E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Eric Williams midis dy botëve:Kapitalizmi dhe skllavëria
Publik News

Eric Williams midis dy botëve:Kapitalizmi dhe skllavëria

Eric Williams, ( 25 shtator 1911- 29 mars 1981), ishte Kryeministri i parë ( 1962–1981), i vendit ishullor të Karaibevetë quajtur Trinidad dhe Tobago. Në vitin 1956, ai ishte themeluesi i Lëvizjes Kombëtare Popullore duke udhëhequrvendin e tij drejt pavarësisë nga Perandoria Britanike.

Përgjatë viteve të tij si kryeministër, Williams praktikoi atë që u quajt “socializëm pragmatik”, e cila e vinte theksin te shërbimet sociale, arsimin e përmirësuar dhe zhvillimin ekonomik përmes tërheqjes së kujdesshme të kapitalit dhe të investimeve të huaja. Politika ishte e frytshme duke e bërë Trinidad dhe Tobagonkombin më të pasur të Karaibeve. Megjithatë ai ishte edhe një historian shumë i zoti i cili njihet për kontributin e tij në historiografi dhe për temat e trajtuara.

Williams është autor i një numri librash, ndër të cilët veçojmë“Negrët në Karaibe” (1942), “Kapitalizmi dhe Skllavëria” (1944), “Historia e Popullit të Trinidad dhe Tobago” (1962), “Historianët Britanikë dhe Inditë Perëndimore” (1964) “Nga Kolombi te Kastro: Historia e Karaibeve, 1492–1969” (1970).

Në 1944 Eric Williams botoi “Kapitalizmi dhe Skllavëria”veprën e tij klasike, e cila ndezi një debat shkencor që ende nuk ka është shuar deri në ditët e sotme. Në shumë mënyra, debatet që krijoi janë tani më të gjalla se kurrë dhe premtojnë të jenë një gur i qëndrueshëm për historianët e së ardhmes. Pak dyshojnë më gjatë që ekziston një kryqëzim, ose të paktën një grup koordinatash të përbashkëta midis skllavërisë dhe kapitalizmit. Sidoqoftë, ajo që është në diskutim është se sa e gjerë dhe e dendur është ajo marrëdhënie dhe ku mund të gjenden drejtimet shkakësore të saj. Gjithashtu në lojë janë vetë kuptimet e ‘kapitalizmit’ dhe ‘skllavërisë’ së bashku me pjesët përbërëse të tyre të ndara.

Në themelin e tij, teza e Williams-it pohon se kapitalizmi si një modalitet ekonomik zëvendësoi shpejt skllavërinë pasi elitat europiane grumbulluan tepricën e kapitalit nga skllavëria që iu duhej në mënyrë që të regjistronin revolucionin e tyre industrial . Pas sigurimit të themelit material dhe infrastrukturës tregtare që nxiti transformimin dramatik të Europës drejt modernitetit, skllavëria, sipas Williams, filloi një rënie të shpejtë në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, në një kohë që kapitalizmi industrialist po përhapej në përmasa botërore.

Skllavëria, me pak fjalë, sipas Williamsit nuk ishte më e nevojshme. Në fund, ndryshimi teknologjik, metodat moderne bujqësore dhe fabrikat industriale zëvendësuan agrarizmin tradicional dhe i dhanë fund marrëdhënieve të vjetra feudaliste të skllavërisë. Ai në studimin e tij me të cilin ka mbrojtur edhe tezën e doktoraturës përqendrohet në mënyrë më specifike në Inditë Perëndimore si vende koloni të Britanisë së Madhe, ku përfshihet edhe vendlindja e tij, Trinidad dhe Tobago. Williams në veprën e tij shtjellon konceptin e asaj që njihet si “Tregtia eTrekëndëshit”. Tregtia trekëndore ose tregtia e trekëndëshit është një term historik që tregon tregtinë midis tre porteve ose rajoneve. Tregtia trekëndore zakonisht shfaqet në ekonominë botërore kur një rajon ka mallra eksporti që nuk kërkohen në rajonin nga vijnë importet e tij kryesore.

Ky studim, megjithëse trajton posaçërisht Britaninë, i është dhënë titulli i përgjithshëm  “Kapitalizmi dhe Skllavëria“. Britania ishte shumë përpara pjesës tjetër të botës, ishte vendi i parë që u fut në botën moderne të zhvillimit industrial dhe demokracisë parlamentare. Kapitalizmi tregtar i shekullit të tetëmbëdhjetë zhvilloi pasurinë e Europës me anë të skllavërisë dhe monopolit. Por duke vepruar kështu, ai ndihmoi në krijimin e kapitalizmit industrial të shekullit të nëntëmbëdhjetë, i cili u kthye dhe shkatërroi fuqinë e kapitalizmit tregtar, skllavërisë dhe të gjitha veprave të tij.

