“Ditë e turpshme”, plas sherri i ashpër mes Gjergj Lekës dhe Çiljetës
Këngëtarja: Të shprehesh ti është turpshme!
Kantautori: Të vlerësoj si vajzë, por jo për artin
Një lajm i rremë i shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale është kthyer në shkak për një përplasje publike mes këngëtares Çiljeta Xhilaga dhe kantautorit Gjergj Leka.
E gjithë situata nisi nga një fotomontazh që qarkulloi online, ku pretendohej se Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kishte dekoruar Çiljeta Xhilagën me titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”. Postimi rezultoi i pavërtetë, por pavarësisht kësaj, u përhap me shpejtësi duke nxitur reagime të shumta.
Një ndër reagimet që mori më shumë vëmendje ishte ai i Gjergj Lekës, i cili e ironizoi situatën duke shkruar: “Duhet të jetë sarkazma e vitit…”. Ai shtoi gjithashtu se, në rast se nuk bëhej fjalë për humor, një vlerësim i tillë do të ishte “dita më e turpshme e presidentit shqiptar”.

Ky koment nuk mbeti pa përgjigje nga ana e Çiljeta Xhilagës. Këngëtarja reagoi duke sqaruar se bëhej fjalë për një lajm të rremë dhe kritikoi tonin e përdorur nga kantautori, duke e konsideruar të papërshtatshëm për një figurë artistike.
“Qetësohu Gjergj, mik i dajës tim Orhan Zeneli, është thjesht një lajm i rremë. S’kam marrë asnjë dekoratë, por është e turpshme se si një artist si ty mund të shprehet në këtë formë me kaq mllef. Mirë komentuesit e thjeshtë që ju ka zënë zemra merimanga mllefi prej vitesh por të shprehesh ti është e turpshme!”, u shpreh ajo.
Në reagimin e saj, Çiljeta theksoi gjithashtu rrugëtimin e saj artistik ndër vite dhe raportin që ka me publikun, duke vënë në dukje se për të më e rëndësishme mbetet përmbushja e ëndrrave personale sesa perceptimet apo vlerësimet e të tjerëve.
“Për çfarë kam kontribuar unë prej vitit 2000 e deri sot ka pak rëndësi për mua se sa vlerësohet. Edhe 41 vjeç sot dhe pa bërë këngë të reja prej vitesh edhe me 10 kilogramë më tepër në trup prapë “full” e mbushur kur këndoj në koncert. Por për mua rëndësi ka që kam plotësuar ëndrrat e mia duke kënduar, prezantuar apo edhe aktruar se sa opinion i disave, dhe faleminderit Zotit që s’kam ego të errët që të arrij të nxjerr mllef për të tjerët. Qofsh mirë Gjergj, ndaj Zoti disa njerëz i ka lënë në hije se siç kanë shpirtin ja u jep edhe jetën.
Shëndet paç dhe uroj të të vijë pak turp nga vetja brenda ndërgjegjes tënde egoiste të errët që një shpirti artistik nuk i rri”, deklaroi këngëtarja.

Debati vijoi më tej me një tjetër reagim nga Gjergj Leka, i cili sqaroi se vlerëson Çiljetën në aspektin personal, por jo për kontributin e saj në artin muzikor shqiptar.
“Të vlerësoj për vajzën që je, por jo për atë që ke dhënë për artin shqiptar. Janë dy anë të ndryshme të medaljes. Më bëhet zemra mal kur shoh që kohët e fundit jeta jote dhe shijet e tua muzikore kanë ndryshuar. Të uroj jetë e muzikë me vlera”, u shpreh ai.
Në fund, kantautori iu përgjigj edhe akuzës për “turpin”, duke e mbyllur replikën me një tjetër koment ironik: “Përsa i përket turpit që duhet të kem unë, e thënë nga ti më bën të gajasem”.

Kjo përplasje në rrjet ka rikthyer edhe njëherë vëmendjen te ndikimi i lajmeve të rreme dhe reagimet që ato mund të shkaktojnë në publik dhe mes figurave të njohura.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




