E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Bora, Donaldi dhe bashkimi i PD
Lajme

Bora, Donaldi dhe bashkimi i PD

Belina BUDINI

Që bashkimi është instrument i mirw komunikimi dhe marketingu këtë e ilustron edhe bashkimi i pagjasë i Borës dhe Donaldit të Big Brother. Personazhet e formateve reality-show e kanë kuptuar se ndarjet, zënkat dhe pajtimet janë tërheqëse për audiencat dhe i përdorin sa herë t’u jepet rasti. Pa u shqetësuar për koherencën apo qëndrueshmërinë e njërës qasje apo tjetrës, arrijnë të krijojnë momentumin e tyre të komunikimit të suksesshëm me publikun, duke e kapitalizuar si favor. Në terma të marketingut mediatik, nga jashtë, bashkimi i tyre rezulton i duhuri pavarësisht përjetimeve të brendshme apo autenticitetit të akteve të tyre, që mbeten thellësisht personale si ndjesi dhe të panjohura për publikun.

Edhe pse realiteti politik dhe ai i spektaklit kanë dallime në esencë, kufijtë mes tyre pothuajse janë fshirë sa i përket perceptimit dhe në elementët performativë. Ekzigjencat ndaj subjekteve politike dhe personazheve të spektaklit, në terma të marrëdhënieve të tyre me publikun janë po ashtu mjaft të afërta. Të dy palët lipset të kultivojnë perceptimet e orientuara të publikut ndaj tyre për të rritur popullaritetin dhe imazhin. Ky është një parakusht i domosdoshëm për të hyrë dhe për të qëndruar në skenë me një avantazh konkurrues. Ndaj, përballë politikës së shout që dominon në kampin qeveritar, opozitës dhe të djathtëve nuk u mbetet zgjidhje tjetër veçse të futen në valle. Demokratëve u duhet pra bashkimi me çdo kush nëse duan të jenë kandidatë seriozë në zgjedhjet lokale dhe sfidantë të pushtetit.

Vështirësitë që shfaqen në kampin e së djathtës pas dobësimit të njërit pol me hyrjen e një faktori tjetër po ashtu të dobësuar, janë të atilla që e bëjnë aktin e bashkimit edhe më të nevojshëm për mbijetesën e tyre politike dhe kartën kryesore avantazhuese përballë palës kundërshtare. Ndaj kapërcimi i këtyre vështirësive, përtej përjetimeve brenda grupeve, shfaqet si akt i domosdoshëm komunikimi për secilin prej tyre. Jo në termat false të predispozitës për t’u afruar, pasi kjo është e pamjaftueshme. Vetëm bashkimi si realitet zgjedhor shfaqet si akti i duhur i komunikimit në këtë rast. Edhe pse ai përbën më shumë sesa një akt komunikimi, efektet e këtij të fundit janë ato që marrin rëndësi në terma pragmatiste dhe të marketingut politik.

Menaxhimi i mëtejshëm i fushatës zgjedhore është një diskutim tjetër, por në situatën aktuale për demokratët përfytyrimi i një avantazhi konkurrues pa bashkimin e tyre duket i pamundur. Edhe më i pamundur sesa bashkimi! Nëse do të marrë më tepër rëndësi krijimi i një avantazhi elektoral dhe i një shansi për të djathtët që të jenë konkurrues në tregun zgjedhor, përpara egove dhe tensioneve të brendshme, kjo mbetet për t’u parë. Pritshmëritë nuk janë të larta dhe perceptimet janë në kuota edhe më të ulta sa i përket të ardhmes së demokratëve shqiptarë, që mbushin një dekadë në opozitë në vitin 2023. Me zhvillimet regresive të vitit të fundit brenda këtij kampi, përfytyrimi i një trajektoreje të re për dekadën në vazhdim është i vështirë. Nga kjo inerci prapësuese në këtë moment nuk mund të dilet pa një akt fuqizues sikurse është bashkimi i demokratëve si sjellje e re komunikuese për të djathtët dhe opozitën përballë një të majte krejt komode në pushtet.

Për t’iu rikthyer paradigmës performative të spektaklit, e cila e kapërcen pesimizmin metafizik të shkollës kritike dhe lejon më tepër optimizëm dhe transhendencë drejt një perceptimi më të unifikuar të realiteteve; gjithë sa nevojitet për të krijuar avantazh në sytë e publikut është një akt semiotik që ka autoritetin të krijojë besueshmëri dhe nuk i lë audiencës tjetër opsion përveçse të kapërcejë mosbesimin e saj dhe të pranojë atë që i shfaqet. Kështu ka ndodhur në rastin e bashkimit të Borës dhe Donaldit të Big Brother, që është këtë sezon televiziv një realitet konkret mediatik e promocional. Kjo qasje rolin kryesor ia njeh vetë subjektit dhe nuk pranon shfajësime për dobësi performance apo performancë të munguar. E vetmja rrugë sipas guruve të performatizmit, në kontekstin e shoqërisë së spektaklit, është të fitosh autoritetin për të krijuar besueshmëri me anë të akteve të komunikimit që krijojnë perceptimet e synuara. E bën dot? Kjo është çështja!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.