Dosja 4099 e grupit të Call-Centerave tek ‘Delijorgji’
INVESTIGIM | Skema te “Delijorgji”: Si rekrutoheshin të rinjtë në Instagram për të zhvatur kanadezët dhe britanikët (Dosja 4099)
Një rrjet i mirëfilltë mashtrimi kompjuterik me shtrirje ndërkombëtare, i kamufluar si zyrë investimesh në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës, është goditur nga organet e drejtësisë. Publik.al ka siguruar detaje ekskluzive nga Dosja Penale Nr. 4099, e cila zbardh mekanizmin se si funksiononte një Call-Center i paligjshëm brenda kompleksit “Delijorgji”.
Përmes platformave fiktive, emrave të rremë që të kujtojnë filmat e Hollivudit dhe një teknologjie që fshihte gjurmët në Londër, ky grup ka zhvatur kursimet e jetës së dhjetëra qytetarëve nga Kanadaja, Anglia dhe vende të tjera europiane.
Makineria e mashtrimit te “Delijorgji”: Çfarë u gjet në sasi?
Gjatë operacionit të koduar në ambientet e këtij Call-Centeri, policia dhe prokuroria kanë sekuestruar një arsenal të vërtetë digjital që shërbente si armë për zhvatjen e të huajve:
94 njësi kompjuterike dhe laptopë;
Telefona celularë në përdorim të organizatorëve;
Databaza gjigante me të dhëna personale të shtetasve të huaj;
Programe dhe platforma specifike të koduara për komunikim.
Iluzioni i Londrës: Kurthi me IP-në angleze
Hetimi i udhëhequr nga prokurori i Tiranës, Bledar Velikaj, ka zbuluar një detaj kyç teknologjik. Edhe pse salla e operatorëve ndodhej fizikisht në mes të Tiranës, në kompleksin “Delijorgji”, në kompjuterat e viktimave në Kanada apo Angli thirrja shfaqej sikur vinte nga Britania e Madhe.
Grupi kishte arritur të konfiguronte një IP funksionale në Londër, duke rritur besueshmërinë te klientët, të cilët mendonin se po flisnin me agjentë financiarë të rregullt në qendrën e prestigjit botëror.
Hierarkia e Grupit: Kush janë të arrestuarit?
Gjykata ka lënë në burg katër persona të cilët mbulonin rolet kyçe të organizimit, që nga menaxhimi e deri te suporti IT. Ata akuzohen për “Mashtrim kompjuterik” në bashkëpunim, “Punësim i paligjshëm” dhe “Fshehje të ardhurash”.
Për të humbur gjurmët, operatorët dhe drejtuesit përdornin emra të rremë gjatë thirrjeve si: “Maks”, “Majkëll”, “Xhejson”, “Olivia”, “Neit”, “Elsa”, “Belvedero” dhe “Grifin”.
Çarku “DUA PUNË” në Instagram dhe dëshmitë e operatorëve
Sipas dosjes hetimore, rekrutimi i të rinjve shqiptarë nuk bëhej përmes zyrave zyrtare të punësimit, por përmes një faqeje në Instagram të quajtur “DUA PUNË”. Aty të rinjtë premtoheshin për paga të larta dhe ftoheshin në intervista te “Delijorgji”.
Dëshmia e operatorit Klajdi B.: Fazat e mashtrimit
“Kam marrë dijeni për këtë vend pune në Instagram. U prita nga një djalë që u prezantua si ‘Maks’ [Ernest Kurti]. Në fillim dëgjoja operatorët e tjerë; bëhej fjalë për investime në bursë dhe kriptovaluta me klientë kanadezë. U premtohej fitim 2 deri në 3 fish më i lartë se shuma e investuar. Nëse klienti pranonte, fillimisht investonte 250 dollarë dhe pastaj kalonte te departamenti ‘Retention’…”
Dëshmia e operatorit Serxhio M.: Skema cinike “Recovery”
Një nga pjesët më të errëta të dosjes është departamenti “Recovery” (Rikthimi i dëmeve). Pasi klientët e huaj mashtroheshin një herë dhe humbnin paratë, ky grup i kontaktonte sërish, duke shtirë sikur do t’u kthenin paratë e humbura.
“Puna që bëja ishte ‘Recovery’… u premtohej rikthimi i parave të humbura, çka ishte mashtrim sepse nuk u kthehej asgjë. Në fillim u merreshin 200 euro dhe pastaj kalonin te persona të tjerë. Intervistën dhe punësimin ma ka bërë Ernest Kurti. Pagesa bëhej ‘cash’ në fillim të muajit dhe ishte në vlerën 1000 euro.”
Platformat fiktive: Grafikë të rremë për fitime imagjinare
Prokuroria ka dokumentuar se si funksiononte faza finale e zhvatjes. Pasi operatorët i bindnin viktimat të depozitonin paratë, atyre u jepeshin kode aksesesh për disa platforma fiktive (fake) në internet.
Në këto uebsajte shfaqeshin grafikë të rremë, shuma monetare që shtoheshin dhe fitime imagjinare. Gjithçka ishte një animacion digjital për t’i mbajtur viktimat me shpresë dhe për t’i nxitur të investonin sërish. Në momentin që qytetarët e huaj kërkonin të tërhiqnin paratë e tyre, llogaritë bllokoheshin dhe komunikimi ndërpritej përfundimisht.
Ndërkohë, një listë e gjatë punonjësish dhe dëshmitarësh, mes të cilëve shtetasit Noel Sulollari, Heljos Reka, Serxhio Meta, Adrian Elezaj, Klejdi Balla, Brikena Myftari, David Kapxhiu dhe Jeton Mziu, kanë zbërthyer përpara hetuesve të gjithë skemën e funksionimit të kësaj fabrike të paligjshme.
Hetimet e Prokurorisë së Tiranës tashmë janë zgjeruar, pasi dyshohet se pas katër të arrestuarve fshihen pronarë dhe porositës të tjerë me kapital të fuqishëm, të cilët kanë financuar ngritjen e kësaj strukture kriminale kompjuterike. Publik.al do të vijojë të ndjekë hapat e kësaj dosjeje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



