Bojken Abazi: Frika u vra në shesh më 17 maj 2020
Bojken Abazi
Nëse arti është një prej procedurave përmes të cilës zbulojmë të vërtetat. Teatri është një prej mjediseve publikë të mbarsura me këtë potencial. Të dielën një shfaqje brutale policore nuk mbahej në skenën e Teatrit por rreth e përkundër saj. Nga një skenë me aftësi për shpalosjen e së vërtetave, përmes shembjes, Teatri u shndërrua në të vërtetën e skenës së krimit që heq çdo iluzion. Si pjesë e trashëgimisë tonë të përbashkës, shembja i dha edhe shoqërisë një tronditje.
Dhjetëra njerëz i pashë duke qarë në shesh kur fadromat godsinin Teatrin bashkë me memorien dhe ndërgjegjen tonë kolektive. Nuk u besonin syve. Nuk e kishin menduar se ky pushtet do shkonte aq larg. Por, në shesh lotët thaheshin shpejt. Të qenurit bashkë e kthente dhimbjen në forcë. Plani i pushtetit për ta shuar protestën qytetare kundër krimit të shumëfishtë isntitucional, dështoi.
Të dielën policia dhe forcat speciale erdhën tinëz, ende pa zbardhur dita, me armë të llojeve të ndryshme dhe me maska, sepse qëllimi nuk ishte vetëm shembja e Teatrit, por edhe shembja e shpirtit të rezistencës. Policia kishte bllokuar akset rrugore por qindra qytetarë erdhën në shesh dhe qëndruan aty deri në mbrëmje.
Nuk u trembën as nga gjobat, as nga arrestimet, as nga dhuna e maskave dhe armëve që synonin instalimin e shtetit policor. Qytetarët dolën në shesh të mbronin Teatrin dhe shtetin e së drejtës, demokracinë dhe Kushtetutën e vendit tonë, që pushteti i goditi me dhunë policore dhe fadromë.
Rezistenca 27 mujore në mbrojtje të Teatrit mobilizoi fizikisht dhe intelektualisht, qytetarë të shumtë që çmontuan një nga një çdo pseudoargument dhe mashtrim pushtetar. Rezistenca e gjatë e rikuptimësoi edhe Teatrin, edhe lidhjen e identitetit tonë me të. Teatri u kthye në simbol të trashëgimisë së popullit tonë, ndërsa “Europa Nostra”, dha statusin e trashëgimisë europiane.
Një ditë para shembjes u botuan edhe vendimet origjinale të institucioneve shqiptare që konfirmonin se Teatri gëzonte statusin “Monument kulture”. Për më tepër, çështja priste edhe vendimin e Gjykatës (jofunksionale) Kushtetuese. Edhe aktori i mirënjohur, Robert Ndrenika, me të cilin tentoi të justifikohej shteti, dha një intervistë një ditë para shembjes ku pranoi se një teatër i ri mund të ndërtohej në një vend tjetër.
Pushteti mbeti lakuriq, prandaj përdori dhunën si instrumentin e fundit në dorë, duke kryer haptazi një krim institucional në zemër të kryeqytetit. Veprimet institucioneve dhe policisë për shembjen e Teatrit kanë qenë të gjitha në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës. Duke shembur teatrin, ngritën shtetin policor. Dhuna dhe krimi i shtetit policor nuk mund të legjitimohet pa kriminalizuar të drejtat dhe protestat. Kjo është arsyeja pse shteti policor mban ende në burg protestues.
Dëshirojnë të na bëjnë shembull për të përhapur frikën. Por frika u vra në shesh, të dielën më 17 maj 2020, prandaj protestat nuk janë ndaluar. Teatri është i dokumentuar cep më cep në dosjen e dorëzuar nga arkitektët të “Europa Nostra”, prandaj mund të rindërtohet duke përdorur materialet dhe teknikat autentike të ndërtimit origjinal. Teatri duhet të ringrihet, e bashkë me të edhe populli.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



