EMRAT/ Aksident tragjik në Itali u merr jetën dy të rinjve shqiptarë
Një aksident i rëndë automobilistik ka tronditur mëngjesin e së dielës Italinë, duke i marrë jetën tre personave, mes tyre dy të rinj shqiptarë. Ngjarja e rëndë ndodhi në unazën jugore të Bergamos, në rrugën shtetërore 470 “della Val Brembana”, pranë Stezzano-s.
Sipas mediave italiane, në aksident u përfshinë një Mercedes dhe një furgon “Citroën Berlingo”, ndërsa përplasja fatale rezultoi vdekjeprurëse për tre persona.
Viktimat janë Klinton Sala, 23 vjeç nga Melzo (Milano), drejtues i Mercedes-it, dhe Denis Cana, 21 vjeç nga Lodi. Të dy ishin miq dhe po udhëtonin së bashku. Viktima e tretë është Oscar Angioletti, 62 vjeç nga Zanica (Bergamo), i cili ndodhej në furgon bashkë me vëllain e tij 64-vjeçar, që mbeti i plagosur rëndë.
Sipas hetimeve paraprake të karabinierëve, dyshohet se Mercedes-i ka tentuar të parakalojë një automjet tjetër në një zonë me vijë të dyfishtë të vazhdueshme, duke hyrë në krahun e kundërt dhe duke u përplasur kokë më kokë me furgonin.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe policia rrugore, ndërsa seksioni i rrugës ku ndodhi përplasja u mbyll për disa orë për hetime.
Autoritetet italiane po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedisë që i mori jetën dy të rinjve shqiptarë dhe një shtetasi italian.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



