E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Edi Rama, 11 vite luftë gjyqësore për të pastruar imazhin e njollosur nga skandalet!
Lajme

Edi Rama, 11 vite luftë gjyqësore për të pastruar imazhin e njollosur nga skandalet!

 

 

Ndonëse nuk ka arrestime dhe persekutime, Shqipëria duket se po kthehet dalëngadalë në një Turqi të vogël, të paktën sa i takon fjalës së lirë. Edi Rama ka afro 11 vite në pushtet dhe kjo është qeveria që është përballur me shumë skandale. Megjithëse kohët e fundit Rama e ka bërë të modës duke e kthyer në individual fajin, janë jo të pakta rastet kur del emri i kryeministrit dhe emrat e familjarëve të tij. Por, sa herë që dikush përmend emrin e tyre, duket se Rama dhe njerëzit e tij e kanë gjetur zgjidhjen: Padi në gjykatë.

Rasti më i fundit ishte ai i vajzës së bashkëshortes së tij, Rea Xhillari, e cila ka paditur Sali Berishën dhe disa deputetë të tij. Shkak i padisë ishte një deklaratë e Berishës, që akuzonte thjeshtrën e Ramës se ka përfituar tenderë përmes kompanisë ku punon. “Thjeshtra e parë e vendit, vajza e familjes Rama, ka përfituar nëpërmjet kompanive ‘51N4E’, një studio belge në të cilën ka qenë e punësuar Rea Xhillari. E vërteta është se kompania ‘51N4E’, ‘I Riu’ dhe kompani të tjera të lidhura direkt me thjeshtrën e parë kanë fituar 2.9 miliardë lekë tendera”, shprehej Berisha.

Ajo që ngjall habi është se akuzat e tij janë bërë në vjeshtën e vitit që lamë pas, pse u kujtua tani Rea ta padisë? Por kjo duket se është një metodë e njohur e familjes Rama.

Të njëjtën rrugë po ndjek dhe vëllai i tij. Përveç Reas, pak javë më parë doli në skenë dhe emri i Olsit, pasi, sipas Gazment Bardhit, është një ndër personat e përfshirë te laboratori i drogës në Xibrakë. Rama nuk i ka ndalur sulmet ndaj Bardhit, teksa Olsi u rropat dyerve të SPAK, duke na mbushur mendjen se ka paditur penalisht Bardhin, ndërkohë nuk bën padi civile në gjykatë. Ndërkohë, duhet theksuar se emri i Olsit është përmendur në shumë raste të tjera, përfshirë këtu lidhjet me Amant Josifin e skandalit me Call Centerat, apo bastet sportive.

Por padyshim numrin më të madh të padive e mban Edi Rama. Që kur mori pushtetin, kryeministri nisi një betejë ligjore me deputetët e PD. Të gjithë e mbajmë mend kur paditi Edi Palokën dhe Arben Ristanin dhe shkonte në Gjykatën e Lartë në çdo seancë, duke premtuar se paratë do i çonte për shkollat. Janë shumë deputetë të PD të paditur prej tij, edhe pse shumica patën të drejtë.

Por kulmin Rama e ka arritur me ata që ja thonë të vërtetën në sy. Një ndër ta është Ramush Haradinaj, të cilin e paditi kur ai ishte kryeministër i Kosovës. Një padi skandaloze që minoi raportet mes dy vendeve. Arsyeja e padisë ishte se Haradinaj e akuzoi se po nxiste shkëmbim territoresh, gjë që më pas doli sheshit. Plan ky i gatuar me Grenell dhe Thaçin.

Po ashtu, kryeministri tentoi të padiste dhe mediat ndërkombëtare, por aty u tërhoq se e kuptoi se nuk i kishe në xhep gjykatat. Të parët që ja plasën në sy ishin gjermanët. ‘Bild’ nxori përgjimet e dosjeve 339 dhe 184, ku dilte dhe Rama. Ky i fundit kërcënoi me padi, por u tërhoq. E njëjta gjë ndodhi dhe me “Rain”. Italianët treguan lidhjet me narkotrafikantët. I kërcënoi me padi dhe u tërhoq në fund.

Por, shuplaka më e madhe ndaj Ramës ka ardhur në vitin 2015. Në media doli një raport konfidencial i OSBE, ku deklarohej se Rama kishte pasuri 200 mln euro të fshehura përmes kompanive “offshore” në SHBA. “Edi Rama (PS): Kryetar i PS, Kryetar i Bashkisë së Tiranës 2000 – 2011 dhe tani Kryeministër. Është folur shumë në lidhje me dyshimet për përfitimin e një tarife për lejet e ndërtimit, me rreth 10 – 20 % të vlerës së ndërtesave. Shumë i kujdesshëm për të operuar nëpërmjet personave të tretë, ai ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në korrupsion apo krime. Pasuria e tij përflitet të jetë rreth 200 milionë euro, të investuara në kompani “offshore” përmes vëllait të tij, Olsit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruhej e zeza mbi të bardhë në këtë raport.

Ky raport solli përplasje të forta me OSBE, ku ambasadori u “dëbua” dhe u diskreditua. Madje u arrit deri aty sa po mendohej që Shqipëria të dilte nga OSBE.

Nuk po përmendim këtu bëmat e tjera, si afera McGonigal, fotoja e famshme 80 mijë dollarë me Obamën, apo arrestimet e ministrave. Për këto nuk ka hedhur njeri në gjyq. Pra, që kur ka marrë pushtetin, Rama duket se e ka kaluar shumicën e kohës gjyqeve, duke tentuar të lajë imazhin e nxirë nga aferat korruptive.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.