‘Boll tregove gjepura Boris, ky ishte një dështim i turpshëm’
Boris është rikthyer
Dhe gjithçka do të shkojë shumë mirë!
Ky është mesazhi emfatik që i është dërguar vendit teksa kryeministri u rikthye në konferencën e përditshme të qeverisë për koronavirusin, pas javësh mungese për shkak të betejës personale me sëmundjen vdekjeprurëse.
Ai mezi merrte frymë, mendoj se si efekt anësor i mbetur i virusit.
Por mund të jetë edhe për shkak të entuziazmit se po na tregonte kaq shumë lajme jashtëzakonisht pozitive.
BOOM! Ne kemi kaluar pikun dhe kemi nisur rënien.
BOOM! Faza e parë e betejës sonë me Covid-19 ka qenë një triumf për shkak se kemi shmangur me sukses një tragjedi që ka përfshirë botën dhe 500 mijë njerëz nuk vdiqën.
BOOM! Ekonomia e shpërbërë do të rikthehet fuqishëm.
BOOM! Do të ketë një plan të plotë javën tjetër se si do të dalim.
Njësoj si Julie Andrews, Boris na siguroi se, edhe pse ka qenë sikur po dilnim nga një tunel i madh alpin, shumë shpejt do të shohim dritën e diellit dhe lëndinat.
Oh, dhe ai donte që ne ta dinim se po bën gjithçka ditën dhe natën me zemër dhe shpirt.
Uau, e gjitha kjo duket fantastike.
Por po ashtu tingëllon plotësisht si gjepura.
Para pak javësh e krahasova presidentin Trump me Ali Komikun, Ministrin qesharak të Informacionit të Saddam Hussein, i cili gjatë Luftës së Irakut krenohej se amerikanët ‘e pabesë’ po vrisnin veten me qindra në portat e Bagdadit- ndërsa shikuesit mund të dëgjonin në sfond në TV se si armët amerikane shkatërronin zhurmshëm forcat irakiane.
Nuk mendoja se do ishte e mundur që ndonjë lider botëror të ngjante kaq mashtrues sa Trump, komentet e të cilit nëpër konferencat e shtypit janë bërë unike.
Por Boris ia arriti ta bënte Trump të dukej thuajse i besueshëm, ndërsa besnikët e tij sikofantikë në median sociale u hodhën në sulm.
“Ky është djali ynë,” thirrën ata kur Boris na informoi me terma të pasigurt se ne do mbyllim punë me virusin siç bëmë me Brexit.
Por virusi nuk është si Brexit.
Nuk është një ideologji politike që mund të jetë e hapur për debat dhe as një argument që mund të fitohet me bufoneri apo me batuta Çërçilliane.
Covid-19 nuk e di se kush është Boris Johnson, le më të shqetësohet për dashurinë e tij për Ciceronin, për aftësinë e tij që të flasë latinisht, për jetën e shfrenuar private apo për mosbesimin që ka ai te Bashkimi Evropian.
Kur tifozët e Boris, shumica dërrmuese me flamujt kombëtarë dhe parullat e Brexit në profile, abuzojnë ndaj meje në rrjetet sociale pasi kam sfiduar strategjinë e koronavirusit të heroit të tyre, ata e bëjnë këtë sepse për ta, çdo kritikë ndaj qeverisë mbi këtë krizë është si një rikthim i fushatës së egër dhe toksike për Brexit.
(Ironikisht, të gjithë këta më donin kur kërkova që rezultati i referendumit të respektohej, edhe pse vetë votova për të mbetur në BE).
Por Brexit nuk është dukur kurrë më pak i rëndësishëm në këtë luftë, jo për shkak se vendet anëtare të BE nisën të garojnë nga llogoret e tyre vetjake kur nisi gjithçka.
Dhe asnjë aftësi politike e Boris Johnson në referendum dhe zgjedhjet e dhjetorit nuk funksionon tani me virusin.
Arsyeja për këtë shtrihet në një tabelë të thjeshtë që u shfaq në ekran pasi mbaroi së foluri.
E titulluar “Krahasimi global i vdekjeve”, ajo tregon se Mbretëria e Bashkuar tani është vendi i dytë në botë me më shumë vdekje nga koronavirusi.
Kjo vjen pas një rritje të madhe të numrit zyrtar të vdekjeve pas përfshirjes së turpshme nga qeveria të vdekjeve jashtë spitaleve në shtëpitë e përkujdesjes dhe komunitetit, të cilat u lanë jashtë në mënyrë mashtruese.
