Dokumenti/ Opozita kërkesë KLSH-së për kontrollin e 17 tenderave sekretë: Miliona lekë abuzime
Me anë të një dokumenti drejtuar kreut të KLSH, Bujar Leskaj, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi pretendon se janë kryer miliona lekë abuzime me tenderat sekretë.
Bëhet fjalë për 17 tendera të Ministrisë së Mbrojtes, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, që kanë paracaktuar fituesin në blerjen e paketave ushqimore apo mjeteve mbrojtëse mjekësore antiCOVID.
“Të gjitha këto procedura, për aq sa janë bërë publike, provojnë paracaktimin e fituesve dhe një rritje fiktive të çmimeve të blerjes së mallrave të prokuruara. Pjesa dërrmuese e kontratave është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe nuk është bërë as publikimi i ofertave, as publikimi i kontratës.”- thuhet në kërkesën e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.
“Aty shpjegohet se pjesa dërrmuese e procedurave janë klasifikuar në kundërshtim flagrant të ligjit si procedura sekret, duke eleminuar çdo minimum transparence mbi to”, thuhet më tej.
Partia Demokratike ka akuzuar edhe më herët publikisht qeverinë për tenderat sekretë, ku sipas demokratëve janë kryer abuzime me miliona lekë për blerjen e pajisjeve mjekësore.
Duke vënë në dukje interesin publik për garantimin e përdorimit të mirë të fondeve publike, Partia Demokratike kërkoi nga KLSH bashkëpunim për auditimin në një kohë sa më të shpejtë të mundshme të këtyre procedurave të prokurimit.



Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



