E shkreta ti, o Republikë!
Poeti Trifon Xhagjika u pushkatua nga regjimi komunist në moshën 31 vjeçare. Sot, është përvjetori i 89 i lindjes së tij.
__
Kënga e Verbër
E shkreta ti, o Republikë
u blatohesh të zotërve
pa e ditur ç’janë.
Dritën ta shuajnë në terr
e ditën ta ndezin;
bukën ta shtrojnë në sofër
e duart t’i presin;
në burim të çojnë
e gojën ta mbyllin.
Ata të kthyen në metelik!
E shkreta ti, o Republikë,
e çmendura ti, o Republikë,
gënjeshtarja ti, o Republikë,
kusarja ti, o Republikë!
Me emrin tënd, të vjedhin jetën.
…
Turp,
Atdhe!
S’dua të di kush je!
Tek ty jam
I lirë pa liri,
I gjallë i pajetuar,
I vdekur i pavarrosur.
O vendi im
O Republikë!
Në ç’rrugë po ecën tani
me duar të gjakosura,
me sy të çuditshëm?
Vetë jeta çudinë ta zmadhon
e të ardhmen ta shuan.
E pikëlluar
mashtrimi i buzëqesh.
Shko!
Shko, o Republikë!
Mua më duhet të eci në rrugën time.
Nga nata ilegale
ku ndrydhen qëllimet,
të dal në ditët e të ardhmes,
të ngre flamurin e besimit tim.
Aty
të shkruar e kam biografinë,
të pastër e pa njolla.
Dhe ti, o Republikë,
e gjora Republikë,
do të jesh përsëri me mua.
Po tani,
të të pështyj unë dua,
se ti nuk pate turp
të mbytësh historinë.
Me këtë këngë të verbër
të ngre në gjyq,
në gjyqin e të heshturve.
Ç’të të këndoj më? Trishtimi po më mbyt.
Lodhja dorën ma përshkon.
Por tërbimin nuk e ndal dot.
Jo!
Nuk mundem të të fal.
Gjuha m’u zgjidh.
Vramë po të duash.
Në netët e tua të gjakosura
do të dëgjosh zërin tim:
“Të urrej o Republikë,
lavire e zotërve gjakprishur!”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



