‘Elbit Systems’/ NATO e nxjerr nga dera, ne e marrim nga dritarja
Gazetari Andi Tela ka komentuar skandalin më të fundit që përfshin kompaninë izraelite të armatimit “Elbit Systems”, me të cilën qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama kanë nënshkruar disa kontrata për blerjen e pajisjeve ushtarake.
Sipas Telës, “Elbit Systems” ndodhet aktualisht nën hetim nga autoritetet belge në kuadër të një skandali të gjerë korrupsioni që ka prekur Agjencinë e Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s (NSPA). Ai tha se kjo situatë ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si qeveria shqiptare ka marrë vendimet për blerjen e armëve dhe përzgjedhjen e kompanisë fituese.
Tela sqaroi se, ndryshe nga shumë industri të tjera, tregu i armëve është i kontrolluar pothuajse plotësisht nga marrëveshjet shtet-më-shtet, çka e bën më të sigurt dhe më të parashikueshëm. “Negocion me shtete, negocion vetëm me qeveri… je i sigurt për atë që shesësh dhe paratë që merr,” tha ai.
Ai solli edhe shembuj të korrupsionit të nivelit të lartë me të cilët janë përballur organizata të mëdha ndërkombëtare.
“Ka biznes për McGonigalin, ka biznes për Mogherinin. Tani është edhe biznesi i armëve. Teknologjia është sektori që xhiron më shumë para në botë, pas saj vijnë energjia, farmaceutika dhe shëndetësia, ndërsa armatimi është i katërti. Por, ndryshe nga tre të parët, është biznesi më i sigurt, sepse negocion vetëm me qeveri,” u shpreh Tela.
Ai nënvizoi se edhe vetë NATO zhvillon tendera të rreptë për të përzgjedhur kompaninë më të përshtatshme, dhe se korruptimi i ish-zyrtarëve të lartë është një fenomen i dokumentuar në disa raste.
“Nëse këto ndodhin në NATO, imagjinoni çfarë mund të ketë ndodhur këtu. Por këtu nuk ka pasur garë. Nuk është hapur një procedurë ku kompani të ndryshme të shprehnin interes. Është përzgjedhur një kompani izraelite dhe kaq,” shtoi ai.
Tela vuri në dukje se publiku nuk ka asnjë informacion të qartë se çfarë po blihet konkretisht: fishekë, dronë, helikopterë apo pajisje të tjera. “Ne dimë vetëm që qeveria ka vendosur të lidhë një marrëdhënie me një kompani izraelite të armatimit. Asgjë tjetër. Jemi të paqartë për gjithçka.”
Ai theksoi se në shumë vende të botës kontratat e tilla janë të klasifikuara, gjë që i vështirëson hetimet, përfshirë edhe mundësinë që prokuroria të nisë një procedim kryesisht.
“Duhet të dimë pse po e bëjmë këtë, cilat janë arsyet dhe cili është përfitimi i secilës palë,” u shpreh ai, duke shtuar se kontratat e NATO-s janë transparente në pjesën e çmimeve, ndryshe nga marrëveshjet direkte të qeverive.
Në fund, Tela theksoi në “Syri TV” edhe paradoksin e situatës: “Ne kemi një kompani që NATO e ka nxjerrë nga dera, ndërsa ne e marrim nga dritarja. Kryeministri ka më shumë informacion se të gjithë ne. Ai e ka ditur që në korrik se kompania kishte probleme me NATO-n. Por, duke qenë se ai vendos për gjithçka, mbase këto detaje nuk kanë rëndësi për të.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



