E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ej, ju du fort vëllai. Kush e mban mend “BILD” ?!
OP-ED

Ej, ju du fort vëllai. Kush e mban mend “BILD” ?!

Kush e mban mend që ka qenë dikur një “Bild” që i nxirrte lakuriq pusht-etarët e Tiranës? Kujt i kujtohet që ka qenë dikur një kohë kur dilnin përgjimet për pusht-etarët e zinj të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë të cilët shfaqeshin ngushtësisht të lidhur me kartelet e drogës dhe me trafikantët më të rrezikshëm dhe me cunat problematikë të Shqipërisë? Kujt i kujtohet sesi dilnin zyrtarët më të lartë të Shtetit duke falenderuar trafikantët për mbështetjen e tyre të madhe? Kujt i kujtohet që atëherë ka patur një opozitë që për pak desh na nxorri të gjithëve në shesh dhe desh na e mbushi mendjen se kjo qeveri e krimit do të largohej me cdo cmim? Kush e mban mend që desh e hëngrëm të gjithë, për pak, se do ta rrëzonim qelbësirën me gjithë mend? Kujt i kujtohet se për pak desh e hëngrëm të gjithë se nuk do të bëheshin zgjedhje lokale? Kush e mban mend atë kohën kur njerëz të ndershëm, të varfër, të lodhur nga regjimi, me parti, pa parti, të angazhuar dhe të paangazhuar vinin nga e gjithë Shqipëria dhe derdheshin në Tiranë, me shpresën dhe dëshirën e madhe për të rrezuar regjimin kriminal të Edi Ramës? Kush i mban mend ato zemra të cilat vinin në Tiranë nga cepat më të largët të Shqipërisë dhe ishin të vendosur për të mos u kthyer në shtëpi pa rënë regjimi Kriminal i Rilindjes?

Kujt i kujtohen “kriminelët” që hidhnin “Molotov” tek dera e kryeministrisë? Kush i mban mend ato kohëra kur ato vajza heroina rrezikonin të ardhmen e tyre dhe shkruanin slogane poshtëruese tek dyert e hyrjeve ku banonin burokratët gënjeshtarë të Evropës, sa herë ata mbështesnin hapur regjimin criminal të Rilindjes?  Kush e mban mend atë kohën kur të gjithë desh e hëngrëm se këtu mund të ndodhte hataja, nëse Edi Rama do të merrte të gjitha pushtetet? Kujt i kujtohet ajo koha kur desh e hëngrëm të gjithë se do të digjeshin qendrat e votimit dhe se nuk do të kishte qen bir qeni që do të guxonte të afrohej tek qendrat e votimit për të votuar në një process farsë? Kush e mban mend atë kohën kur desh e hëngrëm të gjithë, se Rama nuk kishte asnjë mundësi të merrte të gjitha bashkitë e Shqipërisë në tavolinë? Kujt i kujtohet ajo koha kur desh e hëngrëm të gjithë se në Shqipëri mund të ndodhte Luftë Civile? Kujt i kujtohet ajo koha kur desh e hëngrëm të gjithë se do të dilnin disa përgjime të tjera? Kush e mban mend atë kohën kur për pak desh e hëngrëm të gjithë se faktori ndërkombëtar na i ka të gjitha fajet? Kujt i kujtohet ajo koha kur shanim ndërkombëtarët e poshtër sepse nuk na lejojnë të besojmë tek e keqa më e vogël? Kush e mban mend atë kohën kur ne desh e hëngrëm të gjithë se akullojra e Durrësit Vangjush Dako do të shkonte pas prangave? Kujt i kujtohet ajo koha kur të gjitha mediat e Ramës flisnin për burgun e vip-ave që është bërë gati për Ilirin dhe Saliun? Kush e mban mend atë kohën kur ne desh e hëngrëm të gjithë se do të dalin përgjimet e “Santa Quaranta”-s dhe se do të shkatërroheshin familje të tëra? Kujt i kujtohet ajo koha kur ne desh besuam të gjithë se do t’i shihnim zyrtarët e lartë të shtetit të përgjuar duke bërë seks me dashnoret e tyre dhe shpejtonim të bënim parashikime me fantazi të shfrenuar se si mund të jetë vallë mënyra e qejfit të skllavopronarëve të Shqipërisë?

