E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dita e parë e vitit akademik në universitetet e Shqipërisë. Tetor 2024
Lajme

Dita e parë e vitit akademik në universitetet e Shqipërisë. Tetor 2024

Armir Shkurti

Një klasë e mbushur plot me zonja e zotërinj në moshë të nderuar. Dëbora e viteve ka mbetur në flokët e shumicës. Të tjerët i kanë fshehur thinjat me bojë e kënà. Klasa gumëzhin nga bisedat gazmore të auditorit të emocionuar nga dita e parë e mësimit.

Rrrriiingggg! Bie zilja.

Veç një çast ndërpritet gumëzhima në klasë e pastaj rindizet. Deri kur hapet dera….
Sus!
Siç këputet muzika në një diskotekë kur ikin dritat. Një djalosh fare i ri futet në klasë. Të gjithë, si të jenë montuar mbi susta çeliku, kërcejnë pupthi në këmbë, pa marrë parasysh moshën dhe gjithë serinë e sëmundjeve që mbart ajo. Gatiii- tu! Si ushtarë elite, secili në auditor ka marrë drejtqëndim , për të nderuar në kulm solemnitetin e orës së parë të këtij viti akademik.

Djaloshi qëndoi një hap larg derës për të shijuar këtë spektakël përkëdhelës. I pa me ngé të gjithë në sallë, i peshoi një e nga një dhe më në fund, me zë të qetë e atëror u dha leje:

– Uluni, të dashurit e mi!

Bah! Një llaf goje! Qe shumë e lehtë për të brofur në këmbë. Ama për tu ulur…. Dikujt i dhimbnin gjunjët, një tjetri mesi, një tjetri i luajti tensioni e ju errën sytë. Por djaloshi nuk e prishi terezinë. Bëri ngadalë dhe dy hapa të tjerë dhe qëndroi përpara dërrasës së zezë:

– Të dashur pedagogë! – iu drejtua i riu auditorit – Unë jam studenti juaj i vetëm. Së bashku do të jemi – kësmet Zotit – deri në fund të baçelorit dhe, nëse deri atëhere s’kam ikur, mbase bëjmë edhe masterin. Kush dëshiron të fillojë i pari?

Një pyll me duar përpjetë u formua në çast. Pedagogët e ulur në banga, që, thuaj se do çponin tavanin me pëllëmbë, thërrisnin pa turp e pa cipë kush e kush më fort:

– Unë! Me leje? Unë, me leje zotni student. Unë ! Unë!!

I kënaqur nga kjo gatishmëri, studenti buzagaz shëtiste vështrimin nëpër klasë duke tundur kryet, si për të thënë: ” Ëhë! Bravo! Më pëlqen zelli dhe përgatitja juaj..” deri kur vështrimi i ngeci diku dhe u vrenjt
– Po ti aty, në bangën e dytë? Ti mor ti! Jo jo, ai ngjitur. Pa çohu! Çohu!

Një burrë i ngjallur në trup, pa flokë e me ca syze shumë të shëmtuara, u ngrit me një peshë të madhe faji e turpi mbi supe e me sytë përdhé.
– Pse s’e ngre dorën ti?
Miopi i dhjamosur u skuq aq shumë sa të tjerët i zuri paniku se mos atij i plaste ndonjë venë e i binte dambllaja mu aty.

– Unë…meleje zysh, më fal! Meleje student… nuk jam pedagog i këtij fakulteti…

– OooOOooo! – e zgjatur në auditor.
– Unë jam pedagog i fizikës tek shkencat e natyrës. Por, meqë prej vitesh ne nuk kemi asnjë studentë, erdha vetëm për sot këtu. Thjesht për tu çmallur….- dhe vari kokën gjithë turp e pikëllim. Studenti e peshoi një hop situatën dhe me një ton babaxhan ia ktheu.
– Mirë, mirë! Mund të rrish vetëm sot. Por mos bëj zhurmë e mos na prish mësimin.

Presori rondokop i fizikës u lëshua i lehtësuar në bangën e vet dhe gjithë mirënjohje e admirim i nguli sytë studentit, i cili vazhdoi me klasën:
– Atëhere, presora! Kush do të më tregojë se…- fët ! Kërceu përpjetë një dorë andej nga bangat e fundit. – Pa çohu, çohu ti!

Një plak thatim, i kërrusur e i rrudhur mezi u ngrit.

– Pa të të shohim ty, një herë, sa i mençur qenke? Se unë ende s’kam bërë pyetjen e ti ngre dorën të përgjigjesh. Jepi!
– Ju lutem, zoti student ! A mund të shkoj pak në banjo?- tha xhaxhoja me një zë të mekur
– Jo! Ta kishe bërë para se të fillonte mësimi! Unë kam ardhur në universitet të mësoj e jo të dëgjoj pordhët tuaja! Ulu aty!
– …po jam me prostat bre…
– Mbaje! Ose bëje aty! Në brekë ta bësh! Nuk më intereson fare!- dhe i ngrysur nga kjo ndërprerje e pakëndshme, studenti pyeti:
– Pra: Kush do të më tregojë se kush nga juve jep të drejtën civile?

Ai burri i thatë ngriti sërish dorën

– Ti je presori i të drejtës civile?
– Jo jo! Unë jam i penales, por e bëra siç më thatë ju!
– Ç’bëre mor djalë? Ç’të thashë unë? – u turbullua studenti
– Po shurrën në brekë bre djalë! – klasa lëshoi pasthirrma neverie. Studentit i erdhi në majë të hundës
– Ky është kulmi! – ulëriti dhe përplasi pëllëmbën mbi katedër – Kështu nuk mund të vazhdohet! Nëse nuk do përqëndroheni në mësim e do më hallakateni kështu, unë ose do ndërroj degë ose do iki fare nga Shqipëria!

Në klasë ra bomba! Të gjithë ( me përjashtim bufit të fizikës që tundte kokën mendueshëm dhe shurramanit që po vlerësonte dëmin në pantallonat e veta ) iu lëshuan në gjunjë, para këmbëve studentit, duke u përgjëruar:
– Aman! Të lutemi! Mos ik edhe ti!! Ç’do bëjmë ne pastaj?..

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.