Celibashi harxhoi 40 MLN € për zgjedhjet, por ende pa rezultat
KQZ si në vitin 2005, akoma nuk ka shpallur zyrtarisht rezultatin final!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konsumuar mbi 40 milionë euro për procesin elektoral dhe platformën elektronike të votimit, por vendi ndodhet sot përballë një paradoksi të njohur: zgjedhjet janë mbajtur më 11 maj 2025, jemi në fund të gushtit dhe ende nuk ka një rezultat përfundimtar zyrtar.
Eksperti i njohur Afrim Krasniqi e krahason situatën aktuale me vitin 2005, kur rotacioni politik u bllokua për javë të tëra, duke shkaktuar krizë institucionale. “Pas 20 vitesh, historia përsëritet. KQZ ende nuk ka mbyllur procesin ankimor dhe zyrtarizimin final të rezultatit, ndërkohë që mandati i parlamentit aktual mbaron më 10 shtator”, thekson ai.
Retrospektivë: 2005, vonesa që paralizoi shtetin
Në korrik 2005 opozita e djathtë fitoi zgjedhjet, por rezultati nuk u shpall zyrtarisht deri më 2 shtator. Deri atëherë vendi kishte dy realitete paralele: një qeveri në detyrë dhe një qeveri të votuar që nuk mund të merrte funksionet.
Opozita kërcënoi madje mbledhjen e vetë parlamentit, ndërsa palët u desh të negocionin që KQZ të shpallte rezultatin përfundimtar përpara afateve ligjore.
2025, një déjà vu i shtrenjtë
Në vitin 2025, me 1.6 milion votues, Shqipërisë i janë dashur sërish 3-4 muaj për numërimin dhe administrimin e votave. Ndërkohë:
KQZ ka mandatuar 139 deputetë, por një vendim i Kolegjit Zgjedhor për mandatin e fundit ende pritet. Vetëm pas përfundimit të të gjitha ankimimeve, rezultati përfundimtar i njoftohet Presidentit, i cili dekretin për mbledhjen e parlamentit të ri duhet ta japë më 9-10 shtator.
Paradoksi kushtetues
Sot Shqipëria ka:
një parlament në detyrë dhe një tjetër të zgjedhur por jo të betuar,
një qeveri në detyrë dhe një tjetër që qytetarët e kanë “shkarkuar” me votë.
Kjo situatë sjell kriza politike, boshllëk institucional, pasoja ekonomike dhe rrezik korrupsioni, ashtu si më 2005 dhe 2013. Deputetët e rinj, edhe pse pa u betuar ende, prej gati një muaji ndodhen në periudhë kufizimesh që rrezikojnë papajtueshmërinë e mandatit.
Administrimi i shpejtë dhe transparent i votave është një kusht minimal i demokracisë. Shpallja e menjëhershme e rezultatit final dhe thirrja e parlamentit të ri janë garanci të funksionimit normal institucional. Reforma nuk nisin vetëm nga batutat e ditës, por nga këto “detaje” që vendosin fatin e një shteti.
Sot, me 40 milionë euro të harxhuara dhe teknologji moderne, Shqipëria ndodhet sërish në një krizë vonesash burokratike që e kthen pas në vitin 2005.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



