Boko Haram, alabakë apo jelekëverdhë
Protesta e nisur këto ditë me përplasje të dhunshme ndërmjet forcave të rendit dhe pjesëmarrësve nga njëra anë, dhe zhurmës shurdhuese për ta përdhosur atë nga ana tjetër, nuk është veçse një lloj proteste, të cilën e kanë përjetuar edhe vende me demokraci shumë më të lartë se Shqipëria, jo shumë vite më larg. Në thelb, ajo nxori në pah një problem madhor, që në kushte normale ishte i pamundur të shfaqej kaq i qartë.
Ndërkohë, nëse do të shihnim mënyrën sesi janë zhvilluar protestat e lëvizjes sociale të jelekåverdhëve para pak viteve në një vend me parametra demokratikë shumë më të lartë se vendi ynë, siç është Franca, po të rikujtohen se cilat ishin kërkesat e tyre, shtresat sociale që iu bashkuan, problemet që i shqetësonin, do të shihnim se djemtë e vajzat e reja protestues në disa qytete të vendit tonë, paraqesin ngjashmëri më absolute me lëvizjen e jelekëverdhëve në Francë, përfshi këtu edhe përplasjet e dhunshme me Policinë. Por, kurrsesi, me gjithë dhunën nga të dyja palët në konflikt, shkatërrimet, 11 të vdekurit, 4 439 të plagosurit, 12.107 të shoqëruarit, 10.718 të ndaluarit dhe 3.100 të dënuarit, prej të cilëve 400 me burg, askush nga majat e larta politike të qeverisë nuk i quajti jelekëverdhët as alabakë, as gangsterë e aq më keq terroristë.
E gjitha kjo, sepse raporti i manifestuesve me ligjin, mënyra e tyre e të protestuarit për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe të shurdhësisë së autoriteteve të larta politike është një gjë, dhe rrënjët sociale ku lindën problemet e pakënaqësisë së tyre janë diçka tjetër. Rrënjët sociale të problemeve nuk mund të zgjidhen kurrsesi me stigmatizimin, përqeshjen e autoriteteve më të larta të pushtetit ndaj shtresave apo edhe grupimeve të ndryshme sociale (sado të vegjël qofshin këta të fundit), të cilat i vuajnë dhe ndihen të braktisura. Qëndrime të tilla politike që problemin, i cili shqetëson të rinjtë e revoltuar, e shohin vetëm te shkeljet ligjore në manifestim apo edhe në dhunën e përdorur nga protestuesit dhe jo te rrënjët sociale të pakënaqësisë, çojnë në izolim të shtresave të tëra të pafavorizuara. Më pas mbetet fakt i kryer kur ato kthehen lehtësisht në zona eksplozive që shpërthejnë në mos një herë, një tjetër. Kurse pushteti, nga ana e tij, ka marrë përfundimisht pamjen e një regjimi.
Ekzistojnë disa detaje të përbashkëta ndërmjet dy lëvizjeve që po krahasojmë, duke iu referuar gjithmonë protestave të jelekëverdhëve.
Të rinjtë, që këto ditë po protestojnë në Tiranë, deri në këto momente kanë dëshmuar se nuk kanë një hierarki të qartë organizative. Edhe jelekëverdhët nuk kishin diçka të tillë.
Manifestimet e organizuara nga të rinjtë nuk janë të njoftuara paraprakisht tek organet kompetente të rendit sipas kërkesave ligjore, gjë që përbën edhe shkakun e parë të përplasjes së tyre me forcat e rendit. Edhe jelekëverdhët, në shumicën dërrmuese, i organizuan protestat të padeklaruara, pra, gjithë protestat e tyre ishin të paligjshme, siç ekziston pasioni për t’i quajtur në vendin tonë. Ky moment përbën edhe shkakun kryesor të konfrontimit, i cili, thuajse rregullisht, çon në ushtrim dhe teprim të dhunës nga të dyja krahët. Është, madje, momenti kur individë me prirje kriminale, të infiltruar në manifestime, gjejnë rastin të kryejnë vandalizma.
Në të dyja rastet që po krahasojmë, për të përcaktuar oraret dhe vendet se ku do të protestohet, janë përdorur gjerësisht rrjetet sociale.
Lëvizja në Francë i kishte fillimet në vështirësitë e mëdha sociale dhe ekonomike, që po përplasej një shtresë të popullsisë, e cila nuk e kishte parë deri në ato momente veten të përfaqësuar nga asnjë forcë politike. Shumica dërrmuese e jelekëverdhëve nuk kishin votuar kurrë që prej dekadash. Megjithatë, përveç kërkesave ekonomike, ata kishin edhe kërkesa të shumta me natyre politike, ku dominonte ajo e dorëheqjes së Presidentit Macron. Megjithatë, ky i fundit nuk i quajti kurrë terroristë.
Si mënyrën e tyre për të protestuar, fillimisht jelekëverdhët përdorën jelekë me këtë ngjyrë për të garantuar një shikueshmëri më të madhe në publik dhe në media. Për të rritur tensionin gjithmonë në funksion të tërheqjes së vëmendjes, ata filluan të bllokojnë akset rrugore dhe të protestojnë pranë institucioneve me simbolikë për shtetin. Pra, manifestime të padeklaruara pranë institucioneve simbole të shtetit si dhe bllokimet e rrugëve, çonin rregullisht në konfrontim me forcat e rendit. Me përjashtim të bllokimit të rrugëve, e njëjta mënyrë proteste po ndiqet edhe nga të rinjtë në vendin tonë.
Megjithatë, me të drejtë dikush mund të marrë të mirëqenë faktin se protesta e të rinjve këto ditë ka dimensionet e një lëvizjeje sociale, e cila mund ose jo, për arsye nga më të ndryshmet, të marrë edhe përmasa më të mëdha, por a e justifikon kjo gjë përdorimin e dhunës prej protestuesve?
Fakti është se tashmë në vendin tonë kemi një konflikt. Cilado palë të pretendojë të zotërojë të vërtetën, tashmë ka një realitet përball: konfliktin ku dhuna përplas dy kundërshtarë. Por, ndërkohë, dhuna mund të jetë edhe një zgjedhje taktike si pjesë përbërëse e një lëvizjeje sociale. Kjo do të thotë se vetëm ndërhyrja e Policisë me forcë, me apo pa teprim të forcës, nuk e zgjidhin në rrënjë problemin.
Ja çfarë thonë sociologët në analizat e tyre të protestave të jelekëverdhëve në Francë:“Dhuna ngandonjëherë është e domosdoshme, ose e nevojshme me qëllim që protestuesi të zërë vendin e përparmë të skenës së ngjarjeve të vendit, por një pjesë e jelekëverdhëve janë kundër saj. Në këtë rast kemi të bëjmë me një karakter të dyfishtë kontradiktor të lëvizjes, i cili qëndron ndërmjet pranisë së protestuesve në rrugë dhe pashmangësisë së dhunës. Sepse duhet kuptuar fakti që dhuna përbën ekstremin e zëmëruar të lëvizjes. Por nëse dhuna nuk do të ishte nga brenda lëvizjes protestuese, ajo do të kthehej në frenuese të saj. Pra, tërësia e dhunës duhet marrë në konsideratë si legjitimuese e protestës, sado e fortë apo e dobët qoftë”.
Dhe bëhet fjalë për dhunë të përdorur në kuadrin e lëvizjeve sociale, jo në kuadrin e atyre me karakter politik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



