Britania ka kaluar në fazën e dytë të masave të marra kundër koronavirusit, duke vendosur dissa rregulla të forta për të moshuarit.
Të moshuarit mbi 70 vjeç në Britani do të izolohen në shtëpitë e tyre për një periudhë 4 mujore, edhe nëse nuk kanë simptoma të koronavirusit.
Karantinimi i të moshuarve ka gjasë të nisë në 20 ditët e ardhshme, pasi kryeministri Boris Johnson ka bërë thirrje për shtrëngim të masave kundër përhapjes së koronavirusit.
Masa drastike është pjesë e një pakete më të gjerë të fuqive emergjente që duhet të njoftohen nga qeveria, e cila përfshin ndalimin e tubimeve masive dhe lejimin e policisë të ndalojë të prekurit e dyshuar.
Qeveria duket se ka bërë një kthesë të strategjisë së saj ditët e fundit, pasi fillimisht nuk kishte dëshirë të fusë masa distancimi sociale për të ndaluar përhapjen e virusit.
Shkencëtarët më të lartë kanë paralajmëruar gjithashtu që qasja e MB për koronavirusin është e pamjaftueshme.
Një letër e hapur e nënshkruar nga 240 ekspertë thotë se masat më të forta të distancimit shoqëror do të ‘ngadalësojnë’ në mënyrë dramatike përhapjen e sëmundjes, ‘duke kursyer mijëra jetë’.
“Ne i konsiderojmë masat distancuese sociale të marra që nga sot si të pamjaftueshme, dhe besojmë se masa shtesë dhe më kufizuese duhet të merren menjëherë, siç po ndodh tashmë në vendet e tjera në të gjithë botën”, thuhet në një fragment të letrës.
Kryeministri, sekretari i shëndetësisë Matt Hancock, shefi kryesor mjekësor Dr Chris Whitty dhe këshilltari kryesor shkencor Sir Patrick Vallance kanë përgatitur një strategji për të parandaluar që shërbimi shëndetësor të ‘bie’ dhe të shpëtojë jetë, pasi Covid-19 bëhet një epidemi në UK.



