E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dy fjalë qytetarie për kandidaten më të re të PS-së  zonjën Bozo
Publik News

Dy fjalë qytetarie për kandidaten më të re të PS-së zonjën Bozo

Elona Caslli

Zonja Bozo pata mundësinë të dëgjoja komentin tuaj lidhur me ftesën e kryeministrit për të kandiduar për zgjedhjet e 25 prillit.

Në komentin tuaj ju nënvizuat faktin, se populli shqiptar i ka sytë në ballë dhe do të jetë i aftë që në zgjedhjet e 25 prillit të bëjë dallimin mes njerëzve që punojnë dhe atyre që nuk punojnë.

Do të doja të ndalesha pikërisht tek fjala
” punë” zonja Bozo dhe t’ju bëja disa pyetje mbi këtë fjalë.

A e keni parë zonja Bozo se ç’punë është bërë në qendrën e Tiranës?!
Në cilin kryeqytet të botës ndodh ky makabritet ndërtimor?!

Ju duhet ta dini mirë këtë gjë, pasi duke qenë pedagoge në fushën e inxhinierisë së ndërtimit, duhet të keni një ndjeshmëri më të lartë në raport me qytetarët e thjeshtë.

Në cilin kryeqytet të botës ndodh zhdukja e qendrës historike?!

Nuk ndodh në asnjë kryeqytet. Nuk ndodh as në një shtet që nuk ka mbushur ende dy dekada, si Kosova.

Kjo histeri ndërtimore ndodh vetëm në Tiranë, zonja Bozo dhe ju e dini fort mirë këtë.

Histeria në fjalë mban firmën dhe vulën e kryeministrit dhe kryebashkiakut të këtij vendi.

Kryebashkiaku nuk është një figurë e panjohur për ju. Ju kemi parë shpesh të pozoni pranë tij në foto të ndryshme familjarisht.
Çfarë dua të them me ndajfoljen
” familjarisht”?!

Vajza juaj me profesion arkitekte, shihet shpesh pranë kryebashkiakut, kur ky i fundit shkon të inagurojë shtëpitë e rindërtuara nga tërmeti.

Me pak fjalë, marrëdhënia juaj me Partinë Socialiste nuk është aq e distancuar sa ia servirni ju opinionit publik, sikundër edhe ftesa e kryemimistrit nuk është kryekëput
” një rastësi e mirëfilltë”.

Ju pohuat se nuk keni qenë kurrë anëtare e asnjë partie dhe se nuk do të bëheshit anëtare dhe po të kandidonit për Partinë Socialiste. Kryeministri kish qenë aq mendjehapur, sa nuk jua kishte kërkuar këtë gjë.

Në të vërtetë, nderi që po i bëni Edi Ramës është nder jetik dhe mund t’ia lejoni vetes mos të anëtarësoheni në Partinë Socialiste.

Edi Ramës, po i gjendeni pranë në çastin më kritik dhe po i dhuroni ose më saktë po bëni kurban 80 vite jetë mbi tokë, vetëm për Edi Ramën dhe vazhdimësinë e Erion Veliajt.

Nuk është gjë e pakët të vësh emrin prej akademikeje në funksion të një force politike që ka dëbuar 470.000 shqiptarë nga vendi dhe ka betonizuar një kryeqytet të tërë.

Kryemimistri në detyrë, duke mos pasur asnjë bilanc të tetë viteve qeverisjeje, po e ngre fushatën e tij mbi dy çështje- mbi fatkeqësinë natyrore dhe mbi pandeminë dhe për këtë arsye u zgjodhët ju dhe zonja Çomo në listën e deputeteve.

Lind pyetja;- Nëse nuk do të kish pasur tërmet dhe nëse nuk do të kish pasur pandemi mbi ç’baza do kish kërkuar Edi Rama mandatin e tretë?!

Zonja Bozo, ju pohuat se shumë dëme mund të ishin shmangur nga tërmeti, nëse ndërtuesit do të kishin respektuar kriteret e duhura në nďërtim.

Nuk kemi asnjë firmë ndërtimi të penalizuar apo inxhinier ndërtimi të dënuar lidhur me çështjen në fjalë.

Megjithatë, këtë çështje ju e kapërcyet dhe thatë se rindërtimi do të bëhej seriozisht, pasi firmat e ndërtimit ishin serioze. Me pak fjalë, askush nuk do të mbajë përgjegjësi për çështjen e cilësisë së ndërtimit në të shkuarën.

Ju pohuat se kishit pranuar ftesën e kryeministrit për të ndihmuar popullin shqiptar.

Jo, zonja Bozo! Ju këtë gjë po e bëni për Edi Ramën dhe për familjen tuaj.

Nëse do të kishit pasur një grimë dhembshurie për popullin shqiptar, do t’ju mjaftonte pamja e qendrës së Tiranës, për të mos i dhënë mbështetjen tuaj Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Thonë se kur padrejtësia kryhet nga njeriu i ditur, është e barabartë me thikën që dikush i ngul një njeriu poshtë mantelit.

Me pak fjalë, thika juaj rëndon jo pak mbi kurrizin e këtij populli.

Post Scriptum- Karakteri nuk matet me intelekt, por me zemër. Pjekuria nuk matet me moshë, por me qëndrime. Qytetaria nuk matet me tituj shkencorë, por me mendim kritik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.