Numri i raportuar i vdekjeve në Mbretërinë e Bashkuar tani është 26.711.
Por gazetarët e Financial Times kanë rrëzuar edhe këtë statistikë, duke thënë se numri real i vdekjeve mund të jetë mbi 48 mijë.
Cilido që të jetë numri i saktës, ai është shumë i madh dhe i frikshëm.
Do të thotë se një stadium futbolli plot me njerëz kanë vdekur tashmë dhe qindra të tjerë po vdesin përditë.
Sir Patrick Vallance, kryekëshilltari shkencor i qeverisë ka thanë se një numër final vdekjesh prej 20 mijë do të jetë një rezultat i mirë.
Kështu pra tani jemi në territorin e rezultatit të keq dhe duket qartë se rezultati do të jetë shumë, shumë i keq.
Pyetja kryesore është pse?
Përgjigjia gjithmonë e më e dukshme është se strategjia e Britanisë për të luftuar këtë virus ka qenë një fiasko që nga fillimi.
Ne ishim të papërgatitur, të ngadaltë dhe të vetëkënaqur në reagimin tonë.
Ne ishim të përgatitur veçanërisht kur bie fjala te pajisjet mbrojtëse për personelin mjekësor dhe sigurimin e testeve të mjaftueshme sapo u bë e qartë përmasa e kësaj krize.
Ne e vonuam në mënyrë skandaloze vendosjen e izolimit.
Në mënyrë skandaloze ne i dërguam pacientët e moshuar të infektuar në spital në shtëpitë e kujdesit pa i testuar.
Dhe në mënyrë skandaloze kemi bërë kthesë pas kthese në politika.
Unë pashë një kryeministër që po përpiqej dëshpërimisht të shmangte çdo faj apo përgjegjësi.
“Unë mora një kujdes të mrekullueshëm në spital,” tha ai, çka është gjë e mirë nëse je ai.
Por mungesa e frikshme e kujdesit shëndetësor për anëtarët më të vjetër dhe më vulnerabël të shoqërisë sonë?
Falë këtij dështimi të turpshëm për të testuar pacientët, 11 mijë azilet e të moshuarve janë kthyer në vatra horror të infeksionit.
Profesor Christ Whitty, këshilltar mjekësor i qeverisë tha se rruga e epidemisë është e gjatë.
Por Boris Johnson tha se tani e kemi kaluar pikun.
Cila nga këto është profesor?
Dhe nisur nga fakti se qeveria thotë se jemi udhëhequr nga shkenca, më falni që po pyes pyetjen e vështirë tani: te cilat vendime shkencore jeni bazuar për një numër kaq katastrofik vdekjesh?
Veçanërisht kur ‘shkenca’ po ndryshon në mënyrë kaq radikale dhe kaq shpesh.
Ne ndoqëm politikën e ‘imunitetit të tufës’ të konfirmuar nga Sir Patrick Vallance për disa javë, derisa ‘ekspertët’ tanë e kuptuan se do ishte një fatkeqësi totale nëse do vdisnin 500 mijë njerëz.
Ne nuk u izoluam për javë të tjera sepse ekspertët na thanë se nuk kishim nevojë dhe inkurajuan tubime masive si festivali Cheltenham dhe ndeshje të mëdha futbolli.
Pastaj bëmë kthesën e plotë dhe tani nuk kemi nisur as të dalim nga izolimi pasi numri i vdekjeve nga virusi është kaq i lartë.
Nuk është e habitshme që edhe Boris u infektua nga virusi dhe gati sa vdiq, duke e nxjerrë atë nga lufta për javë të tëra.
Ai u shpëtua vetëm nga aftësia e stafit të NHS, prej të cilëve mbi 100 kanë vdekur tani në vijën e parë, sepse nuk janë mbrojtur siç duhet nga njeriu që shpëtuan.
“Kam pasur kujdes të mrekullueshëm” tha ai.
Dhe kjo është gjë e mirë- për të.
Por e vërteta e hidhur është se Boris Johnson nuk u interesua sa duhet për virusin kur kishte me të vërtetë rëndësi- dhe kjo e ka bërë Britaninë një nga kurthet e vdekjes së koronavirusit më të këqij në botë.
Për të, që të pretendosh njëfarë suksesi tani, është një mashtrim i trashë.
Statistikat nuk gënjejnë, veçanërisht kur janë kufoma.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



