E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Duam Bashën, apo urrejmë Ramën?
Publik News

Duam Bashën, apo urrejmë Ramën?

Nga kampi i opozitës ka festë. Pritjet e Bashës kudo tregojnë se mbështetja ndaj tij është masive. Jo vetëm në zonat e ashtuquajtura blu, por dhe brenda “palcës” së kuqe, psh në Vlorë, Fier e Korçë, Lulëzim Basha ka ngjallur entuziazëm.

Vërehet një simpati ndaj figurës së tij dhe sigurisht për PD dhe opozitën. Shumë analistë dhe specialistë sondazhesh nuk e prisnin këtë frymë, në këtë shkallë. Shkonin deri një barazim mes forcave politike të krahëve. Askujt psh nuk i binte ndër mend se Basha do pritej si hero në Elbasan, apo në Fier, pra brenda gardhit socialist.

Në pamjet televizive vihen re turma që shfaqin gëzim, shpresë dhe padurim. Jo më kot slogani më thelbësor ka të bëjë me ditët. Ngelën edhe 40 ditë, ngelën dhe 39 ditë… janë lajtmotivi i fjalimeve të Opozitës.

Kjo pamje gjen shpjegim te lodhja 8 vjeçare e njerëzve prej kësaj qeverie, tek bilanci negativ i saj, por edhe te programi i opozitës. Ose më mirë te serioziteti i fushatës së saj. Është futur brenda kornizës së normalitetit. Premton çfarë do bëjë dhe si do mbyllë honet e greminës që po le pas qeveria e sotme. Dhe kryesorja; simpatia po fitohet prej drejtimit të fushatës nga Basha. Një drejtues që nuk hiqet si lider. Shfaqet si i barabartë mes drejtuesve të koalicionit, me ligjërimin të zakonshëm, pa rrena, pa bujë e pa premtime të tipit, do bëj aerodrom kudo. Një njeri i thjeshtë që rrezaton besim dhe siguri.

Shqipëria ka mbërritur në një çast që më shumë se çdo gjë ka nevojë për normalitet. Na duhet një shoqëri normale, me kryeministër e ministra normalë, që flasin shtruar, që shkojnë në zyra, që kanë personalitet e nuk shfaqen si zv/ministra të kryeministrit.

Shkurt populli po i afrohet Bashës se e lodhi dhe e acaroi propaganda e Ramës. E mërziti stili i tij me arrogancën në themel, me përbuzjen ndaj popullit, me grabitjen e pasurive të vendit, me nënshtrimin e gjykatave dhe me dekorin fals të drejtimit. Rama në këto vite bëri atë që di më mirë, provokoi popullin.

Dhe u trimërua nga që krahët ia mbuloi një polici militante politike dhe një oligarki e majmur. Aq larg shkoi sa për muaj e muaj nuk hyri as në zyrë e nuk veshi as kostum. U dalldis rrugëve të vendit e të botës majë atleteve dhe brenda çitjaneve në emër të drejtimit me stil ndryshe. Dmth me stil trendy. E boll njerëz u mashtruan.

Ndërkohë vitet i mbylli me bilanc zero e nën zero. Në këto kushte egërsohet dhe rrit presionin mbi njerëzit e thjeshtë. Bashkë me deputetët e tij vegla, pjella të votave të vjedhura, krijon ligje për afera të pista. Ia del dhe rrit barrën ndaj njerëzve të varfëruar. Kur këta ngrihen ai i helmon me gaz e i rreh me shkop.

Jo më kot shtetet demokratike dhe organizatat ndërkombëtare shënojnë me minus çdo sektor të qeverisë. Rama merr vula të zeza nga kushdo për të mbërritur te ky muaj që do ia peshojnë me votë zullumet. E ka kuptuar ndaj sorollatet pa program, pa bilanc e pa dhënie llogari. Si në jerm premton ato që nuk bëri në 8 vjet. Heqje taksash, ngritje rrogash e pensionesh, aeroporte, porte, pritet të premtojë edhe anije kozmike.

Por sa më shumë mashtron aq më shumë njerëz afrohen te Basha. Sa më shumë merret me rakinë e Dashit, apo me “lolot” e aleatëve të PD sipas tij, aq më tepër rritet besimi i njerëzve te opozita.

Pas 25 ditësh shqiptarët do të votojnë. Po kuptohet për kë. Dhe më shumë do rritet mbështetja për opozitën. Jo vetëm se Basha ka një program,ka seriozitet dhe shfaq normalitet, por edhe sepse Rama rrëshqet në marrëzi çdo ditë.

Së fundi kreu edhe faj penal. U tha shqiptarëve se po të mos fitojë ai zgjedhjet nuk do ketë vaksina për Shqipërinë! Dhe njerëzit qeshin, dhe njerëzit tallen. Opozita të gjejë kohë e mundësi ta falënderojë Ramën që po punon për të.

Madje po punon me kapacitet të plotë. Faleminderit Edi, t’ia thotë Basha sinqerisht.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.