I pari dhe më i bukuri na bënte me dije që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç pranon dështimin e planit të tij për Kosovën. Vuçiç deklaroi:
“Plani im për të marrë sa më shumë Kosovë e Metohi përfundimisht ka dështuar pasi është hequr nga tryeza e bisedimeve”.
Ky është një lajm i jashtëzakonshëm për të gjithë shqiptarët. Pra, ideja e ndryshimit të kufinjve të shtetit të Kosovës ka vdekur njëherë e përgjithmonë!
“Kosova do ta fitojë pavarësinë e saj në të gjithë territorin” –iu hakërrye Vuçiç të gjithë ultranacionalistëve dhe opozitarëve të vet në Serbi. Nuk deshët ju të merrnim veriun e Kosovës? Atëherë, pajtohuni t’i humbni të gjitha!
Për hir të së vërtetës është hera e parë që Vuçi, personalisht, e pranon që ideja e ndryshimit të kufinjve është ide e tij .
Shtypi ka supozuar disa herë që plani i Kryeministrit Thaçi për “korrigjim kufinjsh”, de facto, është ide e hershme serbe por e hedhur së fundmi nga Presidenti Vuçiç. Para vetëm pak ditësh, ishte Kryetarja e Komitetit Serb të Helsinikit, Sonja Biserko që deklaroi:
“Beogradi ka kërkuar gjithmonë partner në Tiranë dhe kohët e fundit e ka gjetur atë tek Kryeministri Rama. Bisedimet për ndarjen e Kosovës kanë nisur para dy vitesh në Nish mes Kryeministrave Vuçiç dhe Rama.”
Aktivistja serbe deklaroi edhe që kjo ide është përkrahur nga figura të caktuara që lobojnë për Serbinë si Wolfgang Petriç, pastaj Tony Blair që dihet për raportet e afërta me Kryeministrin Rama, Aleks Soros etj etj.
Batonin nuk e përmendi në këtë listë.
Kur lexova analizën e zonjës Biserko mu kujtua një shkrim mjaft i mirë i analistit të mirënjohur Januzs Bugajski para më pak se një muaji. Ishte pikërisht komenti i Biserkos: “Beogradi ka kërkuar gjithmonë një partner te Tirana zyrtare” ai që më kujtoi shkrimin e Bugajskit për këtë çështje.
Bugajski e titullonte shkrimin e tij “Kurthi serb për Tiranën”. Thelbi i shkrimit ishte pikërisht ajo që deklaronte Biserko. Pra, eleminimi i klasës politike të Prishtinës në bisedime dhe rritja e peshës së Tiranës. Për këtë qëllim –thotë Bugajski në analizën e tij- do ushqehet ideja e Shqipërisë së madhe.
Të gjithë udhëheqësit serbë nuk kanë dashur të negociojnë me Prishtinën. E kanë bërë këtë vetëm në presionin e SHBA ose BE.
Shkrimi i zotit Bugajski ia vlen të sillet në vëmendje edhe njëherë prandaj linkun e keni më poshtë.
Qeveria e Serbisë mund të jetë duke planifikuar eliminimin e ekzistencës së shtetit të Kosovës duke mbështetur një projekt të “Shqipërisë së Madhe”. Që nga ndarja e Jugosllavisë, zyrtarët në Beograd kanë provuar mënyra të ndryshme që do t’i zgjidhnin në mënyrë të përhershme marrëdhëniet problematike ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve dhe të eliminonin përfundimisht “çështjen e Kosovës”. Fokusi aktual në ndarjen territoriale mund të shihet në këtë këndvështrim strategjik.
Janusz Bugajski
Të gjithë udhëheqësit serbë, që nga Sllobodan Milosheviç, i kanë rezistuar idesë së negocimit me autoritetet në Prishtinë, dhe janë dorëzuar vetëm për shkak të presionit nga BE dhe SHBA. Ata preferojnë të merren me Tiranën dhe duke anashkaluar Prishtinën ata qëllimisht kërkojnë të minojnë legjitimitetin e shtetit të Kosovës dhe zyrtarëve të tij.
