Drejtësia e korruptuar dhe farsa e “demokracisë”
Zef Mulaj
Në një sistem drejtësie të sëmurë dhe të korruptuar, shteti bëhet kancerogjen kur nuk është në gjendje të kurojë drejtësinë. Në këto raste, shteti i ngjan një makinerie të vjetruar, që përditë humb lidhjet me qytetarët e tij, duke shkuar drejt një fundi që nuk lë të ardhme për shoqërinë dhe për brezat e ardhshëm. Në një shtet të tillë nuk ka shkencë dhe zhvillim, nuk ka perspektivë dhe kulturë, nuk ka histori — ka vetëm varfëri të maskuar nën gjuhën e politikanëve të korruptuar që sundojnë dhe nënshtrojnë edhe sistemin e drejtësisë.
Ngjan sikur ekziston liria, por ajo nuk është liri e vërtetë demokratike. Kur makineria e shtetit është e sëmurë, mekanizmat e saj nuk funksionojnë më. Drejtësia nuk ndëshkon krimin dhe nuk ndëshkon ata që gabojnë, nëse ata kanë pushtet, forcë ekonomike ose mbështetje politike. Në këtë mënyrë, dosjet e shumta mbeten në sirtarët e arkivave, duke lënë të pahetuara krime të rënda dhe të pandëshkuara.
Kur korrupsioni kthehet në normë
Në momentin që korrupsioni bëhet pjesë e pandashme e jetës politike dhe e organizmave shtetërorë, ai shndërrohet në një “kushtetutë” të jetës morale dhe materiale mbi të cilën organizohet dhe drejtohet një shoqëri e tillë. Në këtë situatë, jeta e njerëzve shantazhohet nga politika dhe padrejtësia, nga pasiguria, nga krimi i organizuar, nga mafia, papunësia dhe mungesa e meritokracisë e profesionalizmit.
Ky mekanizëm arrin kulmin e vet kur krimi i organizuar dhe mafia depërtojnë në të gjitha hallkat e jetës së përditshme. Ata ndërtojnë pushtetin mbi shkeljen e ligjit dhe besimit të qytetarëve, duke minuar sigurinë dhe rregullin publik.
Pasojat e një drejtësie të sëmurë
Kur shteti dështon në përmbushjen e funksioneve të tij thelbësore në një demokraci, si mbrojtjen e lirisë së tregut, zbatimin e ligjit dhe monitorimin e respektimit të tij, ai bëhet i paligjshëm dhe i rrezikshëm për shoqërinë. Në një shtet të tillë, meritat dhe iniciativa individuale nuk mbrohen, ndërsa lufta kundër korrupsionit mbetet thjesht një fasadë.
Nëse imoraliteti dhe degjenerimi moral janë të pranishëm në një shoqëri, atëherë duhet të pyesim veten nëse jemi ende një shtet i së drejtës, i bazuar në parime dhe vlera universale.
Ekonomia dhe morali
Jeta ekonomike nuk mund të zhvillohet në një vakum moral. Ajo kërkon një bazë të fortë etike, pa të cilën nuk mund të mbijetojë. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, krimi ekonomik zë 15 deri në 20% të të gjitha krimeve në botë. Nëse organizatat kriminale përfaqësojnë elitën e errët të mijëvjeçarit të tretë, ndikimi i tyre në shoqëri, institucione dhe politikë është i pashmangshëm.
Krimi dhe korrupsioni burgosin zhvillimin dhe vjedhin të ardhmen e të rinjve. Ata kufizojnë lirinë ekonomike, shkatërrojnë iniciativën dhe kërcënojnë paqen, duke na dënuar me skllavëri dhe nënshtrim. Dhe kjo do të thotë vdekje e demokracisë.
Shteti dhe besimi i qytetarëve
Ne paguajmë taksa sepse besojmë se shteti do t’i përdorë ato për përmirësimin e cilësisë së jetës sonë. Por, kur korrupsioni dhe krimi i organizuar dominojnë, ky besim humbet. Funksioni i drejtësisë nuk është vetëm të ndëshkojë, por edhe të përhapë besim, siguri, ndërgjegje dhe motivim. Drejtësia është ajo që e mban të gjallë shtetin dhe organizmat e tij.
Kur drejtësia dështon, korrupsioni lulëzon, duke kërcënuar lirinë, pronën private, tregun dhe konkurrencën e lirë, shkencën dhe kulturën, zhvillimin ekonomik dhe vetë sigurinë e qytetarëve. Në këtë mënyrë, demokracia kthehet në farsë, ndërsa qytetarët në spektatorë të pafuqishëm të një sistemi të kalbur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



