Deputet, nga ‘Hiçi’
Artur Ajazi
Ka 34 vite që kemi deputetë “aksidentalë” që kanë hyrë në Parlament përmes parave të paguara në fund të hartimit të listave, duke bërë të “fortin” apo përmes ndikimit tek kryetari. Ata nuk kanë punuar as edhe një ditë dhe vetëm ngrenë dorën për të votuar, marrin pjesë rrallë në Komisione, marrin rrogën e majme dhe kaq. Ky është profili i “deputetit” që kemi votuar dhe do të votojmë, pa e ditur se kë po çojmë në Kuvend.
Vetëm në Shqipëri, bëhesh deputet pa patur kontribute pune, arsimim apo vlerësim shkollor dhe universitar. Parlamenti ynë ka pasur dhe ka ende deputetë që nuk kanë idenë e hartimit të një diskutimi mbi ligjet që miratojnë. Shkaku është i thellë, pasi në 34 vite partitë politike kanë përfshirë në lista mashtrues, abuzues, të pashkolluar dhe me precedentë penalë.
Mjafton të hapësh arkivat e televizioneve për të parë skandale, sherre dhe debate në Parlament. Mandati i deputetit është përdhosur aq shumë, sa intelektualët e shohin me frikë Parlamentin dhe dyshojnë mbi procesin e përzgjedhjes së kandidatëve. Parlamenti është pasqyra e atyre që drejtojnë partitë politike.
Në Parlamentin e Shqipërisë, njerëz të ardhur nga “hiçi” janë bërë deputetë përmes rrugëve të dyshimta, kanë kapur poste kyçe dhe kanë fituar miliona. Kjo është një poshtërim për studentët e 1990-ës që protestuan për të shembur të keqen dhe jo për të ngritur sistemin aktual. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk do të ndryshojnë asgjë në klimën dhe mentalitetin e drejtimit të partive dhe hartimit të listave.
Asgjë nuk do të ndryshojë në klimën dhe mentalitetin e drejtimit të partive dhe hartimit të listave, bazuar mbi kritere strikte. Do të jenë deputetë sërish, ata që nuk e kanë firmosur njëherë të vetme në “bordero”, ata që nuk njohin dhe as kanë takuar kurrë njerëzit e zonës së tyre elektorale, dhe do të vazhdojnë të paguhen me miliona nga taksat tona, derisa të dalin në pension si “ligjëvënës”, pa patur 1 ditë punë në jetën e tyre. Kështu e ndërtuam dhe e pranuam ne demokracinë, “allashqiptarçe”, larg, shumë larg asaj europiane dhe perëndimore.
Dikush duhet të mbajë përgjegjësi, për gjendjen ku ndodhet sot Parlamenti ynë. Dikush duhet të akuzohet publikisht nga shqipëtarët sot si “shkaktari kryesor i shkatërrimit të vlerave të tempullit të demokracisë”. Dhe “gishti” dihet ku shkon, drejtohet atje nga ku kanë ardhur në 34 vite, gjithë vuajtjet dhe shkatërrimet e këtij vendi, tek njeriu që i është “qepur” këmba-këmbës të ardhmes së shqiptarëve, vetëm për të mbajtur të paprekur të ardhmen e tij si “kryetar opozite” edhe për 4 vite të tjera.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



