E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Buka për kopshtet, KPP frenon tenderin e dyshimtë të Erion Veliaj
Publik News

Buka për kopshtet, KPP frenon tenderin e dyshimtë të Erion Veliaj

Komisioni i Prokurimit Publik ka identifikuar parregullsi dhe ka parandaluar Bashkinë e Tiranës që të shpallë fitues të një tenderi për blerje buke për kopshtet e kryeqytetit kompaninë “Dajti Park 2007”, të themeluar nga administratori i njësisë Dajt, socialisti Kujtim Qefalia.

Në mesin e Dhjetorit 2020, institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj shpalli tenderin për blerje bukë thekre për fëmijet e strukturave parauniversitare.

Në këtë tender morën pjesë 4 kompani private. Shoqëria, e cila dha ofertën më të ulët, u skualifikua nga Bashkia e Tiranës, pasi, sipas komisionit të tenderit, u konstatuan mangësi në dokumentacion.

Pas këtij skualifikimi, kompania “Dajti Park 2007” u rendit e para dhe për Erion Veliajn ajo ishte fituese e tenderit.

Por, si kompania e skualifikuar, ashtu edhe një tjetër e renditur më poshtë, e ankimuan vlerësimin e Bashkisë së Tiranës dhe u ankuan pranë saj.

Vartësit e Veliajt nuk e morën në konsideratë, duke këmbëngulur se kompania e familjes Qefalia duhet të merrte tenderin me fond limit mbi 140 milionë lekë.

Kompanitë iu drejtuan Komisionit të Prokurimit Publik.

Në ankimin e njërës prej tyre janë renditur një seri elementësh, në të cilat hidhen dyshime mbi cilësinë e shërbimit që mund të ofrojë “Dajti Park 2007”.

“Nisur nga fakti që objekti i kësaj procedure është blerje bukë, e cila do të konsumohet nga fëmijë të vegjël në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës, duhet patjetër që operatori ekonomik të ketë përvojë të mëparshme në prodhimin dhe furnizimin me artikullin bukë thekre dhe integrale pasi Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve Tiranë është e një rëndësie të veçantë”, thuhet në ankimin e një prej operatorëve ankimues.

Në vijim të ankimit, e njëjta kompani ngre dyshime mbi kapacitetin dhe cilësinë e produktit të ofruar nga kompania “Dajti Park 2007”, të cilat nuk janë marrë në konsideratë nga ana e Bashkisë së Tiranës të drejtuar nga Veliaj.

Kompania tjetër, e skualifikuar nga Bashkia e Tiranës megjithëse kishte dhënë ofertën më të ulët, argumentoi para Komisionit të Prokurimit Publik se ishte eleminuar në mënyrë abuzive nga gara.

Komisioni i Prokurimit Publik, pas shqyrtimit të ankesave, konstatoi me vendimin e datës 11 Mars 2021 se pretendimi i kompanisë së skualifikuar ishte i drejtë dhe për këtë arsye ajo sposton nga vendi fitues shoqërinë private të Qefalisë së Dajtit.

Ndërsa, për ankimin e kompanisë tjetër, e cila ngrinte dyshime mbi cilësinë e mallit që mund të furnizojë “Dajti Park 2007”, Komisioni i Prokurimit Publik nuk arriti në një konkluzion të prerë, për shkak se shoqëria ankimuese nuk kishte dorëzuar fakte dhe prova për pretendimet e saj.

Megjithatë, në përfundim, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti të frenonte dëshirën e Erion Veliajt dhe stafit të tij për t’i dhënë 140 milionë lekë kompanisë me administrator Lulzim Qefalia, vëllait i deputetit të Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia dhe administratorit të Njësisë Dajt, Kujtim Qefalia.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.