Kush e mban mend atë kohën kur ne desh e hëngrëm të gjithë se Rama kishte rënë, apo se kishte mbetur edhe 24 orë që të binte, apo ishte punë orësh e minutash? Kujt i kujtohet ajo koha kur shqiptarët dhe opozitarët e ndershëm të këtij vendi ishin të gatshëm të hynin në burg vetëm që të shpëtonin vendin prej regjimit kriminal të Edi Ramës, sepse ata besonin plotësisht tek cështja e tyre? Kush e mban mend atë kohën kur desh na e futën sa krahu dhe për pak fare mund të besonim se përplasja e kastës së ferrit në Tiranë, këtë herë ishte shumë seriozisht? Kush e  mban mend atë kohën kur ne besonim se tani që Presidenti i Republikës e zbuloi Sorosin dhe e përmendi me zë e me figurë, do të vinte zoti Trump dhe do të dërgonte Fregatën e Shatë të Marinës Amerikane për të na ndihmuar që të shpëtojmë prej hajdutit dhe spekulantit më të madh në botë, armikut të tij personal? Kush e mban mend atë kohën kur gazetarët dhe analistët më të njohur të ekraneve shqiptare, desh e hëngrën të gjithë sa krahu dhe desh besuan se kjo ishte pikërisht koha kur Rama do të binte dhe se nuk kishte më asnjë dyshim në këtë? Kush e mban mend që ne bashkë me analistët desh e hëngrëm për një moment se Gjykata Kushtetuese do të ishte gati në Korrik dhe do të jepte verdiktin për zgjedhjet e 30 qershorit, sepse kështu e tha miku ynë i madh zoti Palmer? Kush e kujton atë kohën kur për pak desh e hëngrëm të gjithë se këtu do të ndryshojë sistemi, Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor? Kujt i kujtohet se ne desh e hëngrëm për pak se pushtetarët e ferrit të Tiranës, ndoshta kishin reflektuar vërtetë dhe mund të ishin të gatshëm që në këtë vend të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas një ligji elektoral i cili i hap rrugën formulave që e pastrojnë Parlametin prej kriminelëve, idiotëve dhe injorantëve dhe i clirojnë partitë nga diktatura e listave dhe e kryetarëve? Kush e mban mend atë kohën kur ne të gjithë desh e hëngrëm dhe desh besuam se do të ketë zgjedhje në 13 Tetor, edhe për bashkitë, edhe për Parlamentin edhe për Presdientin? Kujt i kujtohet ajo koha kur të gjithë ne, desh e hëngrëm për pak, se do të hapeshin negociatat për integrimin evropian?

Kujt i kujtohet ajo koha kur ne të gjithë, desh besuam për pak se Rama dhe Basha-Meta-Mona-Berisha kanë hyrë tashmë në një përplasje pa kthim? Kush e mban mend atë kohën kur ne, për pak fare, desh e hëngrëm dhe besuam se e lindi përfundimisht kjo tokë një tjetër Avni Rustem nga Skrapari që mund ta kërcënonte seriozisht Esat Pashën e Surrelit? Kujt i kujtohet ajo koha kur ne të gjithë besuam se do të ndryshojë sistemi dhe një epokë e re mund të lindte në këtë vend? Kush e mban mend atë kohën kur ne mund te besonim se flutura nuk ka fare fshikëz, por nuk do ta besonim se Xhelal Mziu i Kamzës do të shprehte vullnetin për t’i lëshuar Ramës zyrën e bashkisë? Kujt i kujtohet ajo koha kur na bëhej mishi kokërr prej statuseve frymëzuese të njëri tjetrit dhe prej protestave madhështore dhe të gjithë besonim me shpresë të madhe se këtë herë Rama vërtetë kishte rënë? Kush e mban mend kur na ftonin nëpër studio e televizioneve dhe ju premtonim si idiotë të ditur shumë, se nuk kishte asnjë mundësi që këtë herë të ishte sërish një film, packa se për nevoja të profesionit, merrnim poza dyshuesish, thjesht sa për të qenë brenda? Kush e mban mend atë kohën, kur ne desh besuam për pak, se këtë verë do të zgjidhim përfundimisht hallet e Shqipërisë dhe se askush nuk do të bëjë plazh?

Tani, e di që u kujtuat, por mbaroni njëherë plazhin dhe flasim prapë seriozisht ne shtator. Shpresa vdes e fundit, gjithësesi.

Ej, ju du fort vëllai, kush e mban mend “BILD”?/

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.