E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dita e Rinisë në qytetin pa të rinj
Lajme

Dita e Rinisë në qytetin pa të rinj

 Flori Palushi dhe Besmir Muslia, organizuan sot një protestë simbolike, për të kujtuar edhe një herë plagën e emigrimit masiv që ka prekur qytetin e Kukësit, në Ditën e Rinisë.

‘E vërteta është që nuk ka më të rinj dhe qyteti po boshatiset dita – ditës’- tha për Citizens Channel Flori Palushi.

Ai tregon se emigrimi ka prekur të moshuarit që mbesin vetëm, bizneset që nuk gjejnë punëtorë e klientë, si edhe banorët në fshatra të izoluar, ku ka mungesë të shërbimeve në shëndetësi dhe arsim.

‘Jam kthyer tani për festat, si të gjithë kuksianët, pasi këtu është e pamundur që të krijosh një jetë’- tregon Palushi.

Flori ka punuar në shumë vende të Evropës si Belgjikë, Greqi  por pas Vitit të Ri do të rikthehet për të punuar në Podgoricë.

‘Kosto e jetesës atje është më e ulët se këtu në raport me pagën, p.sh. atje një punëtor merr rreth 50 euro dita, këtu do merrte 15 mijë lekë’- tha Flori Palushi.

Image

Ndërsa Besmir Muslia, mësues biologjie në shkollën ‘Hamdi Pelivani’ thotë se nga Kukësi po largohen të gjithë. Ai thekson se pasoja më e dukshme e emigrimit është boshatisja e shkollave nga nxënësit.

‘Nga faktorët që ndikon në këtë largim të të rinjve është edhe politika që ndiqet sidomos në këto punësimet shtetërore, i kanë kthyer në punësime familjare këtej dhe nuk i japin mundësi fare shtresave të ndryshme që të kenë mundësi të punësohen, edhe pse shkollohen’- shpjegon  Mulia.

Gëzim Hilaj është një tjetër i ri nga Kukësi i cili ka reaguar gjithashtu sot, në ditën e rinisë me pankartën : ‘Edhe sa ditë rinie n’dhe t’huj’.

Emigrimi boshatis bankat e shkollave në Kukës

Të dhënat e fundit zyrtare mbi numrin e banorëve në bashkinë Kukës janë ato të censit të vitit 2011. Më shumë se një dekadë më parë, Kukësi kishte 47.985 banorë, shifër e cila sot është tkurrur si pasojë e emigrimit masiv të të rinjve.

Raportet e siguruara nga Citizens Channel, tregojnë se në katër vitet e fundit në Kukës janë mbyllur gjashtë shkolla 9-vjeçare. Emigrimi masiv e ka tkurrur sistemin arsimor me 17% në vetëm pesë vite.

Shifrat po ashtu tregojnë se numri i nxënësve bie drastikisht pas mbarimit të shkollës 9-vjeçare. Prej viteve 2019-2023, në total në shkollat 9-vjeçare kanë ndjekur studimet 22.027 nxënës, ndërsa shifrat e nxënësve në total për ato vite në arsimin e mesëm bie në 7.340 nxënës.

Image

Marrë me shkurtime nga Citizen Channel

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.