DOMINO DANCING
Një zotëri, para sesa të shkonte në punë, bënte një ecje të shëndetshme nga liqeni. Gjithmonë ndalej tek një lokal ku dy pensionistë luanin domino me pasion. Shihte një lojë, u paguante kafen, dhe kthehej për të shkuar në punë.
Edhe sot, iu afrua pensionistëve, pa një lojë dhe bëri të shkonte.
– Po ato kafet? – i thirri njëri prej lojtarëve.
– Ah, nga sot nuk mundem t’jua paguaj më.
– Pse?! – u hodh tjetri, sikur kjo të ishte padrejtësi.
– Jam pa punë. E mbylla biznesin. Më mbytën të mëdhenjtë.
– Po tani? Si do t’ia bësh?
– Ju e keni në dorë. Po më futët përsëri në punë, do keni edhe kafet, edhe pensionet.
– Pse, ti na i jep pensionet neve?! Ato na i jep shteti!
– Po, por me lekët e sigurimeve shoqërore që paguajmë ne që punojmë!
Pas disa momenteve heshtje, njëri nga pensionistët i thotë tjetrit:
– Ky ka ardhur për propagandë vëlla! Ky do që ne të votojmë djathtas, por ky harron se ne nuk e tradhëtojmë kurrë partinë që na ka rritur! Do bëjmë si do bëjmë pa kafen e këtij! Domino!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