Në studimin e tij të hollësishëm Dr.Willimas jep disa të dhëna mjaft interesante sa i përket bilancit të tregëtisë së skllevërve të udhëhequr nga Britania e Madhe. Me tregtinë e lirë dhe kërkesat në rritje të plantacioneve të sheqerit, vëllimi i tregtisë së skllevërve britanik u rrit jashtëzakonisht shumë. Kompania Mbretërore Afrikane, midis 1680 dhe 1686, transportoi një mesatare vjetore prej 5,000 skllevërve. Në nëntë vitet e para të tregtisë së lirë vetëm Bristol dërgoi 160.950 zezakë në plantacionet e sheqerit. Në 1760, 146 anije lundruan nga portet britanike për në Afrikë, me një kapacitet prej 36.000 skllevër. Në 1771, numri i anijeve ishte rritur në 190 dhe numri i skllevërve në 47.000. Është vlerësuar se importi i përgjithshëm i skllevërve në të gjitha kolonitë britanike midis viteve 1680 dhe 1786 ishte mbi dy milion.

Megjithatë, para vitit 1783, të gjitha klasat në shoqërinë angleze paraqitën një front të bashkuar në lidhje me tregtinë e skllevërve. Monarkia, qeveria, kisha, opinioni publik në përgjithësi, përkrahën tregtinë e skllevërve. Kishte pak protesta por ato ishin joefektive.

Gibbon Wakefield, parlamentari anglez i njohur per skemat e tij kolonizuese pohonte se nuk janë rrethanat morale, por ekonomike ato që çuan drejt skllavërisë dhe kolonializmit. Sipas tij ato nuk lidhen me vesin dhe virtytin, por me prodhimin.  “Me popullsinë e kufizuar të Europës në shekullin e gjashtëmbëdhjetë– pohon Wakefield- punëtorët e lirë të nevojshëm për të kultivuar prodhimet kryesore të sheqerit, duhanit dhe pambukut në Botën e Re nuk mund të ishin furnizuar në sasi të përshtatshme për të lejuar prodhimin në shkallë të gjerë. Skllavëria ishte  domosdoshme për këtë dhe për të marrë skllevërit, europianët u kthyen fillimisht tek aborigjenët dhe më pas në Afrikë.”

Më tej në punim shtjellohen me detaje dhe produktet më fitimprurëse të kohës të cilat u bën eksportet dhe importet kryesore dhe ndikimi që ky kapital i fituar pati në zhvillimin e industrisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapitalizmit.

Peshku. Më i rëndësishmi nga të gjitha furnizimet e ushqimit ishte peshku, një artikull i dashur për zemrën e çdo merkantilisti, sepse vinte në punë anijet së bashku me ekuipazhin e tyre. Në Angli u miratuan ligje për të inkurajuar konsumimin e peshkut. E premtja dhe e shtuna u veçuan si ditë peshku. Peshku ishte një artikull i rëndësishëm i dietës së skllevërve në plantacione dhe tregtia e peshkut gjeti tregun e saj kryesor në plantacionet e sheqerit.

Pambuku. Stimuli i parë për rritjen e Cottonopolis (term i përdorur për të quajtur Mançesterin i cili u shndërrua në qendrën industriale të prodhimit të pambukut) erdhi nga tregjet afrikane dhe Inditë Perëndimore. Rritja dhe zhvillimi i qytetit tëMançesterit ishte e lidhur ngushtë me rritjen e Liverpoolit, daljen e tij në det dhe tregun botëror.

Sheqeri. Përpunimi i lëndëve të para koloniale prodhoi industri të reja në Angli, siguroi punësim të mëtejshëm për transportin dhe kontribuoi në një shtrirje më të madhe të tregut botëror dhe tregtisë ndërkombëtare. Nga këto lëndë të parë sheqeri ishte i spikatur, dhe prodhimi i tij lindi industrinë e rafinimit të sheqerit. Procesi i rafinimit shndërroi sheqerin kafe të papërpunuar të prodhuar në plantacione në sheqer të bardhë, i cili ishte i qëndrueshëm dhe i aftë për ruajtje, dhe mund të trajtohej dhe shpërndahej lehtësisht në të gjithë botën.

