E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Epoka e Artë e Islamit dhe  Perëndimi
Publik News

Epoka e Artë e Islamit dhe  Perëndimi

                                 

Epërsia e Qytetërimit Modern Perëndimor, e përthyer në një imperializëm ekonomik, politik dhe kulturor, është shumë e dukshme sot, në raport me pjesën tjetër të botës. Teoricienët e qytetërimeve dhe kulturave, duke filluar që nga Samuel Hangtinton, Francis Fukujama, Aleksandër Dugini etj, kanë paraqitur teza të argumentuara të cilat të çojnë në një përfundim: “Historia ka treguar dhe tregon që qytetërimet jo vetëm janë në konkurencë me njëra-tjetrën por edhe mund të shkojnë në përplasje nga më ekstremet. Në afro 300 vitet e fundit, Qytetërimi Modern Perëndimor ka qenë në pararojë të revolucionit teknologjik dhe shkencorë i cili ndryshojë në rradhë të parë vet Perëndimin dhe më pas me anë të këtij të fundit, tërë pjesën tjetër të botës. Ky qytetërim i solli botës edhe globalizmin i cili synon që të “gëlltisë” të gjitha kulturat e tjera duke i bërë pasqyrë të Perëndimit. Pikërisht në këtë pikë fillon edhe polemika. A është e logjike dhe e ndershme që të tëra vendet, kulturat, apo edhe fetë, të homogjenizohen duke u shndërruar në kopje karboni të Perëndimit? A është ky qytetërim, më i miri i shfaqur ndonjëherë? A fillon dhe mbaron historia me këtë qytetërim?

Në këtë shkrim do të përqëndrohemi në marrëdhënien e Perëndimit me një qytetërim tjetër i cili konsiderohet rival dhe në shumë aspekte i papërputhshëm me botën perëndimore, me Islamin dhe botën që kjo fe krijoi. Ajo që vlen të përmendet dhe është e qartë, është se tashmë ekuilibrat janë përmbysur. Përgjatë periudhës mesjetare, Perëndimi, i përfaqësuar në atë kohë nga Europa e krishterë ishte në pozita më të  prapambetura se sa bota islame. Pikërisht periudha historike e shekujve VIII-XIII, jo vetëm që nuk njihet si periudhë zhvillimi i pa cak i shkencës dhei kulturës, por përkundrazi edhe sot e kësaj dite në të folurin e përditshëm Mesjeta, ngelet si simbol i errësirës që përfshiu botën. Në këtë mënyrë, qëllimisht apo naivisht, errësira mesjetare e cila ishte karakteristik e Europës, u bë dhe simbol i botës duke lënë edhe sot e kësaj dite jashtë vëmendjes Epokën e Artë të Islamit. Pra me pak fjalë, përmes studiuesve dhe shkencëtarëve të kombësive të ndryshme, disa nga zbulimet më të rëndësishme dhe të njohura të njerëzimit, u bënë në Mesjetë, në një qytetërim që shtrihej nga Spanja deri në Kinë dhe që hodhi themelet e Rilindjes Europiane. Ky unitet pati sjellë një qytetërim të atillë, të cilit qytetërimi perëndimor i sotëm i detyrohet në shumë aspekte. Autori britanik, R.V.C. Bodley (1546-1613), e rrëfen këtë të vërtetë në këtë mënyrë: “I jemi borxhlinj Islamit për Rilindjen”. Një anëtar i një feje, e cila nxit për dituri duke vlerësuar meditimin dhe angazhimin për shkencë, si më të rëndësishme edhe se adhurimet vullnetare (nafilet); që vlerëson edhe gjumin e dijetarit/shkencëtarit dhe që vlerëson më shumë bojën e dijetarit, sesa gjakun e shehidit(dëshmorit), natyrisht do të interesohet për shkencë. 

