Dëshmia tronditëse për shpërthimin me tritol në Shkodër
“Mbesa ime po kalonte aty me nënën e saj”
‘Banorët e lagjes “Arra e Madhe” në Shkodër janë tronditur nga shpërthimi i fuqishëm me tritol më 28 tetor.
Inspektori i tatimeve, Enea Busukja, ishte në qendër të atentatit, por ka shpëtuar mrekullisht pasi sapo doli nga banesa u fut në makinën e tij. Dera e automjetit e mbrojti, duke i shpëtuar jetën.
Një tjetër banor i zonës ku ndodhi shpërthimi me tritol, Eduard Gjoka, thotë se mbesa e tij e vogël vetëm pak minuta përpara ngjarjes së rëndë kaloi aty sëbashku me nënën e saj duke rrezikuar jetën ndërsa e mitura, nxënëse e fillores ka pësuar edhe një shok psikologjik.
“Mbesa ime 5 minuta sa hyri brenda kur ka plasur lënda. Kujtuam se mos shpërtheu ndonjë bombël gazi. Tmerr kalojnë për ditë fëmijë këtu. Ne e njohim për njeri të shkëlqyeshëm këtu në lagje. Nuk e di si i ka ardhur. Nuk ka dëmtuar asnjë person. Vajza ime para minuta ka hyrë brenda, më pas ka plasur si bombë”, tha ai.
Pas shpërthimit, Busukja u dërgua në spitalin rajonal, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por ka pësuar dëmtime në njërën dorë.
Policia ndërkohë vijon hetimet intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Autorët dogjën automjetin me të cilin lëvizën në fshatin Postribë për të fshehur gjurmët dhe u larguan në drejtim të panjohur. Busukja deklaroi para policisë se nuk ka konflikte dhe nuk kupton arsyen e sulmit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



