Donacioni për QSUT që mban erë korrupsion
Një njoftim i publikuar nga QSUT për dhurimin e qindra pajisjeve IT dhe aparaturave mjekësore ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po konceptohet kjo skemë dhe kush përfiton realisht prej saj.
Në pamje të parë, një donacion për spitalin më të madh në vend duket si një akt pozitiv. Por burime të Publik Media ngrenë dyshime se pas kësaj nisme mund të fshihet një mekanizëm që hap rrugën për kontrata shumëvjeçare mirëmbajtjeje me vlera të larta.
Skema është e thjeshtë. Një kompani që prodhon ose furnizon aparatura mjekësore, qoftë Siemens, GE Healthcare, Philips, Canon apo një markë tjetër, i dhuron pajisjet pa pagesë. Pas instalimit të tyre, ato kërkojnë mirëmbajtje periodike, pjesë këmbimi, përditësime softuerike dhe servis të autorizuar. Në praktikë, këto shërbime mund të kryhen vetëm nga kompania prodhuese ose distributori i saj i autorizuar.
Kjo do të thotë se, pasi donacioni pranohet, QSUT detyrohet të zhvillojë tenderë për mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve. Nëse vetëm një operator ekonomik është i autorizuar për servisimin e tyre, konkurrenca bëhet formale dhe fituesi praktikisht është i paracaktuar.
Gazetari ynë ka mësuar se një kompani tashmë ka dhuruar pajisje sipas listës së publikuar nga QSUT.
Kjo ngre një pyetje thelbësore: a është donacioni një akt bamirësie apo hapi i parë i një kontrate shumëvjeçare me miliona lekë për mirëmbajtje?
Ekspertë të sektorit pohojnë se, në shumë raste, do të ishte ekonomikisht më e favorshme që pajisjet të bliheshin përmes një tenderi të hapur, ku në kontratë të përfshihej edhe mirëmbajtja për disa vite. Një procedurë e tillë do të garantonte konkurrencë reale dhe do t’i jepte shtetit kontroll mbi koston totale të investimit.


Vartësit e Klodian Allajbeut marrin kontrata “Full Risk” ku çmimi nuk ka fund:
- Montal SHPK (Skënder Lufi): Ka siguruar plot 47,902,600 lekë nga kontratat për CT Skaner (22,265,000 lekë) dhe pajisje të tjera GE (25,637,600 lekë).
- SAER Medical SHPK (Ridi Cipo): Ka kapur 15,209,999 lekë vetëm për mirëmbajtjen e pajisjeve Mediso.
- Health & Light SHPK (Ridi Cipo): Ka siguruar 4,168,000 lekë për mirëmbajtjen e pajisjeve Philips.
- MEDFAU SHPK (Shkëlqim Verdha): Ka arkëtuar 3,390,000 lekë për mirëmbajtjen e pajisjeve Siemens.
Kjo tabelë dëshmon se si “dhuratat” e vartësve të Allajbeut shndërrohen në kontrata të majme, ku kostot e mirëmbajtjes në afat të gjatë do të tejkalojnë edhe vlerën e vetë pajisjes së dhuruar. Ky nuk është thjesht një pazar, por një mekanizëm ku “falas” bëhet barra më e shtrenjtë për taksapaguesin shqiptar.
Këto “dhurata” simbolike janë surpriza që vartësja e preferuar, Evis Sala, ia bën mjeshtrit të saj, shefit Klodian Allajbeu, për t’i mbushur xhepat, ndërkohë që popullit i kërkohet të hapë GoFundMe për të mbijetuar. Në shëndetësinë e Allajbeut dhe Salës, asgjë nuk është falas. Shefi vetëm pasurohet nga të gjitha anët, ndërsa “dhurata” e radhës do të jetë thjesht një tjetër faturë e kripur që do ta paguajë qytetari i thjeshtë me taksat e tij.

Investigimi i Publik.al tregon se tregu i mirëmbajtjes së aparaturave mjekësore në QSUT dominohet prej vitesh nga një numër i kufizuar operatorësh ekonomikë. Nga dokumentet e prokurimeve rezulton se kontrata të shumta mirëmbajtjeje “Full Risk” janë fituar nga kompani si Montal SHPK, Health & Light SHPK, MEDFAU SHPK, SAER Medical SHPK dhe Biometric Albania SHPK, të cilat shfaqen në mënyrë të përsëritur si fituese për mirëmbajtjen e pajisjeve të prodhuesve të ndryshëm, përfshirë GE Healthcare, Siemens, Philips, Mediso, Olympus, Storz Medical dhe marka të tjera.
Kjo është arsyeja pse njoftimi i QSUT për pranimin e aparaturave me donacion ngre pikëpyetje të forta. Nëse pajisjet dhurohen nga një prodhues ose distributor i caktuar, mirëmbajtja e tyre në shumë raste mund të kryhet vetëm nga përfaqësues të autorizuar të asaj marke. Praktikisht, donacioni krijon një treg të garantuar për kontratat e servisimit, pjesëve të këmbimit dhe përditësimeve teknike, me vlera që mund të zgjasin për vite.


Burimet e Publik.al bëjnë me dije se të paktën një kompani ka dhuruar tashmë pajisje sipas listës së publikuar nga QSUT. Pikërisht këtu lind dyshimi kryesor: a kemi të bëjmë me një akt bamirësie në interes të pacientëve, apo me një skemë që krijon paraprakisht kushtet për kontrata shumëvjeçare mirëmbajtjeje me përfitime të konsiderueshme ekonomike? Ky është një element që kërkon verifikim të plotë nga organet e kontrollit dhe hetimit.
Nëse kjo skemë provohet, atëherë “donacioni” nuk do të ishte fundi i historisë, por fillimi i saj. Aparaturat mund të jepen falas, ndërsa fitimet reale të gjenerohen më pas përmes kontratave të mirëmbajtjes, të cilat në disa raste mund të kushtojnë sa, ose edhe më shumë, se vetë vlera e pajisjeve.
P.s Publik Media ka mësuar detaje rreth firmës që ka dhuruar paisjet dhe do të thellojë investigimin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