Historiani dhe Orientalisti Montgomeri Vat (1909-2006)shprehet:“Në këtë kohë kur myslimanët bashkëjetonin me të krishterët dhe arabët me europianët, do të ishte shumë me vend bërja e një studimi lidhur me ndikimin e Islamit në Europë. Panorama që kanë skicuar në mendje shkrimtarët e Mesjetës dihet tashmë që është tërësisht një produkt shpifës ndaj Islamit. Tani, gjatë shekullit të kaluar, në sajë të hulumtimeve të bëra nga studiuesit, kjo gjë po merr përmasa më të kthjellëta dhe objektive në syrin e perëndimorëve. Por syri i verbër i europianëve përbën pengesë për të vërejtur borxhin që i kanë kulturës islame. Nganjëherë e shpërfillim vlerën dhe fuqinë e ndikimit që i ka bërë Islami trashëgimisë që na vjen nga e shkuara dhe nganjëherë bëjmë sikur nuk e shohim. Për të krijuar marrëdhënie më të mira me myslimanët dhe arabët, duhet të rrëfejmë të gjitha borxhet që kemi. Mbajtja fshehtë dhe mohimi i tyre është tregues i një mendjelehtësie false.”

Sipas historianit të shkencës, George Sarton (1884-1956), çdo 50-vjeçar mes viteve (750 – 1100), meriton të përmendet si epoka e atyre shkencëtarëve të mëdhenj myslimanë që kanë kontribuar për shkencë dhe kanë vënë emër për kontributin e tyre. Sipas tij, koha mes (750 – 800) duhet përmendur si “Epoka e Xhabirit”, (800 – 850) si “Epoka e Kuarizmit”, (850 – 900) si “Epoka e Razit”, (900 – 950) si “Epoka e Mesudit”, ( 950 – 1000) si “Epoka e Ebul-Vefasë”, (1000 – 1050) si “Epoka Birunit dhe Ibn Sinës”, ( 1050 – 1100) si “Epoka e Ibn Al Hajthemit dhe Omer Kajamit” etj.

Thuajse të gjithë i njohin emrat e Leonardo da Vinçit, Nikola Kopernikut, Galileo Galileit, Isak Njutonit apo deri edhe Albert Ajnshtajnit, por shumë pak kanë dëgjuar për Al Khindin, Abaz ibn Fernasin, Ebu Kasim al-Zahrawin dhe Al-Tusin. Më poshtë po rendisim disa nga shkencëtarët më në zë të Epokës së Artë Islame me kontributet e tyre. Duhet theksuar që për herë të parë dijetarët muslimanë hodhën themelet e shumë fushave të dijes, për këtë arsye ata u quajtën “baballarë” të këtyre shkencave. Al- Kuarizmi (780-850) matematikan, babai i algjebrës, Al Khindi (801-873) fizikan i cili ka hedhur përpara Albert Ajnshtajnit idenë se ligjet e natyrës janë relative, Ibn Fernasi (810-887)inxhinier, babai i areonautikës, piloti i parë, Al Razi (854-925)mjekë, babai i epidemologjisë, Al Battani (858-929) astronomi më i madh i Mesjetës, Al Farabi (872-951) matematikan, filozof,muzikant me rreth 80 gjuhë të folura, El Zaraui (939-1013)mjek, babai i kirurgjisë, Al Hejthem (965-1040) mjek, fizikan, babai i optikës, Al-Biruni (973-1050) babai i gjeodezisë, antropologu i parë, Al Idrizi (1100-1165) babai i gjeografisë, El Xhazeri (1136-1206)  babai i inxhinierisë, Ibn Halduni (1332-1406), historian, sociolog, i konsideruar nga shumëkush si babai i shkencave shoqërore etj.

Disa shpikje dhe zbulime të rëndësishme që Perëndimi do ti sillte botës, lidhen me revolucionet industriale dhe teknologjike. Këtu përmendim: makinën me avull, pompën me avull, meçikun vetëlëvizës, çelikun e thërrmuar, hekurin e galvanizuar, shufrën ndriçuese, makinën tjerrëse të pambukut, makinën e parë me avull me qëllime prodhimi, vegla tjerrëse hidraulike, gazë ndriçues, makina për pastrimin e pambukut, plugun e hekurt etj.Më vonë në shekujt XX dhe XXI, në Perëndim do e kishin origjinin edhe televizori, kompiuteri apo edhe interneti.

