Drejtësia nuk ngjizet brenda çimkave dhe si rrjedhim nuk do të lindë kurrë prej tyre.
Elona Caslli
Çimka e vendosur në trupin e një gruaje apo të një burri për të provokuar një burrë apo një grua tjetër, është forma më e ulët e denoncimit dhe iluzioni më i madh se ky është shtegu i duhur për të vënë drejtësinë në vend.
Le t’i shembim të gjitha institucionet, që në një vend normal mbajnë një shtet në këmbë, dhe t’i zëvendësojmë me një çimkë dhe kemi zgjidhur gjithçka.
Një grua a një burrë me një çimkë në xhep dhe zhduket korrupsioni dhe morali vihet në vend sa hap e mbyll sytë.
Mallkimi i këtij vendi që zgjati plot gjysmë shekulli dhe vazhdon ende sot është çimka dhe cilido qoftë kurbani i çimkës nuk është produkt drejtësie, por produkt i një moçali shoqëror që kutërbon erë.
Për mua nuk ishte e nevojshme të shihja performancën seksuale të një kryebashkiaku për të kuptuar se ajo performancë ishte paralajmëruar që në çastin që “””hamshori””” analfabet rilindas pohonte se kishte mbaruar ” Fakultetin e Ministrisë së Brendshme” dhe fushata e tij qe mbështetur veçse në një tallava mejhanesh dhe batuta të gaztorëve depresivë.
Performanca në fjalë është provë e pakundërshtueshme e dështimit të sistemit të drejtësisë në këtë vend. Jam krejt e bindur që do të mjaftonte një kontroll i detajuar në Bashkinë e Kukësit për te gjendur atje qindra shkelje të cilat do të shërbenin që studenti i dikurshëm i
” Fakultetit të Ministrisë së Brendshme” të gjendej përballë drejtësisë prej kohësh dhe jo në rolin e “hamshorit të dështuar”. Do të mjaftonte veçse një verifikim i pasurive të ” hamshorit” për të kuptuar se performanca seksuale ishte thjesht një akt përmbyllës i një vargu skandalesh që mbajnë firmën e ” hamshorit”
Besoj fort se situatat e provokuara nga çimkat i shërbejnë kujtdo veçse parimit të drejtësisë jo. I shërbejnë ndoshta qënies mediokre që në të përditshmen e tij vë veshin te muri për të dëgjuar se çfarë ndodh në shtëpinë e fqinjit në pamundësi për të pasur një kamerë në shtëpinë e tij.
I shërben ndoshta një pseudogazetari që mban portalin e tij me gjobat për shfaqjen
ose jo të një lajmi.
I shërben kryeministrit për të zhvendosur vëmendjen nga skandale të tjera dhe për të gatuar një çorbë derrash me të cilën turma do të ushqehet për disa ditë.
Post Scriptum- Video me performanca seksuale është veçse një ripohim i dështimit të drejtësisë dhe provë e pakundërshtueshme se Drejtësia nuk ngjizet brenda çimkave dhe si rrjedhim nuk lind kurrë prej tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



