Detaje të reja nga të shtënat në Elbasan, zbulohet kush ishin objektivat
Të dhëna të reja kanë dalë në pah lidhur me incidentin e armatosur që tronditi mbrëmjen e së dielës lagjen “Vullnetari” (Banesat) në Elbasan, ku tre persona mbetën të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Sipas informacioneve nga burime pranë hetimit, në shënjestër të autorit dyshohet se kanë qenë Armando Tomorrica dhe Renaldo Mance, ndërsa i plagosur në mënyrë të rastësishme ka mbetur edhe Biorgi Hoxha, 19 vjeç, i cili punonte si kamarier në lokalin ku ndodhi sulmi.
Nga verifikimet paraprake rezulton se autori i dyshuar kishte pasur një konflikt të mëparshëm me dy personat e synuar, çka mendohet të ketë shërbyer si motiv për aktin e dhunshëm. Në momentin e ngjarjes, Tomorrica dhe Mance ndodheshin të ulur në verandën e lokalit, së bashku me kamarierin Hoxha. Sipas dëshmive të mbledhura në vendngjarje, autori është afruar fillimisht duke i ofenduar verbalisht, përpara se të nxirrte armën dhe të qëllonte disa herë në drejtim të tyre.
Ekspertët e Policisë Shkencore kanë sekuestruar gjashtë gëzhoja në vendin e ngjarjes, të cilat do t’i nënshtrohen analizave balistike për të ndihmuar në identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave.
Të plagosurit janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas burimeve spitalore, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe janë në gjendje të stabilizuar shëndetësore.
Ndërkohë, autori i dyshuar vijon të jetë në arrati. Policia e Elbasanit ka intensifikuar kontrollet në terren dhe po vijon punën për kapjen e tij, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po kryhen veprimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