Investimi i kapitalit të fituar. Paratë e rrjeteve bankare të shek.XVIII-të, të vendosura në qytete si Mançesteri dhe Liverpuli të quajtura ndryshe dhe “metropolet e skllevërve” dhe industria e pambukut ishin të elemente të lidhura ngushtë me “tregtinë e trekëndëshit”. Ishin të nevojshme shuma të mëdha për fabrikat e pambukut dhe për kanalet që përmirësuan mjetet e komunikimit midis dy qyteteve. Fenomen tipik i kësaj periudhe është ai i shndërrimit të tregtarit në bankier. Aktivitetet e larmishme të një biznesmeni të Liverpoolit përfshinin: fabrikë birre, tregtar pijeshalkoolike, bakall, bankier, etj.

“Heywood Bank” psh, u themelua në Liverpool në 1773 dhe qëndroi si një bankë private deri në 1883, kur u ble nga Banka e Liverpulit. Dega e Mançesterit, e quajtur “Manchester Bank”, ishte e njohur për shumë vite. Njëmbëdhjetë nga katërmbëdhjetë pasardhës të Heywood deri në 1815 u bënë tregtarë ose bankierë.

Industria e rëndë. Luajti një rol të rëndësishëm në përparimin e Revolucionit Industrial dhe zhvillimin e tregtisë trekëndore. Një pjesë e kapitalit që financoi rritjen e industrive metalurgjike u furnizua direkt nga tregtia trekëndore. Ishte kapitali i akumuluar nga tregtia e Indisë Perëndimore që financoi James Watt-in dhe motorin e avullit.  Një nga shitësit kryesorë të hekurit të shekullit XVIII, Antony Bacon, ishte i lidhur ngushtë me tregtinë trekëndore.

Faza e hershme e Revolucionit Industrial në Britani u lidh me energji uji, dhe më vonë me energji me avull. Zbatimi i avullit ishte, megjithatë, një proces gradual. Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, përdorimi i tij në industri nuk ishte as universal dhe as i gjerë. Numri i përgjithshëm i motorëve që ekzistonin në Mbretërinë e Bashkuar ishte 321.

Industria e pambukut ishte industria kapitaliste par ekselencë. Një llogaritje në 1835 dha një shifër mesatare punësimi prej 175 për të gjithë fabrikat e pambukut, 125 për mëndafshin, 93 për lirin, 44 për leshin. Madhësia e fabrikës mesatare të pambukut ishte diçka e pashembullt në historinë ekonomike britanike. Dyzet e tre fabrika të rëndësishme në Mançester kishin një fuqi punëtore mesatare prej 300 në 1815. Më 1785, në Angli u ngritë fabrika e parë e rrotullimit me avull. Midis 1785 dhe 1800, tetëdhjetë e dy motorë me avull u ndërtuan për fabrikat e pambukut  Në 1835 kishte 116.800 tezgjah energjie në të gjithë Britaninë e Madhe. Popullsia e punësuar nga industria u rrit nga 350,000 në 1788, në 800,000 në 1806.

Teza e Williamsit ngre polemika edhe sot dhe përzien pikëpamje nga më të ndryshmet me njëra-tjetrën. Historiani britanik Robin Blackburn në studimin “Krijimi i Skllavërisë së Botës së Re” (1997) pohon se skllavëria jo vetëm që mundësoi kapitalizmin evropian, por edhe tërë “bollëkun” sikurse e quan ai të vetë modernitetit europian. Në zbërthimin e lidhjeve midisskllavërisë dhe kapitalizmit rezulton se, për Blackburn, Williams në të vërtetë nuk shkoi aq larg sa duhet. Blackburn detajon se si një kozmos i gjerë forcash nga shtetet moderne kombëtare, sistemet e taksave, industritë financiare, ekonomitë e konsumit dhe një mori transformimesh të tjera politike, ideologjike, ekonomike dhe kulturore u ndërtuan të gjitha mbi kurrizin e afrikanëve të robëruar. Historianë dhe mbi të gjitha studiues të ekonomisë ndajnë pikëpamje të tjera në lidhje me fenomenin e ekonomisë kapitaliste, origjinën e tij dhe lidhjen me skllavërinë.Megjithatë një gjë është e sigurt, që Dr. Eric Willimas ka vënë një gur themeli të qëndrueshëm për të tërë studiuesit e mëvonshëm që do ti trajtojnë tema të tilla sa historike aq edhe ekonomike dhe qytetërimore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.