E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Epopeja e UÇK-së, 28 vite nga rënia heroike e Adem Jasharit dhe familjes së tij
Lajme

Epopeja e UÇK-së, 28 vite nga rënia heroike e Adem Jasharit dhe familjes së tij

Fillimi i marsit të vitit 1998 shënon një nga momentet më të rëndësishme dhe më tragjike të historisë së Kosovës, një ngjarje që e vendosi çështjen kosovare në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Sulmi ndaj familjes Jashari në Prekaz u kthye në simbol të rezistencës dhe sakrificës për liri.

Në natën mes 4 dhe 5 marsit 1998, forca të shumta ushtarake dhe policore serbe rrethuan fshatin Prekaz, duke vendosur një rrethim të hekurt ndaj familjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Për tre ditë me radhë, më 5, 6 dhe 7 mars, u zhvillua një përballje e ashpër që përfundoi me masakrimin e 55 personave, mes tyre shumë anëtarë të familjes Jashari.

Çdo përvjetor i rënies së komandantit legjendar dhe familjes së tij e bën edhe më të lavdishme figurën e tij në historinë e kombit shqiptar. Sakrifica e tyre u shndërrua në një pikë kthese për rezistencën në Kosovë, duke i dhënë fund frikës dhe duke hapur rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

Sulmet ndaj familjes Jashari kishin nisur vite më herët. Që nga viti 1991, zona e Drenicës dhe Prekazi ishte nën presion të vazhdueshëm nga forcat paramilitare serbe, të cilat synonin eliminimin e komandantit të UÇK-së dhe shuarjen e rezistencës kundër regjimit të Slobodan Milošević.

Sulmi i parë ndaj familjes Jashari u krye më 30 dhjetor 1991. Një tjetër sulm ndodhi në janar 1998, kur forcat serbe rrethuan shtëpinë e Jasharëve. Edhe në atë përballje, familja rezistoi, megjithëse mbetën të plagosura Iliriana, vajza e Rifat Jasharit, dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Pas këtij sulmi, miq dhe bashkëkombës u mblodhën për t’u solidarizuar me familjen Jashari dhe kërkuan që gratë dhe fëmijët të largoheshin nga shtëpia për sigurinë e tyre. Por familjarët refuzuan të largoheshin, duke deklaruar se nuk do të braktisnin shtëpitë dhe truallin e tyre.

Sulmi i tretë dhe më i përgjakshëm ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Në këtë përballje humbën jetën 55 persona, ndërsa vetëm dy persona nga familja arritën të mbijetonin: Bashkimi, djali i Rifat Jasharit, dhe Besarta, vajza e Hamzë Jasharit, e cila përjetoi tmerrin e masakrës.

Sot, historia e familjes Jashari dhe luftës për liri ruhet në Muzeun e Epopesë së UÇK-së në Prekaz, që konsiderohet një nga simbolet më të rëndësishme të sakrificës kombëtare.

Me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, institucionet e Kosovës organizojnë manifestime përkujtimore më 5, 6 dhe 7 mars. Po ashtu, Kuvendi i Kosovës zhvillon një seancë solemne për të nderuar dëshmorët dhe sakrificën e familjes Jashari.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.