Deklarata e fortë: Agasi largoi 3 ministra të brendshëm për bandat
Berisha: Organizoi pengmarrjen e Arben Ahmetajt nga Lugano
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka intensifikuar akuzat ndaj qeverisë gjatë fjalës së tij në tryezën e organizuar nga PD me partitë e opozitës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe intelektualë, duke e përshkruar Shqipërinë si një shtet të kapur nga kartelet e drogës dhe të kthyer në një rrezik serioz ndërkombëtar.
Berisha deklaroi se, në kuadër të klasifikimit të karteleve të drogës si organizata terroriste, Shqipëria rrezikon të renditet e dyta pas Venezuelës ose në të njëjtin nivel me Kolumbinë. Sipas tij, sot kartelet shqiptare janë faktorë vendimtarë në përcaktimin e çmimit të drogës në tregun europian, ndërsa “aksionerët më të mëdhenj” të këtij trafiku, siç u shpreh ai, janë bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama dhe grupe kriminale të lidhura me qeverinë.
Në fjalën e tij, Berisha përmendi edhe emrin e Diego Benitez, një trafikant që, sipas tij, qarkullon rreth 350 ton kokainë në Paraguaj dhe bashkëpunon me 41 klane shqiptare. Ai theksoi se aktiviteti i këtyre grupeve nuk kufizohet më vetëm në Europë, por shtrihet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi, Azi dhe rajone të tjera të botës. Sipas Berishës, grupet kriminale shqiptare janë sot transportuesit kryesorë të kokainës dhe miliarderët më të mëdhenj të këtij trafiku.
Kreu i PD-së akuzoi qeverinë për instalimin e një “narko-diktature”, e cila, sipas tij, jo vetëm që dikton rezultatet zgjedhore, por ka futur 28 deputetë në Kuvend dhe kontrollon çdo vendimmarrje politike, përfshirë edhe emërimet e ministrave. Në këtë kuadër, Berisha përmendi edhe Ergys Agasin, duke e cilësuar si një nga personat më të afërt të kryeministrit Rama dhe të lidhur drejtpërdrejt me bandat kriminale.
“Ju rikujtoj këtu se Ergys Agasi, për llogari të bandave dhe të tij, ka larguar nga detyra tre ministra të Brendshëm. Kush ishte Ergys Agasi? Njeriu më i afërt në çdo aspekt i Edi Ramës. Njeriu që merrte pengje për Edi Ramën dhe që organizon sjelljen peng edhe të Arben Ahmetajt për shkak të denoncimeve që ai bën nga Lugano. Ky regjim është shndërruar në rrezik për Europën, imagjinoni çfarë është për qytetarët e vet. Ministrat, drejtori i Policisë, drejtorë agjencish janë të gjithë të lidhur këmbë e xhep me klanet e drogës, sepse padrino i vendit e konsideron drogën si rrugën e zhvillimit”, deklaroi Berisha.
Më tej, ai u shpreh se Shqipëria është kthyer në një “lavatriçe gjigante” të pastrimit të parave të drogës në Europë, duke e lidhur këtë fenomen me rritjen e pazakontë të sektorit të ndërtimit. Sipas tij, treguesit e ndërtimit në Shqipëri janë rreth 300% më të lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, ndërsa çmimet e banesave kanë arritur nivele stratosferike.
Berisha u ndal edhe te pasojat sociale dhe ekonomike, duke theksuar se në dhjetë vitet e fundit mbi 43% e shqiptarëve janë detyruar të largohen nga vendi. Ai përmendi gjithashtu zhvlerësimin e euros dhe goditjen ndaj pensionistëve dhe eksportuesve, duke deklaruar se shumë prej tyre janë çuar drejt falimentimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



