Eksperti: Ja kush janë ata që e dinë çfarë ndodhi me Vis Martinajn
Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka folur sërish mbi çështjen e pazbardhur të Ervis Martinajt, duke theksuar se një pjesë e së vërtetës për fatin e tij mund të fshihet brenda mureve të burgjeve shqiptare.
Karamuço u shpreh se autoritetet duhet të ndjekin praktikat e vendeve të tjera, ku informacione të vlefshme për raste të ngjashme mblidhen pikërisht nga dëshmitë dhe bisedat e të burgosurve.
“Në shumë shtete, burgu është vendi ku flitet më shumë se në dosje. Edhe në këtë rast, mund të ketë persona që kanë qenë dëshmitarë, ose që kanë dëgjuar detaje që mund të ndihmojnë në zbardhjen e historisë. Ato që thuhen në burgje janë shpesh më afër së vërtetës se sa ajo që shkruhet në letra,” – tha ai.
Sipas Karamuços, hetimet e deritanishme mbi zhdukjen e Martinajt kanë hasur në kufizime për shkak të mungesës së të dhënave të plota nga platformat e komunikimit të kriptuara si SKY, ENCRO dhe Matrix. Ai shtoi se informacionet që ekzistojnë janë të pjesshme dhe nuk mbulojnë periudhën e plotë të interesit për hetuesit.
Eksperti ngriti gjithashtu një pikëpyetje të fortë mbi faktin se pas zhdukjes së Martinajt, disa figura të njohura të botës së krimit që më parë kishin mbrojtje të fortë, papritur mbetën pa sigurim personal.
“Ka persona që, përpara zhdukjes së tij, lëviznin me truproja dhe nën masa sigurie. Pas një periudhe të shkurtër, këto masa u hoqën. Pyetja është: kush ua dha garancinë? Dhe pse?” theksoi Karamuço, duke shtuar se policia dhe prokuroria vijojnë hetimet paralelisht, por ende nuk ka prova që të vërtetojnë nëse Martinaj është gjallë apo jo.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