Tirana ka rënë ndonjëherë në këtë kurth diplomatik megjithëse e ka mbështetur vendosmërisht pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Në nëntor 2014, Kryeministri Edi Rama bëri një vizitë historike në Serbi, e para për një kryeministër shqiptar në 68 vjet, duke i hapur rrugë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kjo u ndoq disa muaj më vonë nga vizita e parë nga një kryeministër serb kur Aleksandar Vuçiç udhëtoi për në Tiranë. Këto vizita janë të rëndësishme për të promovuar stabilitetin rajonal, por ato mund të fshehin dhe një agjendë përçarëse.
Zyrtarët e të dyja partive të mëdha në Tiranë kanë deklaruar periodikisht që ata janë udhëheqësit e të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Këto deklarata, të bëra zakonisht gjatë fushatave zgjedhore, mund të bëhen me synimin për të mbështetur komunitetet e ndryshme shqiptare por ato jo qëllimisht mund të ndihmojnë Beogradin në minimin e pozicionit të Prishtinës. Politikanët në Kosovë nuk duan ndarje me palët e tyre në Tiranë, dhe megjithëse e shikojnë Shqipërinë si mëmëdheun e tyre historik, ata nuk i konsiderojnë politikanët e saj si “vëllezërit më të mëdhenj”.
Beogradi do të marrë në konsideratë pothuajse çdo alternativë për të shmangur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Pasi ka dështuar për riintegrimin e territorit në Serbi apo për ta skualifikuar Kosovën në arenën ndërkombëtare, ai i është kthyer konceptit të një “Shqipërie të Madhe” që do t’i shërbente interesave serbe. Ndarja e Kosovës dhe bashkimi i shumicës së territorit me Shqipërinë do të arrinte disa objektiva.
Së pari, për konsumin e brendshëm, qeveria mund të deklarojë që Serbia në fakt ka përfituar duke marrë zonat me shumicë serbe pa njohur të drejtën e Kosovës për të qene shtet. Këto ndryshime kufijsh sigurisht do të siguronin një kohezion dhe homogjenizim më të madh etnik dhe do tu mundësonte serbëve të përqendroheshin në të ardhmen e Bosnjë-Hercegovinës. Projekti i “Serbisë së Madhe” do të merrte nxitjen më të madhe që nga rënia e Milosheviçit.
Së dyti, për audiencën e BE, Beogradi mund të deklarojë një arritje në stabilizimin e Ballkanit duke farkëtuar një pakt jetëgjatë Beograd-Tiranë. Kjo do ta ndihmonte qeverinë serbe në përparimin e synimit të saj drejt anëtarësimit në BE dhe do tërhiqte dhe Uashingtonin, i cili është në kërkim të zgjidhjeve të përhershme rajonale pas marrëveshjes historike Shkup-Athinë.
Së treti, negociatat për një marrëveshje Beograd-Tiranë, të përshkruara si një traktat historik “ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, do t’i shërbente një objektivi tjetër edhe nëse ata do të dështonin duke provokuar ndarje ndërmjet shqiptarëve në të dy shtetet. Nuk mund të supozohet që marrëdhëniet ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës do të jenë gjithmonë pa probleme. Një pakënaqësi e fshehur ndaj dominimit gjuhësor dhe kulturor toskë që shprehet herë pas here, mund të dalë në sipërfaqe nëse Kosova ndjen që po trajtohet si një partner i dorës së dytë.
Ka gjithashtu një llogaritje racionale politike në atë që një marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Tiranës që anashkalon Prishtinën, mund të lërë mënjanë udhëheqësit e Kosovës dhe te dobësojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Shteti i ri do të shihej thjesht si një provincë e Shqipërisë dhe jo si një partner i barabartë. Mbështetja në Prishtinë për një konfederatë jo të ngurtë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës apo një bashkim përmes një procesi të shtyrë nga BE që shkrin kufijtë nuk parashikon aneksim të drejtpërdrejtë.
