E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Edi i Zejqinesë
Lajme

Edi i Zejqinesë

Ermal Mulosmani

Në jetë kemi takuar shumë gango të fortë që identifikoheshin përmes emrit të nënës. Psh Beni i Havasë, Dori i Mjaftimes apo Luli i Sanies. Ua vinin nofkën kur ishin të vegjël, në mëhallë, pasi emri në vetvete i vocërrakut mistrec nuk kishte akoma identitet.

Ndërsa nëna po, ajo ishte e famshme.

Ndër gratë e mëhallës, Havaja, Mjaftimeja dhe Sania ishin ato që të merrnin gjak në vetull. Ato shanin me fjalët më të ndyra, bërtisnin me zë të lartë, vishnin rroba burrash dhe ishin burimi i të gjitha thashethemeve me fantazi erotike dhe jo vetëm.

Zakonisht të tillave në u ruheshim shumë si fëmijë pasi na turpëronin:

“Të paskan ra dhëmbët, ua paske parë plakave” – i thonin një fëmije 7-8 vjeçar duke e bërë të skuqej deri në rrrëzë të qafës vogëlushin.

Batuta vulgare shoqërohej edhe me një zgërdhirje të gjatë ironike të një rrethi më të gjerë. Ato të merrnin erzin! Ishte një luftë e pabarabartë sepse atyre nuk kishe çfarë tu merrje.

Edhe burrat e mëhallës u ruheshin atyre. Dorëzoheshin para banalitetit, paturpësisë, shëmtisë dhe mpiheshin të turpëruar. Fakti që askush nuk kishte interes seksual për to u shtonte etjen për hakmarrje. Prej tyre buiste veç paturpësi dhe provokim. Nëpër qyteza të vogla apo fshatra gjenden boll të tilla.

Ne i quanim llaxore, një term që përmblidhte pamjen dhe fjalorin, banalitetin dhe injorancën. Atyre iu ruheshim siç iu ruheshim të çmendurve.

Sepse banaliteti të lë pa fjalë. Ti mendon se çfarë përgjigje t’i kthesh por, befas kupton që je inferior. Është mospërvoja jote në banalitet dhe rrugaçëri që të bën të shmangesh.

E sheh veten të pafuqishëm dhe i hap rrugën.

Zejqineja është fiks një ndër to. Ajo është përzgjedhur të shajë rrugëve si e marrë. Fiks si Havaja, Sanija apo Mjaftimja. Përreth Zeqijnesë gjithmonë janë edhe shoqet. Ato qeshin me një qeshje të stisur e sforcuar si në filmat e socrealizmit. Batutat e Zejqinesë janë të tilla që të bëjnë të vjellësh. Bash ky është suksesi i saj, rëndomësia.

Të gjithë thonë me vete: “Eh, ne mund të ishim Zeqineja”! Dhe kënaqen. Me shpresë se koha është e tyre. E bëjnë like dhe share….

Mjaftimja, Sanija apo Havaja e dikurshme do të ndiheshin të fyera për nivelin. Ato qahen me vete për kohën e humbur. “Ahh, të ishim ne në kohën e saj” – thonë me të drejtë. Do të bëheshim Ministre, deputete.

Zejqineja ka djalë Edin. Edi do të mbahet mend si Edi i Zejqinesë. Ajo është stari i fushatës, Edi është thjesht djali i saj. Ndërsa ne jemi mëhallxhinjtë që kemi mbyllur derrën e presim kur të na ikin nga mëhalla këta të çmendur!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.