Dështuan në Champions, te PSG po mendojnë për një trajner të madh
Sezoni i PSG-së nuk ishte nga ato të cilat drejtuesit e klubit kishin ëndërruar në fillimet e vitit.
Parisienët u eliminuan shumë shpejt nga Liga e Kampionëve, ndërsa triumfi europian ishte objektivi i tyre kryesor.
Duke qenë se në Francë tashmë dominimi dhe fitimi i titullit nuk bën më përshtypje, sezoni nuk mund të konsiderohet i suksesshëm duke parë edhe shpenzimet që ka bërë Presidenti Al Kelaifi.
Ndërkaq, disfata në finalen e Kupës përballë Rennes, solli një tjetër zhgënjim dhe drejtuesit po mendojnë të ndryshojnë trajnerin Tuchel për sezonin e ardhshëm.
Në Francë janë në kërkim të një trajneri i cili ka eksperiencën e duhur për të udhëhequr ekipin në Champions League, ndërsa duhet të jetë i aftë të menaxhojë grupin e yjeve të PSG.
Sipas “Daily Mirror”, njeriu që po përmendet më tepër dhe që ka fituar më shumë kuota është Rafa Benitez.
Spanjolli është nga ata trajnerë që eksperiencën e ka të madhe, ndërsa ka provuar edhe suksesin evropian kur drejtonte Liverpoolin.
Aktualisht, Benitez po trajnon Newcastle në Angli, por përballë një oferte të mundshme nga Franca, 59-vjeçari do ta konsideronte seriozisht të ardhmen e tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



