Do të vijë një ditë kur ti do të pendohesh!
E shoh shpesh në ëndërr atë ditë.
Është dita kur ty të bie dera në 4:00 të mëngjesit, ti zgjohesh, hap derën dhe shikon përballë dy zonja që të drejtojnë një copë letër. Letra është nga IKMT dhe të njofton që atë ditë, në orën 5:00 (një orë më vonë) do të fillojë prishja e shtëpisë tënde. KKRRT ka marrë vendimin që për interes publik, të prishet shtëpia jote dhe aty të jetë një lëndinë.
Ti e lexon dy herë se s’iu beson syve. Po të prishin shtëpinë për ta bërë lëndinë. Thjesht një lëndinë. Tallje trapi spektakolare.
Ty do të të kompesojnë me 180 lek/m2 dhe për 2.000 m2 të gjurmës së shtëpisë do marrësh vetëm 360 mijë lekë.
Ti nxjerr kokën jashtë dhe shikon aty nja 50 policë dhe dy fadroma që kanë vënë kronometrin dhe po presin orën 5:00. Ti fillon të kundërshtosh me forcë. “Kjo është e paligjshme! Ku është vendimi, se s’ka asnjë vendim? Vlera e kompesimit është shumë e ulët. Dua ta ankimoj në gjykatë. Unë jam Kryetari i Partisë Socialiste, jam deputet i opozitës, ju s’mund t’ia bëni këtë një deputeti. Ku është shteti? Ku është ligji? Ku është Kushtetuta?”
Por policët as që të dëgjojnë fare. Thjesht të hedhin spray përcëllues në sy, të rrëzojnë përtokë të qëllojnë me shqelma dhe në fund të vënë prangat. Dhe e di çfarë është më ironike? Ata janë po të njëjtët policë që ti i ke përdorur me dhjetra e dhjetra herë, kur ndërhyje për prishjen e Teatrit, për prishjen e shtëpive lart e poshtë nëpër Tiranë, për arrestimin e protestuesve, për forcimin e karantinës. Sot ata po të marrin ty.
Të çojnë në komisariat dhe të komunikojnë akuzën “Për kundërshtim të forcave të rendit”. Ti thua “Po nuk kundërshtova. Po mbroja shtëpinë time nga paligjshmëria”. Por askush s’të dëgjon të japin një letër për të firmosur dhe pas nja 4-5 orësh të nxjerrin.
Ti del nga komisariati dhe sheh që aty ka ca media që të presin të bësh një deklaratë.
“Jam këtu për të denoncuar sjelljen e këtij pushteti…bla bla bla, e tërci e vërci.”
Më pas mediat ikin. Je vetëm fare.
Të bie telefoni. Është Lali. Edhe atij i ka vajtur IKMT, si puna jote. Atij do t’ia prishin për ta përdorur tokën për të ndërtuar një kullë 40 kate. Kompesimi për Lalin do jetë një hyrje 1+1 tek kulla, ose pastaj me vlerë VKM-je, që i bie 300 lekë/m2. Nja 300 mijë lekë gjithë gjithë dhe atij.
Ti vendos të shkosh të protestosh. Merr në telefon rilindasit e tu që të vijnë dhe ata të protestojnë me ty, po asnjëri s’ta hap telefonin. As Taulanti…as Lleshi…
Nisesh i vetëm. Por duke ecur rrugës të ndalon prapë policia. Të kërkon autorizimin tek e-albania për daljen nga shtëpia.
Ti çuditesh. Ça autorizimi?
Mundohesh të sqarosh policat që nuk ke pse merr autorizim. S’jemi më në gjendje të jashtëzakonshme.
Por polici këmbëngul. Ti i thua që është anti-kushtetuese, se qytetarët e RSH janë të lirë të lëvizin sipas kushtetutës.
Por polici prapë insiston. Thotë që është me ligj. “Ka dalë një urdhër nga Qeveria, zotëri. Është shpërndarë me Whattzap. Ti duhet ta dish. S’mund të bësh sikur s’e di” Dhe të nxjerr mesazhin e Whtzp. Ti lexon mesazhin dhe shikon që është nxjerr një urdhër për marrje autorizimi vetëm për ty, personalisht. Gjithë të tjerët jo, vetëm ty të duhet autorizimi.
Ça tallje spektakolare…
Ti i thua policit “S’kam autorizim. Madje s’kam as shtëpi se ma ka prishur IKMT për ta bërë lëndinë. Dhe madje nuk dola me dëshirë. Më shoqëroi policia pak më parë me forcë dhe tani sapo më liruan” Po policit s’i bën përshtypje. Të vë prangat dhe të çon prapë në rajon, për shkelje të karantinës….
________
Kjo është dita kur ti do ta kuptosh ç’do të thotë autokraci, ç’do të thotë diktaturë, ç’do të thotë mungesë shteti dhe fuqi pushteti. Kur një njeri bën çfarë të dojë me ty dhe ti s’ke kush të mbron. Kur ti flet për ligj, për Kushtetutë, për institucione, për rregulla, por ai tjetri përballë as të dëgjon hiç, po të vë prangat.
Kjo është dita kur do kujtosh Teatrin, Astirin, Kushtetutën, shtëpitë tek Bregu i Lumit, dyqanet tek Selvia, dyqanet tek Rr.Kavajës, karantinën, aktet normative, VKM-të e shpronësimeve, tenderat, konçesionet, gjykatën kushtetuese, reformën në drejtësi, prokurorinë e kapur. Do kujtohesh që ishte ti ai që ia bërë të gjithë këtë vetes.
Kjo do të jetë dita kur ti pendohesh.
_________
Ti ecën në trotuar dhe aty pranë kalon Samiri me fuoristradë. Ti i çon dorën ta përshëndesësh, por ai s’të kthen as kokën…
Poetic Justice…
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



