E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dosja Beci në GJKKO, kush janë zyrtarët e tjerë të pandehur (EMRAT)
Lajme

Dosja Beci në GJKKO, kush janë zyrtarët e tjerë të pandehur (EMRAT)

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, së bashku me disa zyrtarë të tjerë, të dyshuar për shkelje të rënda të ligjit në procedurat e tenderimit publik.

Sipas SPAK, në këtë çështje janë marrë të pandehur Benet Beci, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti dhe Rudin Gjoni, të cilët akuzohen për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Një detaj i rëndësishëm i hetimit lidhet me faktin se Adela Ruko është bashkëshortja e ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi. SPAK thekson se një pjesë thelbësore e provave që çuan në zbardhjen e çështjes dhe mbylljen e hetimeve është siguruar përmes teknikave të posaçme të hetimit, si dhe nga prova materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e Evis Berberit, i pandehur në një procedim tjetër penal.

Hetimi ka në fokus një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me një fond limit prej 69.5 milionë lekësh. Sipas SPAK, gjatë zhvillimit të kësaj procedure janë konstatuar një sërë veprimesh të kundërligjshme që lidhen me përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve të tenderit dhe vlerësimin e ofertave.

Nga hetimet rezulton se Benet Beci, në kohën kur ushtronte detyrën e Administratorit të KESH, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave, ka krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese “Consulting & Management Albania” sh.p.k., duke cenuar parimin e barazisë dhe konkurrencës në tendera publikë.

NJOFTIMI I SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 08.01.2026, ka paraqitur kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 196 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve: Benet Beci, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, Rudin Gjoni, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal.

Objekt i këtij hetimi është një procedurë prokurimi e zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me nr. REF-46463-12-18-2019, me fond limit 69,500,000 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e pesëqind mijë) lekë.

Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Nga aktet e administruara ka rezultuar se, gjatë zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, janë evidentuar rrethana fakti për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të titullarit të autoritetit kontraktor, anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave. Këto veprime kanë konsistuar në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve në dokumentacionin standard të tenderit, si dhe në fazën e vlerësimit të ofertave.

Konkretisht, nga analizimi i provave të siguruara përmes përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit, provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e personit të marrë si i pandehur në një procedim tjetër, shtetasit Evis Berberi (bashkëshorti i të pandehurës Adela Ruko), si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore në kuadër të këtij hetimi, ka rezultuar se:

I pandehuri Benet Beci, në detyrën e Administratorit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit, të pandehurit Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, si dhe me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, të pandehurit Adela Ruko, Rudin Gjoni, Premtim Dauti, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k.

Në këtë procedurë prokurimi janë evidentuar veprime në kundërshtim me nenet 1, 2, 20, 24 dhe 46 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, si dhe me nenet 28 dhe 61 të VKM nr. 914, datë 29.12.2014, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.