Një marrëveshje Serbi-Shqipëri gjithashtu mban në vetvete kërcënime për shtetet e tjera fqinje, veçanërisht për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Popullsia shqiptare në jugun e Malit të Zi mund të nxitet për ndarje prej Malit te Zi për “t’ju bashkuar mëmëdheut” dhe të përdoret si një pykë kundër qeverisë në Podgoricë për ta riintegruar Malin e Zi në një shtet më të madh serb. Në Maqedoninë e Veriut, çdo bashkim territorial ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës mund të rigjallërojë fantazmat e separatizmit në radhët e popullsisë shqiptare në rrethet perëndimore dhe madje dhe në Shkup.
Në një botë ideale, Shqipëria, Kosova dhe Serbia do të shkonin drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE ku kufijtë do të pushonin së qeni tregues të rëndësishëm të ekskluzivitetit etnik. Por rajoni nuk është ideal dhe vetë Evropa në përgjithësi tani po shkundet nga kërkesa më të mëdha për kufij etnikë.
Pra, si konkluzion, ushqyerja e idesë së Shqipërisë së Madhe do të bënte që Shqipëria dhe Kosova të pranonin të humbnin një copë veriu Kosove edhe ashtu të humbur. “Ndërkohë, Serbia, do të krijonte precedentin për tu bashkuar me serbët e Bosnjës dhe për të rikrijuar Serbinë e Madhe”- thotë Bugajski në analizën e tij.
Me thënë të drejtën këtë idenë e sakrificës së vogël për një gjë të madhe (që po e spjegonte Bugajski në shkrimin e tij) e kam dëgjuar për herë të parë në një studio televizive nga Baton Haxhiu. Aty, ai po i sulmonte bashkëbiseduesit si injorantë dhe i pyeste “Ani çka do bëhet si do zgjidhet ky konflikt, a mendoni se do të tërhiqet Serbia se kështu duam ne a? Moni se nuk është poezi kjo punë”- lëshohej Batoni ato kohë.
Dhe pastaj lëshoi perlën “Kur të mbarojë kjo punë do të kuptoni që ky njeri(e kishte fjalën për vten e tij) ka kontribute të jashtëzakonshme”
Atë ditë më erdhi pak keq për Baton. Mu duk vërtet si një idealist atdhetar që po përpiqet të shpëtojë sa është e mundur nga Atdheu. Pati edhe një si dridhje zëri kur i tha këto fjalë dhe unë e hëngra… Bato- thashë me vete- kështu e mendon. Ndoshta është gabim por është i sinqertë në gabimin e tij.
Tash që e lexova fillimisht Bugajskin dhe pastaj Biserkon fillova me dyshu pak. Mu kujtua edhe Berisha me teoritë e tij të konspiracionit…
Por vulën ia vuri Vuçiç!
Pra, teoria e Vuçiç e përkrahur nga Edi Rama, Hashim Thaçi dhe e mbrojtur në opinion nga zoti Baton Haxhiu vdiq. Ky është një lajm I shkëlqyer për të ardhmen e Kosovës.
Lajmi i dytë ishte I keq dhe kishte të bënte me bukëpjekësit shqiptarë në Serbi.
Vetëm pse një shqiptar (që nuk është pronari I dyqanit të bukëve por vëllai i tij) ka bërë një foto në FB me simbolin e shqiponjës, qindra serb të përçudnuar e kishin rrethuar dyqanin dhe kërcënonin.
Ato janë përpëlitjet e një bishe në ngordhje e sipër. Mu duk si akt dorëzimi…
Nuk e di nëse ka pasur një reagim zyrtar nga shteti shqiptar, prishtina ose Tirana për këtë çështje por, duhet patjetër të mbrohen.
Në qoftë se Kryeministri Vuçiç nuk bëri bllof me deklaratat e tij të sotme, atëherë, të gjithë kundërshtarët e Presidentit Thaçi, Kryeministrit Rama dhe mbështetësit e ndarjes territorial kanë marrë një fitore të jashtëzakonshme. Dhe këtu shkëlqen më së shumti Kryeministri Haradinaj.