Po të ndiqnim të njëjtën logjikë dhe të bënin një udhëtim të ngjashëm përgjatë Epokës së Artë Islame, rezultatet do të ishin akoma edhe më të befasishme. Kafeja, kamerat, fotoaparatet (kamera e parë optike, Ibn Al-Hejthem), fizika eksperimentale, shahu, sapuni, parfumi, ujitja, kollodoku, motori me djegie të brendshme, valvolat, pistonat, kombinimet e drynjve, risitë arkitektonike, instrumentet kirurgjike, anestezia, helikopteri, trajtimi i lijës/inokulimi, stilografi, sistemi i numrave, algjebra /trigonometria, kriptologjia moderne, kristali i qelqit, tepihu, çeqet etj, do të zbuloheshin nga shkencëtarët mysliman.Githashtu kopshtet e rregulluara për zbukurim dhe meditim, të përdorura deri atëherë vetëm për ilaçe dhe kuzhinë, universiteti, optika, notat muzikore, furça dhëmbëve, spitalet, larja në banjë, jorgani, pijet e lehta, buzëkuqi dhe lapsi i syve, kirurgjia plastike, kaligrafi, do ta kishin origjinën dhe do të zhvilloheshin po në këtë qytetërim. Për të vazhduar pastaj me prodhimin e letrës në mënyrë masive, rrobave, parashutës etj. Ishte mysliman ai që ka zbuluar se drita futet përmes syrit dhe në bazë të kësaj është zbuluar kamera, ishte mysliman ai që ka provuar të fluturojë i pari në vitin 852. Ishte myslimani Xhabir Ibn Hajan i njohur si baba i kimisë moderne i cili transformoi alkiminë në kimi. Ai zbuloi distilimin, purifikimin, oksidimin, avullimin dhe filtrimin. Ai po ashtu zbuloi acidin sulfurik dhe nitrik. Ishte myslimani El-Xhazeri i njohur si baba i robotikës.Ishte mysliman arkitekti i kështjellës së Henry V. Ishte mysliman ai që zbuloi gjilpërat për trajtimin e kataraktës së syve, teknikë e cila përdoret edhe sot e kësaj dite. Ishte mysliman ai që zbuloi se toka është e rrumbullakët 500 vite para Galileut.

Vlen të përmendim se zbulimet të cilat u bënë përgjatë Epokës së Artë të Islamit, u arritën në kushtet e një kohe e cila ishte tepër e prapambetur në raport me zhvillimin teknik dhe teknologjik. Për këtë arsye këto zbulime dhe shpikje marrin përmasa edhe më të mëdha.

Gjithashtu, edhe në aspektin e demokracisë politike islami vuri një parim të ri i cili kishte kohë që ishte harruar jo vetëm nga europianët por edhe nga formacione të tjera shtetërore të kohëssi Perandoria Bizantine apo Perandoria Perse. Bëhet fjalë për zgjedhjen e lidershipit, në rastin konkret të Kalifit (drejtuesit të shtetit islam), drejtëpërdrejt nga populli. Në këtë mënyrë kundërshtohej çdo përpjekje për sundim dinastik apo mbretëror. Vlen të përmendet se kalifi i katërt i islamit Aliu (601-661) ia la fronin gjatë përplasjes së madhe Muavijas, jo vetëm që të shmangte thellimin e luftës civile por edhe duke i vënë kushtin që pasardhësi i Kalifatit të zgjidhej nga populli dhe jo të emërohej nga sipër. Gjithashtu edhe Hyseini (626-680) djali i Aliut, u ngrit në luftë duke dhënë jetën pikërisht kundër emërimit dinastik në drejtimin e shtetit. Pra vihet re që praktikat e demokracisë liberale perëndimore kanë ekzistuar në gjirin e islamit shekuj më parë para se të lindnin dhe të lakoheshin si koncepte në Perëndim.

Arritjet ishin të mëdha edhe në fushën e shkencave shoqërore.  Letërsia dhe filozofia islame sintetizoi arritjet më të mira të Aristotelit, tashmë të harruar në Perëndim, të neoplatonizmit, me kulturën perse dhe egjiptiane. Këto vepra të antikitetit grek dhe kulturave lindore, reflektuan edhe në Europën mesjetare në përpjekjen e kësa të fundit për tu zhvillluar. Ibn Rushdi (1126-1198)  (latin.Averroes) ishte një filozof, jurist, gjuhëtar dhe astronom i madh i cili punoi në Andaluzinë spanjolle. Ai përktheu dhe komentoi Aristotelin, duke ia rikthyer në këtë mënyrë Europës. Në Komedinë Hyjnore të Dante Alighierit (1265-1321) vihet re fare qartë ndikimi i elementeve të historive islame sa i përket udhëtimit të Dantes për në botën e përtejme dhe ngritjen e tij deri te Zoti. Madje këtë fakt e pohon edhe vepra “Eskatologjia islame në Komedinë Hyjnore të Dante Alighierit” e shkruar nga Miguel Asin Palacios (1871-1944), prift katolik dhe njëkohësisht studiues i islamit.

