“Do përjetonim falimentin më tragjik të shtetit”/ Rama: Nëse rrogën minimale do ta bënim 500 euro për herë të parë që nga koha e Skënderbeut…
Gjatë fjalës së tij për prezantimin e planit për të përballuar krizën energjetike, kreu i qeverisë iu përgjigj edhe atyre që e kritikojnë se nuk rrit pagat dhe pensionet.
Kryeministri Edi Rama tha se qeveria shqiptare ka vendosur të mos rrisë çmimin e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël, si dhe të garantojë furnizim të pandërprerë me energji për të gjithë shqiptarët.
Kreu i qeverise u shpreh se kriza energjitike per Shqiperine eshte ne aspektin financiar po aq sifiduese sa pandemia.
“Por duke e refuzuar kategorikisht çdo pretendim e çdo ide, se kjo krizë e rëndë nuk ka lidhje me Shqipërinë, e duke ju thënë se kjo është për ne një krizë që në aspektin financiar, mund të jetë për këtë shtet deri edhe po aq sfiduese sa pandemia, me pasoja monetare ku e ku më të rënda për vendin, nëse nuk reagojmë me të gjitha forcat, jo vetëm si qeveri po si bashkësi qytetarësh të vetëdijshëm, ju them edhe që plani ynë i kundërveprimit, nuk parashikon as rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë e për biznesin e vogël, as ndonjë operacion kufizimesh të furnizimit me energji elektrike në shkallë vendi”, tha Rama.
Sipas kryeministrit plani i kundërveprimit ndaj krizës energjitike ka tre pika.
1- Garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë – vijon një numër masash të detajuara
2- Mbrojtjen e familjeve dhe biznesi i vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike – vijon një numër masash të detajuara
3- Garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike – vijon detajimi i instrumentave të garancisë sovrane shtetërore, i cili do të jetë i ripërtëritshëm, në vlerën 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër, për të siguruar pikën një dhe dy.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se nëse pensionet minimale bëhen 300 euro dhe paga minimale 500 euro atëherë shteti do të falimentonte brenda 1-2 vitesh.
Sipas tij, një rritje e tillë e menjëhershme do të sillte një zi buke që nuk eshte para që nga koha e Skënderbeut.
“Dikush mund të thotë e mirë, po këto s’janë asgjë, për sa kohë nuk rriten pensionet në mënyrë domethënëse. Disa madje thonë, bëje pensionin minimal 300 euro dhe pagën minimale 500 euro, pastaj mund të kesh fytyrë e të na dalësh përpara.
Unë ju them, nëse ne e rrisim pensionin minimal sot jo në 300 euro, po në 300 mijë lekë, në fund të vitit të ardhshëm ne duhet të mos bëjmë më investime dhe brenda 2 vjetësh, do të përjetonim falimentimin më tragjik të shtetit, ku jo vetëm s’do kishte më pensione, po për herë të parë në historinë e Shqipërisë, qysh nga koha e Skënderbeut, do të shikonim çfarë do të thotë në të vërtetë të mos ketë bukë për të ngrënë.
Ndërsa nëse e rrisim edhe pagën minimale jo në 500 euro, po në 500 mijë lekë, na duhet vetëm një vit të hyjmë në krizën e parë të urisë në 500 vjet histori”, tha Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



