, ku konfirmohet se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë aksionerët e vërtetë, të fshehur nëpër kompani. SPAK ka evidentuar disa vepra penale në lidhje me këtë rast dhe ka shprehur se hetimet e tyre për inceneratorin në landfillin e Tiranës vazhdojnë, duke mblidhur dokumente, fakte dhe prova të tjera.
Akuzat përfshijnë edhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, i cili dyshohet se ka përfituar mbi 119,755 euro në mënyrë të parregullt nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri me qëllim favorizimin e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B. V.” SPAK ka zbuluar se kjo shumë është shlyer për blerjen e një pajisje prodhimi që ka shërbyer për aktivitetin tregtar të një kompanie të babait të Alqi Bllakos.
Dokumentet tregojnë se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë përgjegjës për organizimin e skemës së mashtrimit dhe korrupsionit me aferën e inceneratorëve në disa qytete të Shqipërisë. SPAK ka siguruar prova të komunikimeve dhe përpjekjeve për të përfshirë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mjedisit dhe të tjera për favorizimin e kontratave koncesionare.
Kujtojmë që pak kohë më parë Alqi Bllako kishte firmosur dokumentat për Fierin dhe Elbasanin dhe është përfshirë në të gjithë aferën e inceneratorëve në detyrën e tij si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.
Nga të dhënat e SPAK, të cilat janë regjistruar si prova, në kompjuterin e Klodian Zotos nga aktekspertimi, rezulton se Alqi Bllako në vitin 2016 ka bërë komunikime nëpërmjet adresës së tij elektronike me përfaqësuesin e shoqërisë “IC Filling Systems”, në një adresë dhe pastaj Alqi ka çuar një dokument, e cila është marrëveshja për një linjë teknologjike për mbushjen e shisheve të birrës.
Kjo linjë është paguar nga bashkëshortja e Klodian Zotos, për llogari të Alqi Bllakos. SPAK thekson se gjatë hetimeve ka rezultuar se Alqi Bllako, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit ka përfituar shumën monetare prej 120 mijë eurosh, me qëllim favorizimin e procedurës së dhënies së koncesionit të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B. V.” në përbërje të së cilës ka qenë aksioner edhe shoqëria e Klodian Zotos “Integrated Technology Services”.
Alqi Bllako, me veprimet e kundraligjshme dyshohet se ka konsumuar veprën penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione shtetërore, ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar sipas nenit 260 të Kodit Penal.
Kjo është pjesa që flitet në lidhje me Alqi Bllakon, pra, përtej faktit që më parë shtetasi Giuseppe Ciaffaglione, ish-administratori i kompanisë është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi kishte punësuar babain e Alqi Bllakos, zotin Edmond Bllako me një rrogë prej 10 mijë eurosh në muaj dhe SPAK në atë kohë e ka lidhur me inceneratorin e Fierit, si përfitim që ish-sekretari ka marrë për ndërtimin e tij.
Tashmë del një fakt i ri. Blerja e një makinerie prodhimi me vlerë 120 mijë euro, e cila është zbuluar tërësisht nga SPAK-u, ku blihet nga një kompani e bashkëshortes së Klodian Zotos dhe më pas i kalohet Alqi Bllakos.
SPAK ka sekuestruar të gjitha materialet, provat, dokumentet, faturat, pagesat, fakt që tregon se skema e Alqi Bllakos për të përfituar nga ndërtimi i landfillit të Tiranës tashmë është e qartë. Një nga provat është makineria.
Theksojmë se në këto dokumente SPAK tregon qartë që Klodian Zoto është njeriu i angazhuar, së bashku me shtetasin Mirel Mërtiri dhe shtetasen Denisa Tollkuçi gjatë gjithë kohës me email-e e komunikime për të përgatitur deri në firmosjen e kontratës koncesionare gjithçka i duhet shtetit.
Ka email-e me zyrtarë të lartë të ministrisë, këshilltarë të ministrit të Mjedisit, ka komunikime të ndryshme të Ministrisë së Mjedisit me ministri të tjera, të cilat do të përfshiheshin në këtë koncesion për të dhënë lejet përkatëse, përfshi këtu Bashkinë e Tiranës.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


