Egnatia mbyll ëndrrën Champions pas penalltive
Pas barazimit 3-3 në ndeshjen e parë, Egnatia barazoi 2-2 ndaj Celje në ndeshjen e kthimit, por rrogozhinasit u mposhtën 4-2 në pika e bardhë e penalltisë.
Sfida u zhbllokua në minutën e 21-të, ku pas një kundërsulmi të shpejtë të Egnatias dhe krosimit të Lukili, ishte Daniel Adjesa që goditi me kokë, por topi u devijua nga qendërmbrojtësi vendas, Darko Hrka dhe përfundoi në portë.
Në minutën e 34-të, vendasit gjetën golin e barazimit me Mario Kvesiç, i cili ekzekutoi një goditje përfekte dënimi. Kvesiç shënoi dy gola në barazimin 3-3 në Rrogozhinë, një javë më parë. Pjesa e parë u mbyll 1-1.
Celje e nisi më mirë pjesën e dytë dhe pati një rast të pastër shënimi me Armandas Kucis në minutën e 53-të, por portieri Dajsinani bëri një pritje shumë të mirë.
Minutat në vijim ishin të qeta dhe pa ndonjë rrezik serioz për të dyja ekipet. Koha e rregullt u mbyll 1-1. Ndeshja shkoi në shtesën prej 30 minutash.
Në minutën e 95-të, Eneo Bitri shkaktoi një faull brenda zonës pas ndërhyrjes së gabuar ndaj Rudi Pozeg. Arbitri dha penallti. Goditi Kvesiç, topi përfundoi në rrjetë dhe Celje kaloi në avantazh 2-1.
Në minutën e 114-të, Egnatia barazoi shifrat. Me një aksion model dhe krosimit të Edison Ndrecës, ishte Geralb Smajli që dërgoi topin në rrjetë me një goditje të bukur brenda zonës.
Rezultati pas 120 minutash lojë u mbyll 2-2 dhe ekipet iu drejtuan pikës së bardhë të penalltive.
Kështu, Egnatia i jep fund rrugëtimit Champipns League. Kampionët e Shqipërisë kalojnë në fazën e 3-të kualifikuese të Ligës së Europës ku do të përballen me skuadrën irlandeze të Shamrok Rovers. Në rast disfate, rrogozhinasit sigurojnë “play-off” e Ligës së Konferencës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