Pasi parashtruam çështjet e mësipërme dikush me të drejtë mund të shtrojë pyetjen se bota islame dhe muslimanët sot, në raport me Perëndimin janë në një gjëndje të prapambetur dhe se shkëlqimi i njëherë e një kohe ka rënë. Kjo është mëse e vërtetë dhe i takon studiuesve të mprehtë e të zotë që të japin një shpjegim sa më të thelluar dhe objektiv. Ajo që mund të theksojmë në këto pak rreshta është se mbas rënies së Perandorisë Osmane, kësaj perandorie e cila megjithëse kishte ruajtur disa elemente qoftë edhe të zbehtë të Kalifatit, në shumë raste veproi në kundërshtim me islamin dhe Kur’anin, Perëndimi copëtoi edhe kolonizoi një pjesë të madhe të botës islame. Pra dobësia e njërës palë u shoqërua me fuqizimin e palës tjetër e cila e përdori këtë fuqi duke kolonizuar madje tërë botën. Shumë studiues në zë por edhe njerëz të thjeshtë, e identifikojnë prapambetjen e muslimanëve me fenë islame. Ajo që këta studiues dhe njerëz nuk kanë arritur të kuptojnë si duhet është se afro shtatë shekuj histori nuk të lejojnë as të keqinformohesh dhe as të gënjehesh. Gjeneratat e para të muslimanëve ishin gjithashtu edhe gjeneratat më të devotshme nga pikëpamja fetare. Si rezultat i kësaj devotshmërie arabët dhe popujt e tjerë përreth u shndërruan nga një grup fisesh beduine të përçara dhe të prapambetura që luftonin me njëri-tjetrin, në një superfuqi politike dhe kulturore.

Sot, fatkeqësisht vëndet islame janë vendet të cilat më së shumti janë në luftë. Këto vende kanë edhe numrin më të madh të emigrantëve që largohen. Sot më shumë se kurrë vihet re një luftë e ashpër midis vetë muslimanëve dhe shumë fraksioneve të cilat luftojnë me njëri-tjetrin. Muslimanët sot akuzojnë edhe Perëndimin si shkaktar i gjendjes në të cilën ndodhet bota islame sot, duke e akuzuar si nxitës të përçarjes, financues të luftërave e kështu me rradhë. Ajo që nuk mund të fshihet është se midis Islamit dhe Perëndimit ka një hendek të madh sa i përket marrëdhënieve në çift dhe ekonomisë. Sa i përket të parës, islami dënon homoseksualizmin dhe në Kur’an tregohet se si Zoti shkatërron një popull të tërë në hapësirën ku sot gjendet Deti i Vdekur. Perëndimi nga ana tjetër i konsideron këto fenomene si e drejtë natyrore dhe liri e individit duke u shndërruar gjithmonë e më shumë në një Sodom gjigande.

Për të krijuar një sistem ekonomik sa më të ndershëm dhe në mënyrë që pasuria të qarkullojë në mënyrë  të drejtë, Islami urdhëron që fajdeja me interes të ndalohet në mënyrë të prerë. Sërish e kundërta ka ndodhur në Perëndim. Ekonomia moderne, sistemi monetar ndërkombëtar që Perëndimi i solli botës pas Luftës së Dytë Botërore, u bazua në një sistem interesi që sot quhet kredi dhe në një sistem borxhi që sa vjen dhe thellohet.

Se ku do e çojë botën dhe njerëzimin kapitalizmi dhe demokracia liberale perëndimore, kjo mbetet për tu parë, megjithëse njerëzit me intuitë dhe mprehtësi shpirtërore mund ta kuptojnë që tani. Ndërsa sa i përket botës Islame, do të dalin nga gjendja në të cilën ndodhen vetëm atëherë kur ti kthehen porosisë së të Dërguarit Muhamedit: “Kush ndjek rrugën e Dijes, Zoti do t’ia lehtësoi rrugën drejt Parajsës.”

Dilema mbetet e hapur, si për Perëndimin ashtu edhe për botën islame.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.