Dy fjalë për udhëzimet e Adriatik Lapajt.

 

Elona Caslli

Adriatik Lapaj synon që në një të ardhme të jetë alternativa shpresdhënëse për Shqipërinë. Nën sloganin ” Shqipëria bëhet” Adriatiku ka nisur një lëvizje( të sponsorizuar nga populli, sipas Lapajt) për ta bërë Shqipërinë. Krejt në rregull deri këtu.

Adriatik Lapaj me profesion është avokat. Doja të ndalesha te këndvështrimi që ka Lapaj për çështjen që tronditi mbarë opinionin publik disa ditë më parë, ku një vajze 3 vjeçe i thyhet këmba nga dhuna e ushtruar prej edukatores.

Qasja e avokatit Lapaj dhe njëkohësisht kandidatit për kryeministër në zgjedhjet e vitit 2025 në ligjëratë të drejtë është; Prindërit duhet të kapin prej gurmazi ( kllap) të gjithë punonjësit e shtetit që nuk kryejnê siç duhet detyrën dhe duhet të jenë po prindërit që duhet të kontrollojnë kopshtet private nëse kanë licencë apo jo.

Qasja e avokatit dhe kandidatit për kryeministër Lapaj për këtë çështje nuk është aspak serioze dhe dëshmon qartë një mosnjohje të realitetit shqiptar të cilin Lapaj zotohet se do ta ndryshojë.

Së pari, babai i vajzës 3 vjeçe ka treguar një pjekuri të skajshme me vetëpërmbajtjen e tij, pasi nëse do të kish ndjekur udhëzimet e Lapajt me siguri tani do të ishte në burg dhe vajza e vogël dhe bashkëshortja e tij do të gjendeshin krejt të vetme në këtë situatë të vështirë. I ka kushtuar jo pak vetëpërmbajtja babait të vajzës, por është provë urtie, pasi është më mirë të jetë pranë familjes së tij në këtë çast tejet të vështirë se në burg larg familjes së tij. Gjej rastin ta përshëndes urtinë e këtij burri dhe t’i uroj shërim të shpejtë vogëlushes

Së dyti, nuk i takon një prindi të verifikojë nëse një kopsht privat ka licencë ose jo. Pse nuk i takon?! Sepse prindi para se të jetë prind është taksapagues dhe paguan taksa për struktura të posaçme shtetërore të cilat hamendësohen të monitorojnë aktivitetin e bizneseve të ndryshme në vend. Prindi nuk zëvendëson dot shtetin dhe shteti nuk zëvendëson dot prindin në këtë proces. Policia prindërore sado me vullnet qoftë nuk zëvendëson dot një shtet.

Së treti, e hamendësojmë për një çast se prindi shkon në një kopsht privat dhe pyet nëse ky kopsht ka licencë ose jo. Pronarja e kopshtit i përgjigjet se kopshti ka licencë dhe i tregon me gisht një format A4 të varur mbi mur të futur në një kornizë për merak. Brenda kornizës mund të jetë një licencë e sajuar me një program kompiuterik që nuk ka asnjë ndryshim nga një licencë origjinale. Si ta dallojë prindi këtë?! Apo të lërë punën për një javë dhe të merret me vërtetësinë e licencës?! Paksa utopike si zgjidhje kjo.

Së katërti, ngjarja tronditëse e lartpërmendur nuk mund të përqëndrohet vetëm te një edukatore e dhunshme. Ka shumë struktura të përfshira në këtë ngjarje. Në një vend ku nuk të lënë të shesësh një tufë sallate në rrugë, të linkan të hapke biznes pa licencë?! Ku ka qenë shteti gjatë gjithë kësaj kohe?!
Në një vend ku nuk të lënë të bësh punime në shtëpinë tënde se të vjen policia bashkiake në derë, të lënë të hapësh biznes pa licencë?! Ku ka qenë shteti gjatë kësaj kohe?!

Së pesti, punët kurrë nuk janë zgjidhur me kapje gurmazi kllap siç sugjeron avokati dhe kandidati për kryeministër Lapaj.

Punët janë zgjidhur dhe do të zgjidhen veçse nëse bëhet një analizë e detajuar e situatës dhe vihen para ligjit struktura shtetërore që ka pasur detyrën të identifikojë biznesin pa licencë, ata që u munduan të fshihnin provat e mandej edukatorja. Ka një zinxhir përgjegjësish në këtë histori.Duhet dënuar i gjithë zinxhiri dhe jo vetëm edukatorja. Nëse dënohet vetëm edukatorja, do të kemi përsëri një histori të ngjashme pas pak kohësh.

Post Scriptum- Në librat e shenjtë thuhet; Atje ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje ligji.
Për fat të keq ky është realiteti tragjik shqiptar.

 

Publikuar nga Publik Media