Diaspora sot në Tiranë, paralajmërohet protestë masive
Lëvizja qytetare që kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë pritet të zhvillojë sot një protestë kombëtare në Tiranë, e cila këtë herë shoqërohet edhe me angazhimin e diasporës shqiptare.
Mobilizimi vjen pas një serie të gjatë tubimesh të përditshme në kryeqytet. Mbrëmjen e djeshme u zhvillua protesta e 62-të radhazi, duke konfirmuar vazhdimësinë e presionit qytetar dhe organizimin e qëndrueshëm të kësaj lëvizjeje.
Gjatë tubimit të fundit, organizatorët përsëritën kërkesat kryesore: dorëheqjen e kryeministrit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Ata njoftuan se protesta e planifikuar për 1 gusht do të jetë një nga kulmet e kësaj nisme, me pjesëmarrje të gjerë jo vetëm nga qytetarët brenda vendit, por edhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë.
Sipas njoftimeve të shpërndara në rrjetet sociale nga komunitetet e diasporës, protesta do të mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku pritet një grumbullim masiv. Thirrjet për pjesëmarrje kanë qenë të drejtpërdrejta dhe mobilizuese, duke synuar rritjen e presionit publik ndaj qeverisë.
“Ka nisur numërimi mbrapsht. Vrisni frikën, merrni pjesë në protestë. Rama i ka ditët e numëruara”, ishte një nga mesazhet më të forta të artikuluara gjatë protestës përpara Kryeministrisë.
Organizatorët e konsiderojnë protestën e 1 gushtit si një moment kyç për lëvizjen, duke theksuar se përfshirja e diasporës pritet të japë një dimension më të gjerë dhe ndikim më të madh në zhvillimet politike në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



